Kreu i PD, Sali Berisha theksoi se misioni i tij politik përmbyllet vetëm atëherë kur shqiptarëve t’u garantohet e drejta për të votuar të lirë dhe pa ndërhyrje.
Ai rikujtoi se beteja e tij nisi fillimisht brenda Partisë Demokratike për t’u siguruar demokratëve të drejtën për të zgjedhur lirisht lidershipin e tyre, dhe tani është zgjeruar në një përballje kombëtare për zgjedhje të ndershme dhe demokratike në gjithë vendin.
Berisha e cilësoi si arritje të rëndësishme ndërkombëtare faktin që procesi zgjedhor është denoncuar si farsë që para se të zhvillohej, duke u mbështetur në deklaratat e partive simotra dhe raportet e vëzhguesve.
Ai shprehu bindjen se pa çlirimin nga ajo që e quajti “narkoshtet”, shqiptarët nuk do të kenë kurrë mundësi të zgjedhin të lirë, dhe për këtë arsye, opozita do të vijojë betejën e saj pa kompromise.
Pjesë nga deklarata:
Pyetje e drejtë.
Po të marrësh të gjithë betejën time, unë e kam bërë për votën e shqiptarëve.
Unë betejën në PD e bëra që të votojnë demokratët dhe jo t’ua kontrollojë kush kryetarin.
Absolutisht. Kjo ishte gjithë beteja ime.
Unë betejën për shqiptarët po e bëj që ata të votojnë të lirë, të kenë zgjedhje të drejta.
Është betejë e vështirë, por çfarë është arritur?
Në rrafshin ndërkombëtar, të arrish të dënosh procesin zgjedhor, ta shpallësh farsë pa u zhvilluar, është arritje.
Në dëshpërim, por është arritje e madhe.
Këto zgjedhjet, të gjitha partitë simotra tona, i quajtën farsë 10 ditë para se të zhvillohen.
Misioni im mbaron ditën kur shqiptarët të votojnë të lirë.
Kjo është një betejë që mbyllet me sukses ditën kur shqiptarët të votojnë të lirë.
Por me këtë narkoshtet, shqiptarët kurrë, pa u çliruar prej tij, nuk do mund të votojnë të lirë.
Dhe në fakt beteja e madhe, lufta e madhe fiton pas kësaj farse.
Nuk duhet të flasim për zgjedhje më, duhet të flasim për farsë elektorale.
A do pranojnë shqiptarët që farsa të përcaktojë fatin e tyre? Jo, nuk e pranojnë.
Ndaj dhe unë dhe opozita është e vendosur ta bëjë këtë luftë.
Tani janë gjërat evidente.
U nis me vonesë, por kjo duhej të ishte nisur me datën 26 prill 2021.
Edhe atëherë vota vdiq pa hyrë në kuti.
Se ai vetëm në Durrës, Tiranë, Lezhë, Kurbin ndau 130 milionë euro me fatura thesari.
Ai tha vetë, Kodi Elektoral është kinezëri. Pra, kur nuk ka ligj, ka farsë.
Besoj se për çdo njeri me interes publik, kjo do të jetë një thirrje e madhe në ndërgjegjen e tij për rrezikun e jashtëzakonshëm që paraqet farsa për të ardhmen e tij dhe të kombit.