Bedri Çoku: Më bëni edhe njëherë nuse!

560

U lanë të lirë kriminelët të strukeshin përkohësisht nëpër qoshet e errëta të Shqipërisë, bira të cilat ata i njihnin më mirë se cilido, apo të strehoeshin nëpër shtetet me predispozita antishqiptare, me qëllim për të pritur kohën e qeverisjes “as demokraci, as komunizëm”

Sigal

Fakti që tek asnjë parti nuk ekzistojnë ende në programet e tyre elektorale, elementë kryesorë të Shtetit të së Drejtës, domosdoshmëri kjo për të vendosur ekonominë formale dhe respektimin të të Drejtave të Njeriut, tregon se lakmia e vazhdimësisë së deritanishme, për ta mbajtur peng Shqipërinë, e cila lundron mbi një anije të shkatërruar, ku ligjin e bëjnë të fortët, të pasurit e paligjshëm dhe, mbi gjithçka

Humbja e PD më 23 qershor 2013, u bë e domosdoshme, por nuk pritej një humbje aq e shëmtuar. Dorëheqja e ish-kryeministrit Sali Berisha ishte një veprim,  jo aq për paaftësitë e tij si drejues i shtetit dhe i qeverisë, por ngase ai, e kuptoi se nuk mund të arrinte tashmë realizimin e reformave më të rëndësishme e të domosdoshme, pikërisht ato që ia kërkonin me ngulm shqiptarët dhe ndërkombëtarët : “Ndërtimin e Shtetit të së drejtës, i cili do të vendoste drejtësinë e munguar e të shumë pritur nga shqiptarët dhe rregullin e Rendit të Ri, Pluralist. President dhe Kryeministër, përgjatë katërmbëdhjetë viteve në pushtet, si lider i një force me atribute politike e morale, ndoshta ishte i dëshiruar për t’i realizuar reformat, por nuk i bëri. Arsyet pse nuk i realizoi ato janë të shumta, por unë do të kujtoj, me këtë rast, më të rëndësishmet e më të prekshmet nga populli shqiptar i martirizuar nga regjimi i dhunshëm për 45 vjet, i cili, edhe pas 23 vjet i lirë, vazhdonte të qëndronte në istikamet e blinduara komuniste dhe antikomunste, prej të cilëve rrjedh ende gjaku dhe loti i qindra mijëra shqiptarëve të ndëshkuar nga ‘diktatura e proletariatit’.

Fakti që tek asnjë parti nuk ekzistojnë ende në programet e tyre elektorale, elementë kryesorë të Shtetit të së Drejtës, tregon se lakmia e vazhdimësisë së deritanishme, për ta mbajtur peng Shqipërinë, e cila lundron mbi një anije të shkatërruar, ku ligjin e bëjnë të fortët, të pasurit e paligjshëm dhe, mbi gjithçka

Nuk dua t’u referohem thënieve të njerëzve të ditur, apo politikanëve të shquar për të përcaktuar çka ka ndodhur e po ndodh në Shqipëri në këto shtatë dekada komunizëm dhe neokomunizëm. Më mirë sa e dimë ne, shqiptarët, që e vuajtëm diktaturën komuniste, si asnjë popull tjetër në botë, këtë nuk mund të na i përkufizojë kurrkush, as tani, pas tridhjetë vjetësh përpjekjeje për t’u ndarë nga tentakulat e regjimit të egër që lamë pas… Pikërisht këtyre tentakulave komuniste nuk arriti t’u shpëtonte qeverisja demokratike  pasi nuk mundi të gjente rrugën e duhur dhe njerëzit e duhur, të përkushtuar, për demokracinë dhe Shtetin  e së Drejtës. Madje, ç’ka tregoi koha e qeverisjes demokratike, vetë lideri nuk ishte i duhuri për të realizuar këtë kapërcim epokal, përmbysjen reale të komunizmit. Sepse nuk ndodhën ato “dy ngjarjet” e bujshme e të domosdoshme në Shqipëri, pas fitores së “Opozitës Antikomuniste” më 1992, kryesuar nga Partia Demokratike, e formatuar nga studentët e universitetit “Enver Hoxha”, së bashku me pedagogët e këtij universiteti, me moton: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” …

Lum ajo gjeneratë e këtij populli, që do të jetë e aftët të vendosë se : “Më mirë me Shtetin Ligjor dhe të së Drejtës, se sa mbi një anije piratësh që endet kuturu!”

