Basha: Largimi i Ramës nga qeveria

517
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kërkoi Kuvendit të veprojë menjëherë për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit. “Prokuroria e Krimeve të Rënda ka njoftuar depozitimin në Kuvendin e Shqipërisë të kërkesës për heqjen e imunitetit, arrestimin dhe kontrollin e banesës të deputetit Saimir Tahiri. I bëj thirrje Kuvendit të veprojë menjëherë. I bëj thirrje Kuvendit të mbledhë menjëherë Komisionin e Mandateve dhe seancën plenare për të vepruar pa vonesë. Çdo minutë, çdo orë vonesë do të shërbejë për shkatërrimin e provave”, deklaroi Basha dje në mesditë. Sipas tij, sot është koha që çdo shqiptar i ndershëm, çdo deputet në Kuvendin e Shqipërisë që ndihet përgjegjës para tyre, të veprojë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. “Arrestimi i Saimir Tahirit është vetëm hapi i parë. Në fakt, që prej këtij momenti, qeverisja e Edi Ramës ka mbaruar de fakto. Çdo ditë e qëndrimit të tij si kryeministër është agoni për të gjithë Shqipërinë. Vetë Edi Rama është sot i vdekur politikisht, një kufomë politike që sillet vërdallë dhe flet si njeri i ç’ekulibruar”, tha Basha. Sipas tij, Partia Socialiste është sot në buzë të greminës nëse nuk shkëputet nga Edi Rama dhe grupi kriminal që ai solli në krye të Partisë Socialiste. “Thirrja ime është për mbledhjen e menjëhershme të Komisionit të Mandateve, dhe të seancës plenare, për të votuar heqjen e imunitetit, që do ti hapë rrugë arrestimit të menjëhershëm të Saimir Tahirit. Thirrja ime është për largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Koha nuk pret”, tha Basha.

“Po prishen provat”
Kryetari demokrat, Lulzim Basha, publikoi gjatë mbrëmjes së djeshme edhe një mesazh, duke pretenduar se prishen provat nga Saimir Tahiri. “Ja si Edi Rama blen kohë për ushtarin e tij ndërkohë që shkatërrojnë provat e krimit: “Zoti Basha, prej 3 netësh në darkë te shtëpia e Tahirit janë mbledhur shumë njerëz që kanë hyrë e kanë dalë. Shumë prej tyre tipa të fortë e të veshur në të zeza! Shtëpia po pastrohet e po krihet me thasë! Ernest Dimashi, Drejtori i IT po pastron laptopin dhe celularët e Saimirit’”, bëri të ditur Basha.
Sigal