Ndërgjegjësim për situatën parazgjedhore

540
Sigal

INTERVISTA/ Ish-Kryetari i Kuvendit she ish-Nënkryetari i PS-së, Prof. Servet Pëllumbi: Në PS ka arrivistë! (Pjesa e dytë)

(Vijon nga numri i kaluar)

Në pjesën e parë të intervistës me Profesor Pëllumbin u ndalëm kryesisht te situata aktuale politike parazgjedhore, duke parandier rrezikun e historisë së manipulimit të zgjedhjeve të vitit 1996. Kjo foto ilustruese e intervistës së sotme është mbase dëshmia më autentike e dhunës që përdori pushteti i atëhershëm ndaj opozitës më 28 maj, vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të kontestuara. Në këtë pjesë të dytë të intervistës, Profesori ndalet në fushatën për 100-vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, ku paradoksalisht në vend të njeriut që ngriti Flamurin, lartësohet figura e Ahmet Zogut. Profesori sqaron se çfarë fshihet pas kësaj fushate. Ndërkaq, ai, për herë të parë flet për njerëz të Berishës në udhëheqjen e Partisë Socialiste, duke e ilustruar këtë me detaje domethënëse, duke treguar se si një makinë e SHIK-ut me xhama të zinj ishte instaluar pranë selisë rozë, kurse dy anëtarë të kryesisë së PS-së mbanin në xhep mikrofonat e Berishës. Duke treguar këtë episod, tërthorazi Prof. Pëllumbi i kumton Partisë Socialiste të ruhet nga njerëzit që e sabotojnë në rrugën e saj. Zgjedhjet e 2013-s nuk janë larg…

– Profesor, me që përmendët “princin në Presidencë”, a nuk ju duket edhe më e çuditshme fushata pro ish-mbretit Ahmet Zogu dhe propozimeve për panteon e monumente pikërisht në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë? Po për deklarimet befasuese të anëtarit të kryesisë së PS-së, z.Majko, a mund të na jepni opinionin tuaj?

– Të falënderoj për pyetjen. Sa më shumë kohë kalon, aq më tepër bindem se teza e Berishës për rishkrimin e historisë synim kryesor ka përmbysjen e historisë për Ahmet Zogun, që ta radhitë atë të dytin pas Skënderbeut dhe veten e vet “të tretin të vërtetin, që  bëri  Shqipërinë”! Të tre veriorë! Diabolizëm përçarës! Në shtyp, në aktivitetete për 100- vjetorin, në propozimet e  vendimet qeveritare për panteon, monument, për artikuj të porositur e fushatë propagandimi të mbretërisë, nuk ka preokupim e vëmendje as për Ismail Qemalin, as për aktin historik të Pavarësisë dhe as për patriotë të tjerë, por kryesisht për “mbretin Zog” dhe kontributet e tij, sidomos për ta “pastruar” nga akuzat që i qenkan bërë gjoja padrejtësisht për tradhti, vrasje patriotësh të tillë si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi, Bajram Curri etj., për shitje apo dhurim territoresh shqiptare në këmbim të mbështetjes së huaj për ta sjellë dhe mbajtur në pushtet njeriun që e quante Shqipërinë çiflig të vetin etj. Dhe një princ naiv “Këshilltar politik i Presidentit”, që po përdoret e që ka kurajën të falënderojë publikisht Beogradin dhe bjellogardistët rusë që ndihmuan gjyshin e tij në marshimin mbi Tiranë, në qershorin e 1924-ës…

Nuk dua të futem në hollësi të tjera. Ne, që nuk jemi historianë, duhet t’ua lemë historianëve fjalën e fundit, sepse veçoria e “zanatit” të tyre është mbështetja në dokumente, që janë për ta si gjetjet arkeologjike për arkeologun. Dhe dokumentet u kanë vënë “vulën e thatë” dy tradhtive të mëdha të Zogut:  1.Marrëveshjes me Pashiçin e Serbisë të vitit 1924, që e vinte Shqipërinë për gjithçka nën vartësinë e Serbisë, dhurimin e Shën Naumit  e një pjese të Vermoshit në këmbim të mbështetjes që iu dha për përmbysjen e qeverisë demokratike të Fan Nolit dhe ardhjen e tij në pushtet .

