Berisha: Lista më e mirë e të gjitha fushatave zgjedhore

461
Sigal

Kreu i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht Kryeministri Sali Berisha, ka mbledhur dje kryesinë e partisë, ku ka folur për strategjinë elektorale të Partisë Demokratike. Ai tha se: “Ekipi elektoral i Tiranës është një ekip shumë premtues, ekip i përbërë nga personalitete dhe individë me histori reale, suksesi në karrierën e tyre. Ky ekip, ka dëshmuar përkushtim ndaj vlerave dhe parimeve që kanë përzgjedhur të mbrojnë. Ekip, i cili udhëheq realisht fushatën elektorale të Shqipërisë, sepse është Tirana ajo që i jep jo vetëm tonin, por entuziazmin, optimizmin dhe faktikisht suksesin e fitores elektorale në mbarë Shqipërinë”. Më tej ai u shpreh se: Asnjëherë nuk ka listë ideale dhe ajo çka është e vërteta, është se vlerësimi, qoftë një nga një, qoftë si listë në memorien time është më i mirë se në të gjitha zgjedhjet e tjera”. Dhe duke folur për punët e qeverisë, Berisha tha se: “Qeveria ka votuar paketën e dytë fiskale më të rëndësishme në historinë e qeverisjes së vendit dhe një seri vendimesh, reformash të tjera”. Ndërsa duke folur për 4 vitet e ardhshme, kreu I PD-së tha se: “Ne themi se katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të thithur 6 miliardë euro kundrejt 4.2 miliardëve, që morëm katër viteve që shkuam, e bazojmë këtë nuk e kemi të pabazuar, sepse brenda pak ditëve fillon ndërtimi i hidrocentralit të Devollit, investimi më i madh energjetik në historinë e vendit, prej 800 milionë eurosh, kjo fazë dhe pastaj të tjerat, apo gjatë qershorit merret vendimi për TAP. Në premtimet, objektivat dhe parashikimet kësaj radhe i kemi më konkret se asnjëherë. Në tërësinë tonë duhet të bëjmë gjithçka të predominojë logjika, të predominojë argumenti, të predominojë debati me qytetarin.  Ndërsa për koalicionin, Berisha u shpreh se: “Kjo formë është forma më e ndershme dhe më organike e koalicionit. Unë e kuptoj. E kuptoj që ka njerëz zemërthyer, se kanë mbetur jo në pozicionet që e meritojnë, por kanë një gjë që shqiptarët duhet ta dinë, që demokratët duhet ta dinë. Demokratët në vitin 2009 kanë marrë 11 deputetë nga votat e këtyre aleatëve dhe kjo vetëm për shkak të sistemit. Absolutisht po, sepse në rast se vota do të kishte të njëjtën peshë si për Sali Berishën ashtu edhe për Dash Shehun , Dash Shehu me koalicionin e tij mund të fuste tre deputetë. Fatmir Mediu mund të fuste tre deputet dhe ca më shumë. Ky sistem, që e nisëm për mirë dhe tani e qortojnë, që në fakt duhet modifikuar, ose të bëhet i pastër proporcional , ose të japë maxhorancë me ligj. Të japë maxhorancë me ligj, siç jepet në Spanjë ku e kemi marrë, siç jepet në Greqi ku është i ngjashëm, ose të shndërrohet i pastër proporcional dhe në këtë mënyrë je në modelin e vendeve të veriut dhe jo vetëm të veriut”, -tha Berisha.