Bizneset e deputetëve dhe pushtetarëve punojnë në të zezë

468
Nga LINDITA MALO
Prej 4 vitesh nuk kontrollohen nga asnjë institucion shteti. Ankesat e qytetarëve për kuponin tatimor
Kush vjen në pushtet, dihet që do të krijojë edhe lobin e tij për të abuzuar, përfituar gjithmonë duke shkelur ligjet e shtetit. Kështu ka ndodhur në afro 26 vjet në këtë vend gjithmonë, me cilindo që ka ardhur në pushtet përmes rrotacionit politik, pavarësisht se edhe ai ka pasur problemet e veta. Kjo ka ndodhur edhe në 4 vitet e fundit me “Rilindjen”, madje kanë ndodhur edhe skandale të padëgjuara, abuzimesh, shkeljesh ligjore, zhvatjesh pronash dhe milionash. Ka ndodhur që bizneset e një deputeti apo pushtetari, të mos kontrollohen, qoftë edhe sa për sy e faqe, në 4 vjet nga institucionet e shtetit, duke nisur nga Tatimet, Doganat, Task-Forca dhe strukturat e tjera të shtetit. Ka ndodhur që bizneset e deputetit dhe pushtetarit, të mos preken as nga policia dhe organet e tjera të drejtësisë, edhe kur ata janë denoncuar dhe akuzuar për “informalitet, konkurrencë të pandershme në treg, kontrabandë, korrupsion” etj, duke krijuar lobin e një grushti njerëzish që fitojnë duke abuzuar me mandatin dhe njohjen e afërt që kanë me ministra, madje dhe vetë kryeministrin. Aksionet e nisur me bujë nga qeveria për “të ndaluar informalitetin në biznes dhe evazionin fiskal”, duket se kanë nisur dhe po vazhdojnë deri ditën e fundit me goditje dhe ndëshkime klienteliste. 

Ekipet e ministrave të rinj apo dhe të Tatim-Taksave dhe Task-Forcës që kanë zbarkuar në Elbasan qysh nga fillimi i marsit, të mbështetura edhe nga disa “IVECO” policie, aksionin e tyre e kanë nisur me biznese që nuk kanë asnjë borxh ndaj shtetit dhe, vazhduar më pas me kioskat që shesin cigare, duke “goditur” ashpër edhe 2-3 pika karburantesh që janë të ndonjë opozitari. Për ironinë e fatit, ngjitur me pikat e karburanteve të “atyre”, ndodhen bizneset e deputetëve të “Rilindjes” ku punohet krejt në të zezë. Pavarësisht denoncimeve apo telefonatave nga qytetarët, ekipet e shtetit, Tatimeve dhe Task-Forcës, të mbështetura edhe nga Policia e Shtetit, kontrollet dhe goditjet i kanë shigjetuar ndaj atyre që janë pa përkrahje, pa mbështetje politike dhe ndaj atyre që nuk japin para nën dorë. Qytetarët ankohen se, edhe kur blejnë tek bizneset e pushtetit, nuk e marrin kuponin tatimor dhe gjithë informacioni ka vajtur dhe vazhdon të shkojë atje ku duhet, por gjithçka mbyllet. Biznesi i radhës që u ndëshkua dje nga ekipet e shtetit, ishte një pronar i një linje prodhimi biskotash me nja 5-6 punëtore të siguruara në periferi të Elbasanit, që nuk kishte para t’u jepte “xhandarëve” me uniforma. Në qytetin me mbi 42 mijë të papunë, në qytetin ku shumica mbahet gjallë me shitjet e bananeve, cigareve dhe farave të lulediellit, por që realisht edhe abuzohet më shumë nga “Rilindja’, Task-Forca ka kurajën të vazhdojë aksionet e saj klienteliste për të goditur biznesin “e paligjshëm”. Po pse “xhandarët” e shtetit nuk guxojnë të shkelin tek bizneset e “Rilindjes”, tek ata që punojnë në të zezë, pasi ata janë nën mbrojtjen e politikanit, ministrit, deputetit etj. Në Elbasan në 4 vitet e fundit kanë ulur qepenat e mbi 2355 aktivitete tregtare, të vogla dhe të mesme, ndërkohë që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë ata që e kanë lidhur “fatin” e tyre me pushtetin. Ky është morali shtetit të ri, që “Rilindja” ngriti në këto 4 vjet, ky është morali uniformave të shtetit që shtyp të dobëtin, por përkëdhel të “fortin” e pushtetit. Statistikat zyrtare flasin për rritjen e numrit të papunësisë dhe të varfërisë në Elbasan, por edhe rritjen e deficitit financiar në arkën e shtetit, pasi mungojnë milionat e përfituara nga bizneset e pushtetit. Elbasani, ndoshta, për ata që nuk e dinë akoma, është kthyer në “oaz” të disa ministrave dhe ligjvënësve të “Rilindjes”, nga ku po fitojnë miliona euro me marifete të ndryshme të vjetra dhe të reja, duke dashur të maskojnë me “gjethe fiku” skandale të shumta financiare. Transferimi i bizneseve drejt Elbasanit, mbetet ndoshta gjetja më e trashë e një grushti qeveritarësh, që mendojnë, se atje në qytetin e hallexhinjve do të jenë më të qetë, për të flirtuar dhe fituar miliona euro, duke harruar se gjithçka kanë zhvatur me firmën dhe vulën e pushtetit, do ta paguajnë një ditë kur drejtësia të jetë e pavarur, nga zyrat e tyre politike.
Sigal