Me orientimin perëndimor, Partia Demokratike dhe parti të tjera të vogla, opozitare, të ligjëruar nga partia marksiste-leniniste, që e dorëzoi pushtetin pa luftë, gjasme për të ndihmuar ndërtimin e një shoqërie të re, pas 45 vjetësh diktaturë, gëzoi edhe mbështetjen e fuqishme, morale e fizike të shtresës reale antikomuniste, e cila po dilte nga izolimi i gjatë nëpër burgjet dhe kampet e internimeve politike, të pronarëve të shpronësuar me dhunë, ish – kulakëve, të shpallur të tillë sipas modelit stalinist, të intelektualëve dhe artistëve të persekutuar ose jo, të klerit katolik, klerit ortodoks dhe atij mysliman, pra të një shumice të madhe të popullit, me ndjenja atdhetare e antikomuniste. Një mbështetje kjo njerëzore e morale e jashtëzakonshme për të realizuar, përmjet reformave të pritshme përmbysjen e vërtetë të regjimit tashmë të degraduar, me pasoja të rënda ekonomike e politike. Por cilat duhet të ishin “ato dy ngjarjet” e bujshme dhe kryesore për të përmbysur moralisht  e fizikisht një regjim të egër, barbar, në kohë paqe, nisur dhe nga përmasa e vogël e popullsisë sonë, pas fitores historike  plebishitare të vitit 1992 ?.. E para dhe urgjente ishte shkatërrimi i institucionit dhe dënimi i krerëve të Sigurimit të Shtetit, që me veprimet e tyre kriminale dhe antishqiptare, ia kaluan edhe esesëve gjermanë  m’u në mes të një Europe të lirë  e paqësore. E dyta, arrestimi dhe dënimi politik i drejtuesve kryesorë të Partisë së Punës së Shqipërisë, sipas rregullave dhe ligjeve ndërkombëtare, për genocid e krime të tjera politike dhe ekonomike. Pasi të ndodhnin këto dy veprime nga ana e qeverisë demokratike, me mbështetjen e hatashme mbarëpopullore, të vazhdonte me abrogimin e ligjit famëkeq,  tejet komunist, 7501, i vendosur më 1991 nga qeveria komuniste, i cili  shkelte në mënyrë flagrante të drejtat legjitime të ish-pronarëve, për tokat e grabitura me forcë nga shteti antiligjor i ardhur në pushtet me fuqinë e armëve, dhe arrihej edhe decentralizimi i bujqësisë, e cila edhe sot e kësaj dite, ka mbetur e centralizuar, jo nga padija, por nga prapamendimi, për të mos u dhënë përparësi shtresave të dhunuara, të grabitura me dhunë, konkretisht pasaardhësve të tyre…Fatkeqësisht këto nuk ndodhën…

 

Edhe ato pak dënime me burg, që iu dhanë krerëve drejtues të Partisë së Punës, për fajësi të sajuar, jo për ato çka kishin bërë, por për ato ç’ka ata nuk kishin bërë. Pra, nuk morën dënimet morale dhe fizike për krimet monstruoze të bëra përgjatë 45 viteve, por u dënuan për abuzime me kafenë e shpërdoruar më tepër ngase ua lejonte ligji i kohës….Që këtu filloi banaliteti i trajtimit politik të historisë së diktaturës komuniste dhe i asaj që po krijonte qeveria e re opozitare – demokratike…

