Skandali, drejtorët ndajnë paratë me ministrat dhe deputetët

443
Sigal

Korrupsioni ka mbuluar çdo qelizë të institucioneve të shtetit. Një vend pune shitet nga 2 mijë deri 8 mijë euro

Korrupsioni shihet qartë se ka mbuluar çdo qelizë të institucioneve të shtetit, dhe është pothuajse e pamundur të luftohet edhe nga organet e drejtësisë. Korrupsioni ka mbuluar gjithçka, zyrat e komunave, të bashkive, strukturat vendore e qendrore të shtetit. Ajo që deri para pak muajsh mendohej se ishte e pamundur, tashmë nuk ka asnjë mëdyshje se është realitet. Drejtorët e emëruar nga dy forcat e majta të koalicionit, i ndajnë paratë me ministrat dhe kohët e fundit edhe me deputetët. Në Durrës ky fenomen tashmë është kthyer në rutinë të zakonshme. Drejtorët (shumica e tyre peng i emërimeve antiligjore) u binden verbërisht çdo urdhri dhe sms që vjen nga ministri që e ka emëruar. Ai punëson, emëron, shkarkon dhe qarkullon cilindo që emrin e ka tek sms e ministrit, dhe kjo natyrisht bëhet kundrejt parave. Nuk ke shansin të futesh në një vend pune, të emërohesh, qarkullosh në rast se ti nuk paguan. Vlera e një vendi pune minimalisht ka vajtur 2 mijë euro, dhe maksimalisht 8 deri 10 mijë euro. Kjo vlen edhe kur dikush shkarkohet dhe largohet dhe vendin e tij e zë emir i preferuar nga eprori. Ajo çfarë po ngjet me drejtorët në Durrës, i ngjan një filmi serial të turpshëm, pasi gjithçka inskenohet dhe dirigjohet nga “njerëzit” e besuar të ministrit, dhe së fundi edhe të deputetit. Korrupsioni ka mbërthyer Drejtoritë Arsimore, Portin, Qarkun, Ujësjellësin, Postën, Parkun e Autobusëve, Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit, Drejtorinë e Bujqësisë, dhe natyrisht edhe institucionet e drejtësisë dhe shëndetësinë që janë pararojat. Vetëm në 2 muajt e fundit drejtorët e LSI dhe PS në Durrës kanë larguar dhe punësuar nga ndërmarrjet e tyre mbi 480 persona, dhe kaq mjafton të llogaritësh gjobat që janë dhënë e vazhdojnë të jepen për rikthimin apo punësimin e militantëve. Askush nuk pyet për kredibilitetin tënd politik e partiak, askush nuk pyet për votat që ke dhënë në 23 qershor 2013, pasi gjithçka quhet si “kohë e largët”. Duhen vetëm para, asgjë tjetër. Por duket se në këtë lojë të ndyrë po futen tek-tuk edhe deputetët. Pavarësisht se drejtorët 1-vjeçar muajt e fundit kishin nisur të mos u hapnin as celularin deputetëve, ishin këta të fundit që pas ankesave tek Rama dhe Ruçi e fituan betejën. Tani emërimet e reja, largimet dhe qarkullimet, ngritjet dhe zbritjet në detyrë, nuk bëhen pa marrë edhe bekimin e deputetëve të zonave zgjedhore. Në pothuajse të gjitha ndërmarrjet e mëdha dhe të mesme, janë larguar nga rojet e objektit, shoferët e deri tek shefat e sektorëve dhe specialistët. Të gjithë të rinjtë e marrë në punë kanë paguar para, pavarësisht se tek i pyet shprehen se, “jooo, hyra pa paguar asnjë lek”. Nuk ke shansin të kapësh një vend pune pa paguar. Edhe pse trumbetohet me të madhe “konkursi dhe meritokracia”, askush deri sot në Arsim, Shëndetësi, Port, Ujësjellës, Qark, punëtor pastrimi dhe gjelbërimi, apo te Mirëmbajtja -Rruga, nuk ka patur shansin të mos ketë dhënë para. Madje, janë vetë drejtorët që deklarojnë se, “e kam blerë postin, nuk pyes për njeri”, çka do të thotë se punësimet e reja bëhen vetëm me para. Pavarësisht se u deklarua se, “drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave do ti nënshtroheshin konkurseve”, deri sot as nuk është bërë dhe as nuk ka ndërmend të bëhen konkurse të tilla. Gjithçka është fiktive dhe mashtrim. Drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave janë emëruar qysh gjatë muajve qershor-korrik, dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Gjatë muajve të verës, u bë “konstituimi” i postit të tyre. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Postën, Qarkun, Prefekturën, Bashkinë, ndërmarrjet e tjera, ku spastrimet nuk kursyen edhe militantët socialistë, që “kishin punuar me Berishën”. Për ta mbajtur vendin e tyre edhe militantët e PS që u gjetën në vende pune, paguan gjoba të majme tek drejtorët e rinj. Gjithçka e ka mbuluar paraja. Kudo bëhen pazare, largohen “pabuksat” siç quhen rëndom ata që nuk paguajnë, dhe emërohen njerëzit e listave pasi kanë derdhur gjobat. Kjo situatë ka mbi 1 vit e gjysmë që po shkatërron institucionet, duke krijuar kaos, ankth e panik tek të punësuarit që mund ta humbin vendin e punës në çdo moment, dhe pasojat i vuajnë qytetarët, që nuk marrin shërbimet e nevojshme, dhe nuk zgjidhin dhe mbarojnë në kohë problemet që kanë. Por diçka tjetër mbetet më shqetësuese për institucionet e shtetit në Durrës, fatura e lartë financiare për tu paguar të qindra të larguarve pagën e 2 viteve pasi kanë fituar proceset gjyqësore në të gjitha shkallët. Gjithçka ja ka lënë vendin mediokritetit dhe babëzisë për të mbushur xhepat me para të pista, pavarësisht se shteti lëngon dhe nuk po ngre krye nga korrupsioni kollareve.