Bashkëbisedimi i Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta me gazetarët

468
Është kënaqësi të bëjmë një bisedë të parë në këtë fillim viti pak të vonuar, duke marrë në konsideratë disa nga çështjet më të rëndësishme, për të cilat duhen zgjidhje sa më të shpejta, që do të ndikojnë për ecurinë e reformave dhe të vendit, për stabilitetin e tij, por edhe për vetë procesin e pritshëm të çeljes së negociatave për anëtarësim pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian.
Së pari, do të theksoja rëndësinë e përfundimit të reformës zgjedhore, që është çështja më shqetësuese dhe alarmante, që duhet të ishte mbyllur me kohë, për të cilën, edhe unë, si Kryetar i Kuvendit, kam apeluar dhe insistuar në mënyrë të përsëritur. 
Për fat të keq, edhe pse jemi gati 26 vjet në demokraci, sërish nuk po shkëputemi dot nga tradita e mosdhënies së konsensusit dhe mirëbesimit të plotë, jo thjesht ndaj njëri-tjetrit si forca politike, por, në radhë të parë, ndaj qytetarëve shqiptarë për t’u garantuar standardet më të larta të zgjedhjeve dhe klimën më konstruktive, në mënyrë që ata të votojnë të qetë për atë alternativë që besojnë se do ta çojë vendin më përpara dhe më mirë. 
Sigurisht, çështja e zgjedhjeve është shumë serioze, e cila nuk pret më, dhe në emër të LSI-së, sikurse është konfirmuar më parë edhe nga drejtues të tjerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ne jemi të gatshëm ditën dhe natën, në çdo moment të mbyllemi diku dhe t’u japim zgjidhje përfundimisht të gjitha rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2013 dhe vitit 2015, por edhe për çështjet e ngritura nga partitë, për çdo kërkesë realiste dhe të mundshme, që garanton transparencën dhe legjitimitetin e padiskutueshëm të zgjedhjeve që do të vijnë. Kjo është çështja më e rëndësishme.
Së dyti, dua të vlerësoj edhe një herë hedhjen e shortit për anëtarët e Komisionit të Emërimeve në Drejtësi, si një proces tepër transparent i fillimit të krijimit të institucioneve të reja. Unë dua të shpreh angazhimin e LSI-së për vazhdimin transparent të zbatimit të kësaj reforme dhe të krijimit të të gjitha
institucioneve të reja larg çdo ndikimi jotransparent apo klientelist, të brendshëm apo të huaj, që mund të cenojë deformimin e institucioneve të reja të drejtësisë, besueshmërinë e tyre, por edhe qëllimet e kësaj reforme madhore për vendin për dekadat që do të vijnë. 
Në këtë drejtim, është shumë i rëndësishëm zbatimi transparent dhe i paanshëm i kësaj reforme, i krijimit të institucioneve të reja, njëkohësisht edhe miratimi i vëmendshëm dhe i përgjegjshëm i 27 ligjeve të tjera, që janë në proces, në mënyrë që të mos vendosemi para situatave të papritura në të ardhmen për shkak të çdo lloj spontaniteti. 
Njëkohësisht, dua të theksoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ka vazhdimi i procesit të dekriminalizimit, si një proces jetik për standardin e zgjedhjeve të ardhshme, si një detyrim i të gjitha forcave politike për të garantuar integritetin e përfaqësuesve që do t’u propozohen qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 18 qershorit dhe jo vetëm të atyre, por në çdo institucion dhe post publik, njëkohësisht edhe si një proces shumë i rëndësishëm, që do t’i japë kredibilitet edhe angazhimit të të gjithë aktorëve për reformën në drejtësi në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit.
Natyrisht, është e rëndësishme të mbajnë në vëmendje të jashtëzakonshme këshillimin ekonomik dhe social të vendit, për më tepër kur jemi në marrëdhënie të reja me FMN-në; duhet një punë shumë të rëndësishme që të garantohet edhe më tej besueshmëria e ekonomisë sonë, qëndrueshmëria e saj, përmirësimi i mëtejshëm i parametrave makroekonomikë, përmirësimi i mëtejshëm i klimës së biznesit, si një domosdoshmëri për një rritje më të madhe ekonomike, por edhe për një përfshirje sa më të madhe sociale, sidomos të shtresave që kanë më shumë nevojë, në drejtim të rritjes së punësimit dhe të vendeve të reja të mirëpaguara të punës, në interes të rinjve tanë. 
Në këtë drejtim, LSI-ja shumë shpejt do të fillojë dhe do të institucionalizojë punën për këtë program të ri ekonomik dhe social. Këto ishin disa nga prioritetet e LSI-së.
Tani jam i hapur për pyetje, pasi ju jeni lodhur duke dëgjuar fjalime nga ne, kështu që unë nuk do të lodhem duke dëgjuar pyetje nga ju.
Sigal