U lanë të lirë kriminelët të strukeshin përkohësisht nëpër qoshet e errëta të Shqipërisë, bira të cilat ata i njihnin më mirë se cilido, apo të strehoeshin nëpër shtetet me predispozita antishqiptare, me qëllim për të pritur kohën e qeverisjes “as demokraci, as komunizëm” dhe mundësinë për veprime subversive, të sigurtë, se s’do të ishte e largët dita kur, së bashku me pinjojtë e tyre të arsimuar me  pasurinë e popullit të shpërdorur, në ikje, tashmë, për t’u rikthyer në pushtet….!!! Një shprehje e popullit thotë: “Babai i mirë vlerësohet nga ajo çfarë u lë fëmijëve prapa”. Me të drejtë, shqiptarët sot pyesin: “Ç’lanë prapa partitë e ashtuquajtura demokratike, antikomuniste,  në këto tridhjetë vjet pluralizëm?”… Lanë pronarët e shpronësuar me dhunë nga diktatura dhe kulakët po aq të varfër e të paintegruar, siç ishin para 1992-shit, madje edhe pasi hyri në fuqi Kushtetuta e 1998-tës, që ua njihte të drejtën e pronës së blerë, të trashëguar, apo të dhuruar, para vitit 1944; lanë klerikët pa pronat e tyre të tjetërsuara nga regjimi komunist dhe, mbi të gjitha, lanë ortodoksët shqiptarë pa të drejtën e tyre për të pasur Kishën Autoqefale, të ndërtuar me sakrifica nga liderët e shquar të shqiptarizmës. Lanë të burgosurit dhe të internuarit politikë të padëmshpërblyer, ose të shpërblyer për punët e mëdha të kryera me dhunë, në çdo cep të Shqipërisë, jo si të “deklaruar të pafajshëm” nga parlamenti pluralist i vitit 1991, me vlerë monetare  të përcaktuar nga ligji, për të gjithë ish të dënuarit , që fitojnë pafajësinë, por me një rrogë, fatkeqësisht, sikur të ishin ca varfanjakë të mbetur rrugëvë…Lanë Enver Hoxhën, diktatorin më të egër në historinë e popullit shqiptar dhe në Europë me të gjitha atributet dhe dekoratat e marra për luftën kolaboracioniste me serbët e rusët dhe si diktator e terrorist në kohë paqe, për bashkëkombësit e vet…

Flitet shpesh për liderët që bënë historinë e kapërcimit të Shqipërisë nga diktatura në pluralizëm, në vitet ’90, me gjasë se ata shmangën luftën civile në Shqipëri, e cila parashikohej të ishte e përgjakshme. E ndjekur me forcë kjo demagogji nga politikanët poskomunistë, me ose pa pushtet, sa herë që u jepej mikrofoni në dorë, sidomos nëpër panelet e debateve politike, të shitur apo të blera nga bosët  neokomunist… Përkundrazi, po të ishte vendosur Shteti i së DREJTËS, shqiptarët  nuk do të ishin katandisur në derëbabashuar, ikanakë dhe banorë nëpër burgjet e Europës dhe më tej.

Fakti që tek asnjë parti nuk ekzistojnë ende në programet e tyre elektorale, elementë kryesorë të Shtetit të së Drejtës, domosdoshmëri kjo për të vendosur ekonominë formale dhe respektimin të të Drejtave të Njeriut, tregon se lakmia e vazhdimësisë së deritanishme, për ta mbajtur peng Shqipërinë, e cila lundron mbi një anije të shkatërruar, ku ligjin e bëjnë të fortët, të pasurit e paligjshëm dhe, mbi gjithçka,  të tremburit nga e kaluara e tyre mëkatare, është një fakt i pakundërshtueshëm. Nëse shqiptarët nuk e kanë kuptuar se, edhe pas tridhjetë  vjetësh, nuk kanë mundur të formatojnë Shtetin e tyre të domosdoshëm për t’u integruar, së pari, me njeri-tjetrin, pastaj me Europën, pas gjysmë shekulli të dërrmuar e saktuar artificialisht nga ideologjia komuniste, me  dëme njerëzor e vlera morale, vendi nuk ka për të gjetur qetësi dhe varfëria do të vazhdojë të jetë gangrenë e përhershme për pjesën më të madhe të tyre. Janë mashtrues dhe hileqarë ata që trumbetojnë paqen sociale pa shtetin e së drejtës. Pa “shkuar haka tek i zoti” dhe “pa u dënuar krimet e komunizmit”, shqiptarët nuk do të integrohen me njeri-tjetrin, as edhe në Komunitetin Europian: Bashkimi me Europën nënkupton Shtetin i së Drejtës, popull i lirë, në paqe dhe mirëqenien sociale! Ata që nuk e duan Shtetin e së Drejtës janë pikërisht ata që vendosin vazhdimisht shkopinj nën rrota për të mos u integruar shqiptarët me veten dhe Europën… Ndaj them se, cilido që i ka kuptuar gabimet e veta në politikë bërje dhe i kërkon popullit ta bëjë “…edhe njëherë Nuse”, le t’i njohë këto gabime dhe të premtojë se “Nusja do të mbajë premtimet dhe do t’i shërbejë familjes së madhe shqiptare me devotshmëri”!

Lum ajo gjeneratë e këtij populli, që do të jetë e aftët të vendosë se : “Më mirë me Shtetin Ligjor dhe të së Drejtës, se sa mbi një anije piratësh që endet kuturu!”