Kutitë u hapën, PS fiton në 5 bashkitë e vendit. Rikthehet Berisha,“Shtëpia e Lirisë“ merr Shkodrën. Flasin pas fitores për procesin dhe prioritetet: Emiriana Sako, Eriselda Sefa, Bardh Spahia, Rrahim Spahiu, Blerim Shera dhe Edison Memolla
Kutitë u hapën, PS fiton në 5 Bashki të vendit, Rikthehet Berisha “Shtëpia e Lirisë” merr Shkodrën
Ditën e diel u zhvilluan zgjedhjet lokale për zgjedhjen e kryetarëve të gjashtë bashkive në vend. Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votim në të gjashtë bashkitë ishte mesatarisht pranë nivelit 30%.
Në Bashkinë e Vorës, votimi u zhvillua në formë elektronike dhe sipas të dhënave finale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fitues u shpall kandidati i Partisë Socialiste, Blerim Shera, me 69.39% të votave, i ndjekur nga kandidati i Shtëpisë e Lirisë, me 24.33% të votave dhe kandidati Partisë Demokratike, Ymer Marku, me 6.29% të votave. Shkalla e pjesëmarrjes në votime ishte rreth 40%.
Subjekti Shtëpia e Lirisë mori pjesë në zgjedhje nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por bazuar në një marrëveshje politike përfaqëson lëvizjen brenda Partisë Demokratike që përkrah ish-kryeministrin, Sali Berisha.
Numërimi i votave ka përfunduar edhe në Bashkinë e Rogozhinës, ku fitues është shpallur kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla, me 60.7% të votave, i ndjekur nga kandidati i Partisë Demokratike, Ferdinand Saraçi, me 22% të votave dhe kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Hekuran Xhani, me 17.3% të votave. Shkalla e pjesëmarrjes në votime ishte 28.5%.
Edhe në Bashkinë e Lushnjes numërimi ka përfunduar dhe kandidatja e Partisë Socialiste, Eriselda Sefa, ka fituar me 58.8% të votave, e ndjekur nga kandidati i Shtëpisë së Lirisë Elton Bano, me 30.8% dhe kandidati i Partisë Demokratike, Indrit Sefa, me 10.4% të votave. Shkalla e pjesëmarrjes në votime pak më e lartë se 35%.
Numërimi ka përfunduar edhe në Bashkinë e Dibrës. Kandidati Partisë Socialiste, Rahim Spahiu, fitoi me 60.8% të votave, i ndjekur nga kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Premtim Kryemadhi, me 19.5%, kandidati i Partisë Demokratike, Luan Haka me 19.3% dhe kandidati i subjektit Lëvizja e Re, Dritan Torba, me 0.4%. Shkalla e pjesëmarrjes në votim ishte rreth 41%.
Në Bashkinë Durrës deri në orën 13.30 ishin numëruar 334 kuti votimi nga 337 gjithsej. Edhe këtu kryeson me diferencë kandidatja e Partisë Socialiste, Emirjana Sako, me 58.4% të votave, e ndjekur kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Ardian Muka, me 29.7% dhe kandidati i Partisë Demokratike, Luan Hoti, me 11.9%.
Në Bashkinë e Shkodrës deri në orën 13.30 ishin numëruar 224 kuti votimi nga 250 gjithsej. Kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Bardh Spahia, kryeson me 44.2% të votave, i ndjekur nga kandidatja e partisë Socialiste, Majlinda Angoni, me 39.4% të votave dhe kandidati i Partisë Demokratike, Xhemal Bushati, me 16.4% të votave.
Bashkitë: Flasin 6 kandidatët fitues të 6 marsit
Kandidatja e Partisë Socialiste, Emiriana Sako u shpall sot fituese në zgjedhjet për kryetar bashkie në Durrës.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri u shpreh se “falë votëbesimit të qytetarëve Emiriana Sako do vijojë punët transformuese për qytetin dhe shërbimet ndaj komunitetit”.
“Me Emirianën dhe mbështetjen e Kryeministrit, që është edhe deputet i qarkut, i shkojmë deri në fund procesit të rindërtimit dhe e kthejmë Durrësin në qytetin më të rëndësishëm turistik në vend”, tha ai.
Kur ishin numëruar 335 qendra votimi nga 337 në total, kandidatja e PS, Emiriana Sako kryesonte me 39 090 vota, ose 58.46 % të votave.
Kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Ardian Muka ka marrë në total 19 844 vota, ose 29.68 % të votave dhe ai i PD-së, Luan Hoti ka marrë 7928 vota, ose 11.86 % të votave.
