Berisha: Ja pse Rama është agjent influent i Putinit, i bëj thirrje të bëhet i penduar i drejtësisë

86
Sigal

Kryetari demokrat, Sali Berisha, insistoi edhe sot se kryeministri Edi Rama është agjent influent i Putinit.

“Unë i kam ndjekur debatet, analizat për këtë çështje. Dje, sot dhe gjithnjë do them se Edi Rama në këtë aferë është sjellë absolutisht si agjent i Putinit. Se përfituesi më i madh nga kjo aferë është Rusia.

Pse them se është sjellë si agjent influent? Unë konstatova se pata reagime nga analistë. Unë u kërkoj këtyre analistëve që të hapin dhe të lexojnë se çfarë është agjenti influent.

Agjenci influent është person që ka një status, në përkufizimin e fjalorëve politikë, dhe e përdor pozicionin e tij për të influencuar publikun në qëndrime, drejtime dhe politika të caktuar siç i intereson një fuqie tjetër.

Agjentët influentë janë tre kategori.

Agjenti që ka një status dhe ka firmosur dhe atij i vijnë udhëzimet përmes agjentit tjetër. Nuk e di, megjithëse ka shumë gjëra të errëta, qoftë në trashëgimi familjare, qoftë në drurin familjar, nuk e di.

Kategoria e dytë e agjentit influent janë ata që veprojnë me ndërgjegje, pa firmë dhe janë njëlloj me të parët. U them atyre që reaguan se do gjeni prej tyre që kanë shkuar edhe në gijotinë për veprimin e tyre pa firmë, por kanë mbrojtur edhe njëlloj sikur të ishin nazistë apo stalinistë, kauzat e gabuara. Këta quhen agjentë influentë.

Kategoria e tretë e agjentëve influentë janë idiotët e dobishëm. Idioti i dobishëm është spontan, është sporadik. Bën deklarata dhe shfrytëzohet deklarata e tij dhe pastaj është një copë asgjë.

Të më thotë kush se a ka deklaratë më të dobishme për Putinin se deklarata e Edi Ramës: mos i bini në qafë Serbisë, për të respektuar sanksionet? Me fjalë të tjera, lëreni të mbetet prapavijë e Rusisë. Është e qartë si drita e diellit se kujt i intereson kjo deklaratë. Asnjë lider evropian, përveç tij nuk e bën. Këtu Deripaska është strategjik.

Së dyti, kujt i intereson deklarata e Edi Rama në Davos se e ndaluat mallin e pistë rus, dhe morën nga të tjerët, më keq se rusët. Po kush është sot më keq se rusët, që agreson dhe bën kasaphanë në një popull? Kujt i intereson kjo? Pse, nuk e di Europa? Në vend të duartrokitet Gjermania, që e zeroi importin rus, Edi Rama u thotë se e latë mallin e pistë, për të marrë mall më të pistë.

A nuk është kjo një shprehje me kuptim politik totalisht në mbrojtje të Putinit,” tha Berisha.

“Unë shpresoj që të gjitha këto do të hetohen, qoftë nga komisioni parlamentar, qoftë nga drejtësia në SHBA, por e mbyll fjalën time duke i bërë thirrje, shko, dorëzohu si i penduar se ke bërë një dëm të pallogaritshëm me aktet më të dënueshme.

Kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s, përdor si aset tëndin, njeriun kryesor të kundërinteligjencës së FBI. E paguan, e përdor kundër opozitës.

Unë kam bindjen se qytetarët do flasin. Kështu nuk vazhdohet. Ky është i pakallur.

Departamenti i Drejtësisë u përgjigj sot një rrjeti televiziv kur e pyeti për kryeministrin, i keni të gjitha publike, u tha.

16 faqe ja ku janë, fillojnë dhe mbarojnë me Personin A, Agron Nezën, me Personin B, Dorian Duçkën dhe vetë kryeministrin që nga zyra e tij u ngarkon detyra të zeza McGonigal ndaj opozitës shqiptare.

Kjo është vetëm maja e ajsbergut,” theksoi kreu i PD.