Nishani me liderët politik: Nuk do të reshtë së kontribuuari për Kosovën

472
Në kuadër të vizitës në Kosovë, Presidenti Bujar Nishani ka zhvilluar takimet me krerët e disa partive politike atje, si kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, të Nisma-s, Fatmir Limaj dhe Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Kreu i shtetit çmoi në mënyrë të veçantë tejkalimin me shumë dinjitet të sfidës me të cilën u përball padrejtësisht zoti Haradinaj duke i përcjellë atij përkrahjen e plotë të institucioneve dhe të qytetarëve shqiptarë.

Presidenti Nishani theksoi se Kosova ka bërë përparim shumë të madh në të gjitha drejtimet, duke qenë i bindur se të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë të Kosovës do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet më të mira në shërbim të Kosovës dhe çështjes kombëtare.

Ai u ndal edhe në domosdoshmërinë e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë dhe efikas të institucionalizuar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, duke hartuar një platformë konkrete dhe të matshme pune në dobi të qytetarëve dhe të çështjes sonë kombëtare.

Presidenti Nishani duke shprehur edhe njëherë i nderuar dhe mirënjohjes për titullin e lartë të akorduar nga Presidenti Thaçi, siguroi se nuk do të reshtë asnjëherë së dhëni kontributin e tij për Kosovën dhe çështjet kombëtare.

Presidenti Nishani zhvilloi një takim edhe në Komunën e Prishtinës, ku u takua me Kryetarin Shpend Ahmeti. Ai vlerësoi punën e kryekomunarit Ahmeti, duke e konsideruar pushtetin lokal si një hallkë kyçe dhe e pazëvendësueshme e ballafaqimit me shqetësimet dhe problemet e qytetarëve.

Presidenti shprehu kënaqësinë për lidhjet e ngushta që janë ndërtuar që herët ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, që do t’i shërbejë shkëmbimit të përvojave më të mira dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj kryeqytetasve në të dyja vendet tona.
Sigal