Berisha-Rama:Ja deputetët që përjashtohen

232

Rritet temperatura parazgjedhore, në prag të hartimit të listave për kandidaturat

Para pak kohësh, kryesocialisti Edi Rama ka paragjykuar listën e kandidatëve të Partisë Demokratike duke e cilësuar atë, si strehë për njerëzit që kanë probleme me ligjin. Nga ana tjetër, Berisha ka paralajmëruar se lista e zyrtarizuar do të publikohet vetëm në momentet e fundit, sepse më parë emrat e propozuar, do t’i dërgohen bazës së Partisë Demokratike, në qarqet përkatëse, për të dhënë opinionet e tyre rreth këtyre individëve. Gjithashtu, kreu i selisë blu ka paralajmëruar se, “ata persona që konsiderohen të pashërueshëm për strukturat e bazës, do të hiqen menjëherë”. Në këtë, mënyrë lideri demokrat i ka hapur rrugë një forumi të përbashkët me bazën për të përzgjedhur emrat më të përshtatshëm në çdo qark. Sipas një radioskopie paraprake, mësohet se, në rrezik janë edhe emrat e ekstremeve të moshës parlamentare, siç është Namik Dokle i PS-së dhe Vath Tabaku, deputeti më i ri i Kuvendit. I pari se i përket gardës së vjetër dhe i dyti se nuk ka mbajtur qëndrim të admirueshëm ndaj kupolës demokratike.

Provë deri në fund të marsit

Emrat e kandidatëve për listën e ardhshme të Partisë Demokratike, Berisha i ka vënë në provë deri n fund të marsit, në mënyrë që çdo militant, apo individ i thjeshtë të mund të japë opinionin e vet, për vlerësimet apo rezervat që ka për secilin kandidaturë. Në këtë banko-provë do të vihen të gjitha kandidaturat, me përjashtim të lidershipit kryesor, si edhe me përjashtim të disa kandidaturave të veçanta, të cilët do të kalojnë direkt. Por numri i tyre është tepër i paktë dhe nuk i kalon 15 vetë, ndërkohë që gjithë të tjetërt do të përballen me elektoratin në bazë. Pyetja që do t’i bëhet strukturave të bazës në lidhje me deputetin është kjo: Sa është ndjerë influenca e deputetit për zgjidhjen problemeve dhe halleve tuaja, gjatë këtyre katër viteve të mandatit qeverisës? Dhe pyetja tjetër, është kjo: “Për çfarë aferash, apo prapaskenash akuzohet deputeti, nga masa e demokratëve të bazës”. Në një farë mënyre, kjo bëhet jo vetëm që Berisha të konsolidojë mendimin e tij për çdo kandidaturë, por në radhë të parë, për të forcuar vendosmërinë e bazës, për të hedhur votën ndaj emrave të propozuar. Dhe duke dhënë paraprakisht mendime për emrat e listës, demokratëve të thjeshtë u duket vetja se janë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes. Në fakt, çdo kontestim i bazës është një urdhër ndaj Berishës, për t’i hequr emrin nga lista atyre deputetëve që nuk gëzojnë reputacion të mirë në elektorat. Por shkaku kryesor i heqjes së tyre është kundërshtimi me vijën e kryetarit. Nëse dikush ka dalë jashtë platformës berishiane, qoftë nëpër forume, ose edhe nëpër festime ditëlindjesh, ai do të gjendet jashtë parlamentit të ardhshëm. Edhe Ramiz Çobaj i Qarkut të Shkodrës i cili zëvendësoi në vitin 2011 të ndjerin Gëzim Dibra, dyshohet se, nuk do të jetë më në listën e PD-së. Në fakt, lista e mëposhtme paraqet vetëm ata emra që janë skeduar në bllokun e Berishës për “dalje nga reshti”, si Mark Marku, Leonard Demi, ose që janë përfolur për skandale publike, siç është rasti i Spiro Kserës, në lidhjet e tij, të dyshimta me Athinën.

