BE: Tirana të japë prova të ndëshkimit të zyrtarëve të lartë

497
Sigal

Dokumenti konfidencial për
Shqipërinë që pret në 9 nëntor rekomandimin e Komisionit Europian

Nga Arta Tozaj, Bruksel

Vendi inkurajohet të
intensifikojë përpjekjet “për të ngritur gjurmë provash solide për hetimet,
ndjekjet dhe dënimet përfundimtare në luftën kundër çdolloj forme të krimit të
organizuar” dhe të sigurojë “ndjekje gjyqësore efiçente të procedimeve penale,
si dhe të rrisë cilësinë e padive dhe hetimeve”

 

“Shqipëria është në një moment të
veçantë që imponoi dhe angazhimin tim të drejtpërdrejtë e praninë time në
Këshillin e sotëm,” justifikoi Rama pjesëmarrjen e tij të parë në Këshillin e
Stabilizim-Asocimit. Nga ana tjetër, pala europiane përgjigjej me nivelin e Përfaqësueses
së Lartë të BE-së, çfarë rrëzonte praninë e Presidencës Sllovake (e përfaqësuar
në këtë takim me diplomatin që mbulon Ballkanin), përgjegjëse për përpilimin e
agjendës së Këshillit të BE-së që merret me çështjet e zgjerimit, në dimër. Për
pasojë, Mogherini vetëm mundi të përsërisë vendosmërinë e Brukselit për nisjen
e negociatave të anëtarësimit, porsa vendi të përmbush kënaqshëm 5 prioritetet
kyçe, ndër të cilat, më thelbësorja, reforma në drejtësi, por mbetet për t’u
parë humori i vendeve anëtare të BE-së për Shqipërinë deri në dhjetor. Edhe pse
ministri i jashtëm i Sllovakisë, Lajçak, është shprehur publikisht në favor të
vendim-marrjes pozitive të Këshillit të BE-së, brenda mandatit të presidencës
sllovake, për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ka zëra
se pakënaqësitë e tij në lidhje me Fondin Ballkanik mund të ndikojnë jo për
mirë ndaj Shqipërisë.

Insistimi gjerman fokusohet te 5
prioritetet e BE

Në anën tjetër, Gjermania
insiston se Shqipëria duhet të vazhdojë të jap “dëshmi gjurmësh solide në 5
prioritetet kyçe për nisjen e negociatave, veçanërisht për sundimin e ligjit“,
siç përfshin qëndrimi i përbashkët i vendeve anëtare të BE-së, i miratuar përpara
votimit të Kuvendit të reformës në drejtësi. Dokumenti konfidencial përsërit se
“paanshmëria, pavarësia, transparenca, efiçenca, profesionalizmi dhe
llogaridhënia e sistemit gjyqësor janë elementë qendror për vlerësimin e
kriterit politik për negociatat me BE dhe kyç për të siguruar respektimin e
sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar“.

Ndëshkimi i shtetarëve të lartë

Qëndrimi i përbashkët i vendeve
anëtare, një pjesë e vogël e së cilës është përfshirë në deklaratën e
përbashkët publike, vlerëson se” gjurmët e provave për ngrirjen dhe konfiskimin
e pasurive të siguruara ilegalisht, mbeten shumë të ulëta“. Vendi inkurajohet
të intensifikojë përpjekjet “për të ngritur gjurmë provash solide për hetimet,
ndjekjet dhe dënimet përfundimtare në luftën kundër çdolloj forme të krimit të
organizuar” dhe të sigurojë “ndjekje gjyqësore efiçente të procedimeve penale
si dhe të rrisë cilësinë e padive dhe hetimeve”.

Mungojnë hetimet për krimet
financiare

Ndërsa mirëpret rezultatet e
fundit konkrete në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe trafikut
të drogës, BE vëren se “nevojiten përpjekje të mëtejshme për të zbërthyer
rrjetet kriminale të trafikantëve të drogës” dhe kujton se “hetimet për rastet
e trafikut të drogës duhet të shoqërohen sistematikisht nga hetimet paralele
financiare“. Masa ligjore dhe politika efektive kërkohen për zbatimin e të
drejtave të pronës e forcimin e mbrojtjes për të drejtat e njeriut dhe të
politikave kundër diskriminimit. Edhe pse liria e shprehjes respektohet në
përgjithësi, Shqipëria ftohet “të zbatoje dispozitat ligjore mbi shpifjen e
dekriminalizimin dhe të sigurojë zbatimin uniform të nenit 10 të Konventës
Europiane për të drejtat e njeriut”.

Forcimi i pavarësisë së mediave

Kërkohet forcim i kapaciteteve
dhe pavarësisë për rregullatorin e medias audio-vizuale dhe transmetuesin
publik, si dhe vendi ftohet të “paraqesë legjislacionin mbi reklamat
shtetërore, që përputhet me standardet ndërkombëtare”. Marrëdhëniet ndëretnike
mbeten të mira dhe Shqipëria çmohet, si në këtë dokument, ashtu dhe në të dy
takimet e KSA-së, për rolin e saj konstruktiv në rajon dhe përshtatjen e plotë
të politikës së jashtme dhe të sigurisë me BE-në.

Zgjedhjet parlamentare, test i
rëndësishëm për pozitën dhe opozitën

Edhe në rastin e një rekomandimi
pozitiv të Komisionit Europian, në 9 nëntor, Shqipëria mund të nisë bisedimet e
anëtarësimit me BE-në, me shumë gjasë, vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve të
verës, në fund të 2017. Ekzekutivi Europian parashikon të publikojë edhe
ndryshimet e strategjisë së zgjerimit të Unionit, ku ndërmjet të tjerash,
pritet që raportet specifike të progresit për vendet e Ballkanit e Turqinë të
publikohen një herë në dy vjet dhe jo për vit, si deri më tani. Kështu që, nëse
vendi nuk arrin të nisë bisedimet e anëtarësimit deri në Dhjetor të vitit të
ardhshëm, do të humbiste edhe një vit kohë në këtë proces, deri në 2019 kur do
të vijonte shqyrtimi i radhës për vendin.