BE: Autoritetet të respektojnë protestën e opozitës më 6 Dhjetor

128
Sigal

Bashkimi Europian ka reaguar në lidhje me tubimin e opozitës shqiptare më 6 Dhjetor, duke e konsideruar protestën si një ushtrim i lirive të ligjshme të qytetarëve. Autoritetet të sigurojnë të drejtën e protestës dhe të samitit për Ballkanin Perëndimor që zhvillohet në Tiranë

Bashkimi Europian e konsideron protestën e thirrur nga opozita në 6 Dhjetor si një ushtrim i lirive të ligjshme të qytetarëve, që duhet të respektohet nga autoritetet pavarësisht se në të njëjtën ditë zhvillohet në Tiranë samiti Bashkimi Europian -Ballkani Perëndimor. Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë është pyetur nga A2CNN mbi zhvillimin njëkohësisht në 6 Dhjetor të këtyre dy aktiviteteve. Përfaqësuesit e Brukselit shpjeguan se presin garantimin e sigurisë së samitit nga autoritetet shqiptare, duke respektuar njëkohësisht protestën e opozitës. “Kjo është hera e parë që samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet në rajon, duke i dërguar një mesazh të fortë Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor për rëndësinë e tyre gjeostrategjike për BE-në. Ne kemi besim se, si mikpritës, autoritetet publike shqiptare do të sigurojnë zhvillimin e sigurt dhe të rregullt të samitit, duke respektuar ushtrimin e ligjshëm të lirive nga qytetarët” ka deklaruar Delegacioni i Bashkimit Europian. Protesta e lajmëruar në datën 6 Dhjetor është e dyta protestë mbarëkombëtare, që thirret nga kreu i PD në pak javë, pasi vetëm më 12 Nëntor qytetarët shqiptarë protestuan në mënyrë paqësore për 4 orë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit përballë godinës së Kryeministrisë. Mazhoranca socialiste ka akuzuar opozitën se me këtë protestë po cënon interesat e vendit dhe sigurinë e samitit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shkelur edhe zakonet shqiptare të mikpritjes. Analistë të shumtë dhe politikanë e kanë konsideruar këtë protestë një ‘prishje të imazhit të Shqipërisë te ndërkombëtarët’. Ndërsa opozita ka garantuar se protesta do të jetë paqësore, me fokus kundër qeverisë, jo miqve europianë. Qytetarë të shumtë, analistë e politikanë kanë deklaruar se protesta është ndaj Qeverisë dhe keqqeverisjes, protesta do të jetë për të treguar edhe Bashkimit Europian se Shqipëria nuk është pro Open Balkan, por pro Procesit të Berlinit. Protesta do të jetë kundër një qeverie që po e boshatis Shqipërinë nga të rinjtë dhe po e varfëron me afera të rënda korruptive. Protesta do të jetë për të treguar se Shqipëria e ka vendin në Europë. Në reagimin e fundit është e qartë që edhe Bashkimi Europian është i bindjes se protesta e 6 Dhjetorit do të jetë një protestë qytetare, që do të arrijë të përcjellë një mesazh të fortë për atë çfarë Shqipëria përfaqëson dhe kërkon nga vetja e nga pushtetarët. Opozita do të jetë përballë një sfide për të treguar që është faktor në vend dhe sot është më e fortë se kurrë në dekadën e fundit.