Berisha: Më 27 janar, masivisht në shesh kundër bixhoz-republikës që shpërblen klikën dhe varfëron qytetarët

494
Berisha: Masivisht kundër bixhoz-republikës
Ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje shqiptarëve të marrin pjesë masivisht në protestën e 27 janarit. Sipas tij, 27 janari do të hyjë në historinë e kombit si dita në të cilën shqiptarët e të gjitha moshave dhe bindjeve politike guxuan të ngrihen fuqishëm kundër narko-republikës, bixhoz-republikës së tyre që ndërtoi një klikë unike në Evropë dhe botës pas asaj të Koresë së Veriut. “27 janari është një ftesë për gjithë fëmijët e Shqipërisë, që kanë tre vakte ushqim në ditë të kujtohen se 10% e bashkëmoshatarëve të tyre në zemër të Tiranës kanë vetëm një vakt në ditë. Sepse kjo lukuni qeveritarësh dhe pushtetarësh vjedh çdo ditë e natë shqiptarët duke vjedhur në tenderë, dogana e tatime, koncesione dhe rrënon çdo ditë gjendjen e shqiptarëve. Bashkohuni me prindërit tuaj me 27 janar të protestoni për bashkëmoshatarët tuaj që ndoshta as fuqi fizike nuk kanë për shkak të urisë, që qajnë në shtëpitë e tyre me lotët e mjerimit. Dilni dhe protestoni për ta. Fëmijë të Shqipërisë, kurrë ndonjëherë e ardhmja s’ka qenë më e kompromentuar sepse ju jeni sot viktimat më kryesore të këtij regjimi”, u shpreh Berisha. Ai u bëri thirrje gjimnazistëve, studentëve, të varfërve dhe të përndjekurve politikë. “Ndërkohë që shpërblejnë Nushër e stërNushër, në një kohë që janë lëshuar si lukuni mbi pasuritë kombëtare ndërsa ju duan t’u mohojnë gjakun, mishin, kockën e baballarëve tuaj fisnikë, të cilët ranë në kampe vetëm se ishin elitë e kombit. Bashkohuni me ne ish-pronarë dhe pronarë sepse sot Edvin Kristaq Rama ka përdorur për ju metrin që përdorte Enver Hoxha dhe Spiro Koleka në 46-n”, u shpreh Berisha.
Sigal