2. Arratisja një natë prilli të vitit 1939, në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë, e shoqëruar me ligësinë e sabotimit të rezistencës kundër pushtuesve, duke urdhëruar lënien e pushkëve pa shula dhe të artilerisë pa mekanizmin shkrepës… Se duheshin “shlyer kreditë”! Nuk po flas për grabitjen e floririt, për të cilin ndonjë “myteber” thotë: “i takonte Zogut si mbret që ishte dhe se  bëri mirë që nuk u’a la italianëve”! Patriot i madh ! Le që s’ka vend për të debatuar më tej, se edhe Himni Kombëtar e përcakton qartë, se kush quhet tradhtar… “Prej lufte veç ai largohet/ që është lindur tradhtar /..” thuhet në dy nga vargjet e tij !

– Po zotin Majko, që ikjen e Zogut më 1939-n  e quan “një akt pozitiv juridik” për t’i thënë botës që Shqipëria u pushtua, tek cilët e futni, z. Pëllumbi?

– Të them të drejtën më befasoi deklarata e tij, sepse nuk m’u duk e “politikanit Majko”, por e një njeriu që pas një stili “babaxhan” e “guximi origjinal”, mbase fsheh ndonjë angazhim nga ato për të cilat nxitoi ta lavdëronte legalisti E.Spahia, pse jo dhe ndonjë detyrim a peng që kërkohet për situata delikate dhe të vështira. Do të desha të shtoja me këtë rast, se qëndrimi i z. Majko është krejt personal dhe nuk i ngarkon asgjë PS-së, e cila me sa di unë, nga lart e deri poshtë në gjithë piramidën, ka qenë e vazhdon të jetë e qartë në qëndrimet e veta rreth kësaj çështjeje.

– Le të kthehemi përsëri te politika e ditës. Thuhet se në krye të PS ka disa njerëz që punojnë për Berishën. Mendoni se vërtetë ka të tillë në PS?

– Po. Këtë ma freskoi Profesor Sabit Brokaj me intervistën që botoi para disa ditësh në gazetën tuaj. Nëpër parti gjithnjë ka pasur e ka arrivistë, që për të realizuar ambiciet e tyre, nuk e kanë për gjë të shiten e të blihen si në pazar. Aq më tepër kur gjendet një Berishë që nuk bën dot pa mercenarizëm dhe pa provokatorë. Njëlloj si  Zogu i Parë! Po përmend një fakt: në kohën e SHIK-ut të Berishës e Gazidedes, flitej në qarqet e PD-së se dy anëtarë kryesie në PS, pavarësisht nga njëri-tjetri, mbanin mikrofona në xhep, që makina Volvo e SHIK-ut, me xhama të zinj e me targë TR 1928  Z,  që parkohej poshtë zyrave të selisë së PS-së, regjistronte  mbledhjet e Kryesisë. Nuk e di në se tani është ndryshe situata, por nga mënyra se si lot Berisha, shpesh, me informacione të brendshme, me ato që diskutojnë e vendosin në kryesi të PS-së, apo në të ashtuquajturin “Këshill politik”, them se Doktor Sabiti nuk gabon me “ECON e vet”!

– Dalja e dy forcave të reja politike, AK-së dhe FRD-së, mendoni se do të sjellë dhe një riformatim të aleancave në të dy krahët e politikës?

– Po, në kushtet e një lodhjeje të përgjithshme të elektoratit dhe të zhgënjimeve masive, sidomos nga partia në pushtet dhe nga qeverisja e tanishme, ato premtojnë të sjellin risi me vlerë në jetën politike shqiptare. Pse jo dhe hapësira politike për të reformuar sistemin politik e partiak dhe mundësi për zhvendosje të rëndësishme në skemat e koalicioneve dhe aleancave. Është për të ardhur keq që PS, si forca kryesore opozitare dhe më e interesuara për një kthesë politike dhe një filozofi politike kombëtare, po e tepron me taktikat “prit dhe shih”, për më tepër në vend që të mirëpresë aktivitetet dhe mesazhet e tyre të spikatura politike e kombëtare, vazhdon të paragjykojë dhe të mos shohë skenarët ogurzinj që Berisha përgatit kundër drejtuesve të këtyre dy partive të reja. Ideja e një Fronti të përbashkët për të mbrojtur, zhvilluar, modernizuar dhe integruar Shqipërinë në Europë, të cilës po i përkushtohen dy forcat e reja politike, është tamam ajo që na duhet si alternativë për fund qershorin 2013. Këtu le ta tregojnë veten të gjitha forcat politike, të mëdha a të vogla qofshin, por që kanë diçka për të thënë dhe për të bërë për të ardhmen e Shqipërisë.

– Ju faleminderit, Profesor!