 Berisha: Ja ç’më shkruajnë për Ramën

Kryeministri Sali Berisha theksoi dje, se ka konsumuar biseda dhe me persona që janë të bindur se do zgjedhjet, sipas tyre do i fitojë Rama. Berisha theksoi se e rëndësishme është që individi të votojë. “Të lëmë mënjanë çdo paragjykim. Më shkruan dikush se zgjedhjet do t’i fitojë Rama. I thashë nuk është faji im që Edi Rama di vetëm të humbasë, unë nuk mund ta mësoj kundërshtarin të fitojë. I thashë nëse gjykon gjakftohtë, ti nuk mund të thuash se vendi nuk ka ndryshuar, dhe i rendita 3-4 gjëra. E rëndësishme është që ti të votosh, i thashë. Tonet më pas ndryshuan. Ai e nisi bisedën si një militant i PS, por u shndërrua në një bashkëbisedues të qetë me mua dhe nuk mohoi asnjë nga argumentet që unë paraqita. Ne nuk i ofrojmë asnjë zgjedhësi paragjykim, ofrojmë dialog dhe bashkëbisedim dhe përpiqemi për shkallën më të lartë të mirëkuptimit. Çdo paragjykim që ne mund të mbartim bie ndeshas me vetë thelbin, ndaj dhe kërkesa ime është, të përpiqemi të debatojmë, pa asnjë lloj paragjykimi, të dëgjojmë sa më shumë zërat e qytetarëve, shqetësimet dhe problematikën e tyre”.

Deputetët e PD-së që rrezikohen

 1-Gazmend Oketa Qarku Durrës i skualifikuar

2. Ardian Turku Qarku Elbasan

3. Astrit Bushati Qarku Shkodër

4. Bedri Hoxha Qarku Dibër

     5. Vath Tabaku  Qarku Tiranë

     6. Ramiz Çobaj  Qarku Shkodër

7. Gjergji Papa  Qarku Korçë

8. Kreshnik Çipi  Qarku Vlorë

9. Lefter Maliqi      Qarku Berat

10. Leonard Demi   Qarku Vlorë

     11. Mark Marku  Qarku Lezhë

12. Ndue Paluca  Qarku Shkodër

13. Rrahim Çota Qarku Elbasan

14. Selami Xhepa  Qarku Dibër

15. Spiro Ksera  Qarku Gjirokastër

16. Viktor Gumi  Qarku Tiranë

17. Ylli Lama  Qarku Durrës

Deputetët e PS-së që rrezikohen

 Edhe në shtabin drejtues të Partisë Socialiste, është duke u hartuar,  në fshehtësinë më të madhe,   listat me emrat e kandidatëve.  Kriteri i vetëm që ndiqet me rigorozitet në shuarjen dhe shkruarjen e emrave në listë është shkalla e besueshmërisë që kanë kandidatët te Kryetari i partisë. Enigmë mbetet, gjithashtu, edhe kandidimi i Kryetarit të PS-së, Edi Rama në listat për deputetë. Vetë Kryetari Rama, edhe në intervistën e fundit me gazetarë, të dielën, la të kuptojë se edhe mund të mos jetë  kandidat për deputetë, pasi, kërkon që të qasë në politikën shqiptare modelin amerikan të qeverisjes, ku senatorët nuk janë anëtarë të qeverisjes.  Gjithashtu, sikurse e pohoi edhe vetë Rama, ka shumë të gjasa që ministrat e qeverisë të mos jenë fare ne listën e deputetëve dhe po t’i referohemi numrave, shumica e ministrave të qeverisë Rama, nëse fiton në 23 Qershor, nuk do të jenë ministra. Kjo logjikë mund të shpjegojë edhe pse kryetarët e partive aleate, sikurse Milo, Gjinushi, Koçi, nuk do të përfshihen në listat e deputetëve të PS-së, për të qenë në listat e ministrave të ardhshëm.  Kështu nga lista e PS-së, po fshihen deputetët

Albert Çaçi,

Anduel Xhindi,

Arben Çuko, në Qarkun e Fierit,

Eltar Deda në Vlorë,

Alfred Dalipi në Korçë,

Astrit Beci,

Paulina Hoxha,

Ndue Kola në Shkodër,

Et’hem Ruka në Gjirokastër,

Marko Bello në Berat,

Shegushe Ligori, në Elbasan,

Ilir Gjoni,

Auron Tare në Tiranë. Burime të mirinformuara brenda selisë rosë, për rikandidaturën e Ilir Gjonit  janë interesuar edhe diplomatë të akredituar në Tiranë, dhe kjo mund të jetë një shkak që ta detyrojë kryetarin e PS-së, që ta rifutë në listë. Ndërsa për Taren, edhe pse ky gëzon mirëbesimin e plotë të Kryetarit Rama,  ka shumë mundësi që emri i tij nuk do të përfshihet, për arsye që do t’i lehtësojnë emërimin  në një post të rëndësishëm, në rast se, arrihet qeverisja socialiste.

Ndrec Deda,

Gjovalin Kadeli në Lezhë

Asllan Dogjani,

Edison Konomi,

Gazmir Bizhga

Kastriot Islami

Ndërkohë janë hedhur dyshime edhe ndaj emrit të Namik Dokles, i cili prej mbështetësve të Ramës është konsideruar si “gardë e vjetër”, që duhet lënë të merret me profesionin e tij letrar.