Berisha: “Rama edhe 20 vjet në opozitë”-Rama: “Status për shqiptarët”

437
Sigal

Kryqëzohen replikat Berisha-Rama me sfond fushatën elektorale të 2013-s

Kryeministri Sali Berisha dje iu përgjigj akuzave politike të PS-së që kanë të bëjnë me politikën e taksave të biznesit të vogël. Siç dihet, në kuadrin e fushatës zgjedhore, vetë Edi Rama, por edhe deputetë të PS-së, ditët e fundit janë takuar me tregtarë të vegjël dhe me biznesmenë të vegjël dhe kanë premtuar heqjen e taksave. Berisha, dje iu përgjigj kësaj fushate elektorale të PS-së, duke thënë: “Ai mashtron kur thotë do ua heq taksat biznesit të vogël, për hir të kësaj karrigeje, është ai që i largohet çdo ditë e më shumë postit të kryeministrit.” Dhe këtë politike Kryeministri e cilësoi me shembjen e sistemit  fiskal. Gjithashtu, Kryeministri Sali Berisha akuzoi kryesocialistin Edi Rama se, po bën pazare për çështjen e Gjykatës së Lartë, me qëllim bllokimin e statusit. Kreu i ekzekutivit deklaroi se Rama, kërkon të bëjë pazare për interesat e tij personale, të cilat do e mbajnë edhe për shumë vite të tjera në opozitë. “Është një anë të sulmosh drejtësinë, por detyra është ta reformosh atë. Ky nuk ka qëllime performance, por pazare për pushtetin e tij”,- deklaroi Berisha.  Duke iu referuar reformës parlamentare Kryeministri Berisha i cilësoi kërkesat e opozitës si pretekste për të bllokuar procesin. “Kërkesat e opozitës janë në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese”, tha kreu i qeverisë.

Rama nuk i kurseu kritikat kundër Berishës, duke iu përgjigjur akuzave të Kryeministrit mbi privatizimin e “Albpetrol”-it. “Do kalojnë në “sitën” e transparencës dhe kush ka shkelur ligjin e kontratën do paguajë mbrapsht”, reagoi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama lidhur deklaratën e sotme të Kryeministrit Berisha mbi privatizimin e “Albpetrol”. Rama iu referua edhe qëndrimit “JO” të opozitës ndaj p/ligjit të Gjykatës së Lartë, duke theksuar se  disa ligje që hartohen në vend nuk përkthehen si domosdoshmërisht në togfjalëshin, Shqipëria Evropiane. Ai ritheksoi se statusin duhet ta marrë populli, sepse qeveria nuk e meriton. “Mesazhi ynë në parlamentin evropian ishte i qartë, ata që sot kanë pushtetin në Shqipëri nuk e meritojnë statusin e vendit kandidat, por Shqipëria e shqiptarët nuk e meritojnë të ndëshkohen për shkak të atyre që janë dhe për disa muaj në pushtet. Ne jemi sot shumë krenar që jemi opozitë që këtë vokacion e ka kthyer në një veprim konstant, sepse Shqipëria evropiane për ne, është një vizion shumë i qartë dhe më i thellë sesa disa ligje që ndryshe thotë ligji e ndryshe ndodh”.  Statusi, -tha Rama, -është një mundësi dhe për opozitën që pas zgjedhjeve të vitit 2013 do të qeverisë për të rimëkëmbur atë që aktualisht është rrënuar.