Berisha: Qytetarët të protestojnë para Parlamentit! “Rilindja”, një organizatë kriminale

90
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të protestojnë përpara Parlamentit, tubim që do të zhvillohet nesër (13 shkurt) në orën 17:00.

Gjatë mbledhjes me degët e PD-së në Tiranë, Berisha thotë se qytetarët duhet të protestojnë përpara çdo seance, për të garantuar që zëri i tyre të dëgjohet nga deputetët.

Berisha foli edhe për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn të cilin e akuzoi për vjedhjen me inceneratorët dhe taksat për qytetarët.

Berisha: Qytetarët e Tiranës, janë të ftuar poër të qenë tek Parlamenti në çdo seancë. Ai është institucioni i krimit mostruoz kushtetues. Aty shkelmohet çdo seancë Kushtetuta e vendit. Aty shkelmohen në çdo seancë të drejtat e 620 mijë shqiptarëve që kanë votuar kundër kësaj qeverie. Atëherë duhet të dalim zot. Revolucion do të thotë të jesh i aftë të reagosh dhe të kapitalizosh pakënaqësinë.

Misionarë në çdo familje, do të trokasim dhe do bisedojmë me çdo zgjedhës. Protesta tek Parlamenti është për t’i dalë zot votës tuaj. Unë kam besim të madh se revolucioni ynë s’do njohë të ndalur. Asnjë ndikim të mos keni nga ata të cilët nuk e kuptojnë.

Unë kam mirëkuptim se durimi i njerëzve ka arritur në kufijtë të mëdha.  Revolucioni ynë ëshgtë me mosbiondje civile, jo me armë. Ne nuk njohim formë tjetër pushteti, jemi parti demokratike. Kjo forcë politike nuk merr pushtet me dhunë. Nuk është forcë ekstremiste e pushtetit me dhunë. Nuk është forcë staliniste dhe as fashiste. Por përdor gjithë mjetet demokratike dhe mosbindje civile që qytetarët të votojnë të lirë.

Mosbindja civile, opozita ka punë direkte me të. Ministri i familjes (Bledi Çuçi), bashkia e Tiranës. Nuk ka fyerje më të madhe se sa ai kryetar bashkie. Për çdo thes me plehra që depoziton, vjedh paftyrësisht si një hajdut ordiner. Çfarë do që të bëjë më shumë ai, të fusë dorën në xhepin e shqiptarëve? Ka vendosur taksën e arsimit. Por me Kushtetutë arsimi është falas në Shqipëri. Ku e gjen të drejtën ky hajdut që të taksojë familjet e Tiranës për arsimin. Kushtetuta detyron qeverinë dhe bashkinë, t’u japë arsim falas fëmijëve.

Kurse ky i detyron familjet që të paguajnë taksë për ndërtimin e shkollave. A mundet një njeri të veprojë në këtë mënyrë? Ku e gjen autoritetin të shpallë me taksë një shërbim që Kushtetuta e garanton falas. Degët e PD-së janë të porositura t’ia nxijnë jetën këtij hajduti.

Kreu i PD-së komentoi edhe turin që zhvilloi dje pas protestës, ku u ndal në disa institucione të vendit e më pas tek selia e PS-së. Berisha tha se “Rilindja” është një organizatë kriminale që s’ka asnjë lidhje me socialistët e thjeshtë.

Berisha: Sekti i Rilindjes është sekt kriminal. Me veprimet e tyre, krijojnë dhimbje, krijojnë varfëri njësoj si tek socialistët, si tek demokratët dhe ata pa parti. S’kanë interesa ata. Rilindasit, këta të sotmit janë një organizatë kriminale të cilën Shqipëria duhet ta largojë nga pushteti.

Çfarë e lidh socialistin e thjesht me Olta Xhaçkën. E cila është e zhytur në veprat korruptive nga më të mëdhatë. Me çfarë e lidh me Taulant Ballën. A ka turp më të madh që PS-ja të ketë kryetar të grupit parlamentar, një person të akuzuar për trafik prostitutash. I denoncuar nga ambasada se jep viza për moldavet. Në çdo dosje krimi del emri i tij. Këta janë uzurpatorë të partisë, e kanë shndërruar në parti krimi. Damian Gjiknuri, i cili u përpoq të fajësonte Edi Ramën. E çoi xhepi dhe interesi i tij me McGonigalin.