Bardh Spahia në Shkodër: Demokratët që humbën rrugën e kanë derën të hapur
Bardh Spahia i koalicionit opozitar ‘Shtëpia e Lirisë’ është zyrtarisht fitues i Bashkisë Shkodër për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Spahia në një deklaratë për mediat falenderoi të gjithë demokratët e qytetarët e Bashkisë Shkodër për vlerësimin që i kanë dhënë duke e votuar. Mbështetësit e Bashës, të cilët i quajti demokratë që për një moment e kanë humbur rrugën e tyre, iu tha se derën tek ai e kanë të hapur. “Falenderoj aleatët tanë për këtë rrugëtim, aleatët e ‘Shtëpisë së Lirisë’, të gjithë gazetarët që transmetuan këtë garë elektorale, dhe trupën e jashtëzakonshme të komisinerëve që mbrojtën vullnetin e qytetarëve shkodranë, shtabin tonë elektoral dhe të rinjtë që i dhanë energji kësaj gare elektorale.”-tha Spahia.Ndër të tjera ai garantoi demokratët se nga nesër do jetë kryebashkiaku i të gjithë banorëve shkodranë. Për ata që nuk zgjodhën ta votojnë, duke iu referuar demokratëve të Bashës, tha se derën tek ai e kanë të hapur në çdo moment.“Fillon një rrugëtim i ri, ndryshim i madh për të gjithë Shqipërinë. Do të zgjidhim të gjithë problematikat. Sot vlerësoj forcën e ndryshimit që garanton vota e lirë. Jemi në ditën ku më shumë se asnjëherë tjetër në 30 vite vumë në piedestal forcën e votës së lirë të qytetarëve shkodranë. Sot është festa e fitores.”-tha Spahia.
Shera: Vora, e vendosur të ndjekë zhvillimin dhe punën
Kandidati i Partisë Socialiste në zgjedhjet për bashkinë e Vorës, Blerim Shera falënderoi qytetarët pas fitores në zgjedhje për kryetar të kësaj bashkiePërmes një mesazhi në ‘Facebook’ Shera u shpreh se, rezultati i sotëm ishte një tregues se Vora është e vendosur të ndjekë zhvillimin dhe punën.“Të dashur miq dhe banorë të Vorës, ju falënderoj nga zemra për besimin dhe mbështetjen tuaj! Sot, më shumë se kënaqësi ndjej përgjegjësi e detyrim të madh ndaj jush. Rezultati i sotëm është një tregues se Vora është e vendosur të ndjekë zhvillimin dhe punën”, shkroi Shera.“Bashkë do e bëjmë Vorën të jetë aq pranë Tiranës në zhvillim sa është në distancë. Na pret një rrugëtim i gjatë, sfidues por me mbështetjen tuaj shumë premtues”, theksoi Shera.
Eriselda Sefa fiton Lushnjen, premton investime
Për të parën herë socialistët do të kërkojnë të vazhdojnë drejtimin e bashkisë së Lushnjes me një grua. Ajo është Eriselda Sefa.Kandidatja e Partisë Socialiste, fituese e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Lushnje, Eriselda Sefa, e cila kryesoi bindshëm në rezultatet e votimit dhe në kutitë e fundit, ka falenderuar qytetarët për besimin që i dhanë për të qenë kryebashkiakja e qytetit të Lushnjes. Ndërsa bashkë me të ndodhej edhe drejtuesi politik i qarkut Taulant Balla, i cili ka premtuar investime. Sefa: Shpreh falenderime dhe mirënjohje. Kam falenderim për të gjithë ata që administruan procesin zgjedhor. Alternativat e mia do të vihen në zbatim.Unë kam filluar të kem një institucion të hapur. Llogaridhënie transparente për shkak të eksperiencës sime të punës prej shumë vitesh. Unë kam mundur të orientoj projektet dhe idetë e institucionit rreth atyre që prek më shumë këta qytetarë.
Rrahim Spahiu : Do bëjmë më të mirën në Dibër
Rrahim Spahiu mori fitoren për kryetar i bashkisë së Dibrës, pasi rezultatet e numërimit deri më tani e nxjerrin kandidatin e PS-së fitues. Në prononcim nga Pallati i Sportit në Dibër, ku po numërohen votat, Spahiu tha se e priste këtë rezultat pasi është pritur shumë mirë nga njerëzit atje.’Ndihem shumë mirë, faleminderit popullit dibran. Besoj se do të bëjë më të mirën për ta. E prisnim këtë rezultat pasi jemi pritur shumë mirë. Votuan prindërit e mi, unë kam gjendjen civile në Peshkopi, por nuk ndodhi të votoja për vete. Ky do të jetë një vit pune. Rruga e Arbrit dhe do bëjmë çmos për të bërë më të mirën.’- tha Spahiu.’Do bëjmë çmos për të bërë më të mirën për qytetarët. Patjetër që do bëjmë gjithçka për ta përmirësuar infrastrukturën e shkollave.’- tha Spahiu.
Memolla: I privilegjuar që t’ju shërbej të gjithë banorëve të Rrogozhinës
Zgjedhjet e pjesshme lokale u mbyllën në Rrogozhinë. Fitues është shpallur Edison Memolla i Partisë Socialiste, i cili ka marrë 5401 vota. “Nuk kam fjalë që mund të përshkruajn ndjesinë që më dhuruat duke votuar masivisht numrin 2 ditën e djeshme,e duke me shpallur fitues të zgjedhjeve të pjesshme lokale 2022,nën logon e Partisë Socialiste.Si një kryetar bashkie tashmë i zgjedhur me votën tuaj,jam i nderuar dhe i privilegjuar që t’ju shërbej të gjithë banorëve të Rrogozhinës.Zoti e bekoftë Rrogozhinën! Tashmë do vijojmë me gjithçka kemi nisur por edhe me punë e projekte të reja pasi nuk kemi kohë për pushim, u shpreh Memolla pas fitores.