Berisha: Bisedimet me Hoyt Brian Yee

686
Ish-kryeministri Sali Berisha, në një intervistë në “Vizion Plus”, rrëfeu detaje mbi arritjen e marrëveshjes së majit 2017 mes mazhorancës dhe opozitës. Ai foli për takimin me të dërguarin amerikan, Hoyt Brian Yee dhe rrugën që çoi te marrëveshja Rama-Basha. Ish-shefi i qeverisë foli edhe për rolin e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, në zhvillimet politike në vend. 

Në një intervistë me Eni Vasilin, sikur e shitët Adriatik Llallën…
“As s’e shita e as s’e bleva. Nëse gjeni një komunikim timin personal me Llallën, që nga dita që jam larguar, një komunikim timin personal, atëherë po. Unë nuk mund të mos marr për bazë një dokument të firmosur nga Rex Tillerson, sepse ai është kryediplomati i botës. E ata që i përgatisin dokumentet, nuk i çojnë gjëra të paqena për të firmosur. DASH duhet të sjellë faktet për të vepruar drejtësia. Pas 3-4 ditësh një zyrë e DASH është shprehur, se janë të gatshëm për të paraqitur prova”.

A mos duhet t’i kërkoni ndjesë ambasadorit Lu…
“Jo, absolutisht jo. Në radhë të parë nuk kam sulmuar asnjë me tendencë e dëshirë. Çfarë i kam kërkuar Lu-së? Atë që i kërkoj çdo kujt, nëse akuzohesh duhet të japësh përgjigje. Edhe pse është më imunitet ai është zyrtar i shtetit amerikan. Nëse Llalla thotë se, më kanë kërkuar ndërprerjen e hetimeve për kompaninë e Soros, ambasadori duhet të shpjegonte”.

Ambasadori Lu është një nga formuesit e dosjes .. 
“Unë nuk merrem me procedurat e rregullat e SHBA. Nuk më takon mua të hyj e të komentoj në veprimtarinë e një qeverie”.

Ambasadori Lu duket se e ka mbështetjen e plotë të DASH, e faktet e tregojnë se ky ambasador ka qenë shumë i drejtpërdrejtë për të akuzuar politikanë … majtas apo djathtas.

“Nuk është ashtu. Ka akuzuar djathtas, 3 herë më shumë se sa Saimir Tahirin apo Edi Ramën. Nuk e ka bërë këtë. Kjo ka qenë një nga kritikat që unë kam bërë në mënyrë konstante. Gjëja më e lehtë është të sulmosh opozitën. Opozita nuk është bërë pengesë në reformën në drejtësi. Opozita ka dhënë kontribut historik në ato ndryshime kushtetuese. Nëse ato do të miratoheshin siç u formuan, drejtësia do të kthehej në një degë të ekzekutivit shqiptar. Por me Komisionin e Venecias e me këmbënguljen tonë, ato u kthyen në kushtetueshmëri”. 

Megjithëse konsideroheni si politikani më sovranist, edhe ju keni ceduar…
“Në qëndrimet e opozitës kundër ndaj të gjithë atyre përpjekjeve për ta kthyer drejtësinë në degën e ekzekutivit, ka qenë kryetari i opozitës. Kjo nuk është ashtu siç thoni ju. Kryetari i opozitës ka ruajtur një dialog konstant me ambasadorët, veçanërisht ambasadorin Lu dhe ai ka mbajtur një qëndrim konstant”.

Paloka tha se për 18 majin na kërcënuan ndërkombëtarët. Pyetja ishte se, nëse ju nuk jeni të kapur, atëherë kërcënimet bien…

“Sali Berisha absolutisht ka qenë për marrëveshje. Sado që ju mund të thoni, se mes asaj që të shkohet në zgjedhje pa opozitën dhe të shkohet në zgjedhje me atë marrëveshje, unë kam qenë me marrëveshjen. Shkuarja në zgjedhje pa opozitën është një gjëmë me pasoja të paparashikueshme për vendin”. 

A është e vërtetë se në këtë marrëveshje ka ndikuar një telefonatë…
“Para Hoyt Yee, erdhi një politikan brilant, McAllister. Ata punuan më shumë për dështimin e asaj marrëveshje. Unë isha vetëm për suksesin e tij, por mënyra se si u organizua ajo vizitë ishte e bërë për të dështuar. Erdhi Hoyt Yee e na tha se ne nuk kemi bërë deklaratë. BE e ka bërë, por ne nuk e bëmë, por mund të detyrohemi ta bëjmë që zgjedhjet mund të bëhen pa opozitën. Bojkoti i zgjedhjeve është preludi e skenarëve më të zi për një komb. Çfarë bëri diplomati? Ai zgjeroi paketën Mcallister në Mcallister+. Kishte një qëndrim të prerë se, nëse nuk e bëni, ne do të bëjmë deklaratën. Çfarë ndodhi? U bënë përpjekje edhe këtu për ta dështuar, por kjo nuk ndodhi. U bë marrëveshja. Kjo ishte një fitore e padiskutueshme e PD-së dhe kryetarit të saj. Të tjerët thotë që ishte katastrofë, por unë mendoj ndryshe. Një javë pas marrëveshjes sondazhi italian, tregoi rritjen e PD nga 31 në 36 për qind”.
Sigal