Nuk ka probleme me pasurinë, gjyqtarja Manjola Xhaxho drejt rikonfirmimit në detyrë

670
Trupa gjykuese e KPK, njoftoi gjatë seancës dëgjimore për gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës Manjola Xhaxho, njëkohësisht kandidate për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, se nuk i gjeti asaj probleme me pasurinë. Xhaxho po ashtu mori vlerësim pozitiv edhe nga institucionet ndihmëse, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe vlerësim profesional pozitiv.
Gjykatësja e cila, siç doli nga shqyrtimi jeton në një apartament 2+1, i cili ishte blerë prej saj në vitin 2000 dhe dhuruar prindërve në vitin 2011, u shpreh se ishte dakord me rezultatin e hetimit administrativ. “Jam dakord me gjetjet e KPK-së, nuk kam asnje objeksion. Sigurisht që kërkoj konfirmimin në detyrë”, tha ajo.
I vetmi problem i ngritur për Xhaxhon, e cila është prej 16 vjetësh gjykatëse në Tiranë, ishte mungesa e deklaratës së interesave personale në vitin 2006, por gjykatësja shpjegoi se gjatë atij viti kishte qenë me studime jashtë vendit.
KPK tha se nga hetmi administrativ rezultonte se subjekti nuk kishte pasuri tjetër dhe se deklarimet e gjykatëses ishin vërtetuar. Relacioni po ashtu vuri në dukje se ndaj Xhaxhos kishte pasur dy ankesa, hetimi i tyre nuk kishte gjetur shkelje, shkruan Reporter.al.
Prej 16 vitesh gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, Manjola Xhaxho është bërë pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të saj për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Analiza aritmetike e pasurisë e bërë nga BIRN, gjeti se Xhaxho është ndër të pakëtat gjyqtare që ka shënuar zvogëlim të pasurisë së saj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016. Vendimi për gjykatësen do të jepet më 14 maj.


Sigal