BE-ja “ngrin” hapjen e kapitujve me Shqipërinë

34
Sigal

Bashkimi Evropian, nuk ka vendosur një datë për hapjen e kapitujve për Shqipërinë ku 2 janë çështjet kryesore; situata politike dhe rasti “Beleri”. “Këshilli rikujton se dialogu politik gjithëpërfshirës dhe konstruktiv në vend mbetet thelbësor për të çuar përpara miratimin e reformave të lidhura me BE-në”. Ja 9 detyrat për Tiranën zyrtare: Bashkëpunimi me OLAF për krimin dhe korrupsionin pavarsisht emrit të zyrtarëve, Mbrojtja e Lirive Themelore, E Drejta e Pronës, Rregjistrimi Kombëtar, Migracioni në përputhje me politikën e vizave të BE-së, Ekonomia, Fqinjësia e mire dhe Parlamentarizmi

Bashkimi Evropian, nuk ka vendosur një datë për hapjen e kapitujve për Shqipërinë ku mesa duket dy janë çështjet kryesore, situata politike në vend dhe rasti “Beleri” që kanë ndikuar në mos dhënien e një date se kur duhen hapur kapitujt e tjerë për Shqipërinë. Në konkluzione “Këshilli rikujton se dialogu politik gjithpërfshirës dhe konstruktiv në vend mbetet thelbësor për të çuar përpara miratimin e reformave të lidhura me BE-në”.

Bashkëpunim me OLAF
Edhe pse ka vlerësuar arritjet dhe rezultatet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për bashkëpunimin e mirë, të vazhdueshëm me agjencitë e zbatimit të ligjit të BE-së dhe shteteve anëtare, BE ka kërkuar që Shqipëria të ketë një bashkëpunim të shtuar për hetime e OLAF. “Përpjekjet për të krijuar një histori solide në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vazhdojnë. Nevojitet gjithashtu bashkëpunim i shtuar në hetime, duke përfshirë Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit”.

Mbrojtja e lirive themelore
Këshilli i bën thirrje Shqipërisë që të vazhdojë përpjekjet e saj për të forcuar më tej mbrojtjen e të drejtave themelore, lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes, si dhe të drejtat e personave, që u përkasin pakicave.

E drejta e pronës
Këshilli inkurajon zbatimin e një reforme gjithpërfshirëse të sektorit të tokës dhe konsolidimin e të drejtave të pronësisë në një mënyrë transparente, duke përfshirë mbajtjen e konsultimeve me të gjithë aktorët përkatës, duke përfshirë adresimin e rasteve të falsifikimit të dokumenteve dhe avancimin e shpejtë të procesit për regjistrim dhe kompensim.

Rregjistrimi Kombëtar
Këshilli thekson se Shqipëria duhet të përfundojë të gjitha proceset, që lidhen me regjistrimin kombëtar në transparencë të plotë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Emigracioni
Këshilli thekson se Shqipëria duhet të vazhdojë të përditësojë kuadrin ligjor për emigracionin me acquis të BE-së. Duke njohur progresin e bërë, Këshilli nxit Shqipërinë të përmbushë angazhimin e saj për të harmonizuar politikën e vizave të BE-së.

Ekonomia
Këshilli mirëpret qëndrueshmërinë dhe rimëkëmbjen e fortë të ekonomisë shqiptare dhe inkurajon Shqipërinë të vazhdojë përpjekjet për të përmbushur më tej kërkesat e tregut të brendshëm të BE-së dhe për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda Bashkimit.

Fqinjësia e mirë
Këshilli mirëpret angazhimin e vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë në bashkpunimin rajonal. Këshilli vëren se marrdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit, si dhe të Procesit të Stabilizim-Asociimit.

Parlamentarizmi
Këshilli inkurajon të gjitha partitë në parlament që të fokusohen në avancimin e reformave të lidhura me BE-në dhe procesin e anëtarësimit në BE.

Këshilli shprehu gadishmërinë për hapjen e grupit të parë negociues sa më shpejt të jetë e mundur, në përputhje me Kornizën Negociuese.