Basha ndryshon stilin e fushatës, tani mitingje masive

430
Në takimet e javës së fundit të fushatës elektorale, Partia Demokratike ka ndryshuar format e takimeve me qytetarët. Kryetari demokrat, Lulzim Basha, është shfaqur dje në Berat e Lushnje në mitingje masive dhe u është drejtuar mbështetësve të tij nga një podium. Më parë, Basha i zhvillonte takimet në formën e një diskutimi me qytetarët, por tashmë ditët e fundit të fushatës do të fokusohen te masiviteti. Pikërisht nga Berati, Lulzim Basha u tha qytetarëve të mbledhur në mitingun përmbyllës të fushatës, që të dalin derë me derë, të përhapin lajmin se ndryshimi i madh po vjen. Basha tha se ai është gati të jetë kryeministri i njerëzve, i halleve të tyre, i kërkesave të tyre. “Ne kemi planin, ne kemi vendosmërinë, ne kemi mbështetjen. Edi Ramës nuk ia blen askush premtimet për herë të dytë. E ka kuptuar edhe vetë. Ndaj refuzon çdo përballje. E di se në një përballje dhe një debat do ti duhen vetëm 5 minuta t’i bjerë të fikët para meje dhe para gënjeshtrave të tij. Jo vetëm i ka të shkurtra gënjeshtrat e tij, por nuk e mbajnë as gjunjët më. 1 muaj i iku debatit dhe tani do të zëvendësojë debatin për hallet tuaja me cic-micet me mua. Kjo nuk ka për të ndodhur”, u shpreh Basha. Ai shtoi se një timon fëmijësh do t’ia blejmë Edi Ramës tek tregu e ta largojmë njëherë e mirë se Shqipëria nuk ka nevojë për një kryeministër që mendon vetëm për veten e tij e pushtetin e tij. “Mendon vetëm qejfet dhe tekat e tij, që nuk ndan prioritetet e qytetarëve, por ka vetëm prioritetet e tij. Sepse kjo nuk është lojë. Kjo është jeta e shqiptarëve. Këto janë miliardat e shqiptarëve dhe nuk mund të përfundojnë si xhixha loje për palma e për fasada, e për tenderë e koncesione korruptive. Ndaj me 25 Qershor, na duhet e do të kemi një plan, një ekip dhe një kryeministër që do të ndezë motorin e ekonomisë”, tha Basha.
Sigal