Arrestimi i Tahirit, Kuvendi shtyn vendimin

502
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi vendosi ta mbledhë sot në orën 11 Komisionin e Mandateve për kërkesën e prokurorisë. PD: Po fitohet kohë
Kërkesa e prokurorisë për të marrë autorizimin për arrestimin e deputetit socialist, Saimir Tahiri, ka shkaktuar debate politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare. Socialistët vendosën ta shtyjnë për sot marrjen e vendimit, ndërsa opozita deklaroi, se ajo duhet trajtuar sa më parë. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, pranoi dje në mbrëmje, se kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme dhe dosja shoqëruese e kërkesës për arrestimin dhe kontrollin e banesës së Saimir Tahirit ka mbërritur me të vërtetë në zyrën e tij dhe se ai ka urdhëruar ndjekjen e procedurës standard. Megjithatë Partia Demokratike në opozitë deklaroi në mënyrë të përsëritur, se Ruçi dhe mazhoranca socialiste e Kuvendit po shtyjnë procedurat për të fituar kohë dhe për të ndihmuar Tahirin të fshehë gjurmët e mundshme të krimit. “Më lejoni t’ju njoftoj ju dhe nëpërmjet jush, gjithë opinionin publik, se sot (dje), në datën 19 tetor 2017, më është paraqitur pikërisht në orën 17:00 nga strukturat e Kuvendit, kërkesa e bërë nga Prokuroria e Tiranës për dhënien e autorizimit asaj, lidhur me ndalimin e deputetit Saimir Tahiri”, deklaroi Ruçi, ndërkohë që njoftoi se urdhri i tij përfshin thirrjen e Këshillit të Mandateve, ditën e sotme, në orën 11. Në fakt bëhet fjalë, jo për një kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, por të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, i cili është edhe anëtar i Këshillit parlamentar të Mandateve, deklaroi për mediet pak pas konferencës për shtyp të Ruçit, se ai vetë nuk e ka marrë ende kërkesën e prokurorisë dhe dokumentet shoqëruese të saj dhe akuzoi mazhorancën se po përpiqen t’i japin kohë Tahirit për të kryer fshehje të mundshme të provave. “Deri në këtë orë nuk kemi marrë asnjë dokument. Dokumenti ka mbërritur në Kuvend në orën 12 të drekës”, tha Strazimiri duke kundërshtuar pretendimet e Ruçit se kërkesa i ka mbërritur në orën 17 dhe se atij i qe dashur dy orë kohë për t’u konsultuar.

Më herët gjatë ditës së djeshme, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi se vonesat në heqjen e mandatit të Tahirit dhe lejimit të prokurorisë për të kryer kontrolle në banesën e tij bëhet me synimin për të fshehur gjurmët e mundshme inkriminuese. Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm në periudhën 2013-2017, akuzohet për lidhje me grupin e trafikut ndërkombëtar të drogës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj. Tahiri është vetëdeklaruar i pafajshëm në mënyrë të përsëritur, por Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur dje se ka kërkuar leje nga Kuvendi për arrestimin dhe kontrollin vetjak e të banesës së tij.

Saimir Tahiri u largua pranverën e shkuar nga detyra e ministrit të Brendshëm, në momentin që kryeministri vendosi të ndryshojë 4 anëtarë të kabinetit. Megjithatë, ai drejtoi fushatën e PS-së në Tiranë, është anëtar i kryesisë dhe koordinator kombëtar për bashkëqeverisjen. 
Çfarë parashikon ligji?
Prokuroria ka të drejtë të hetojë një deputet, por jo ta arrestojë atë apo t’i kontrollojë banesën pa lejen nga Kuvendi. Sipas nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, Këshilli i Mandateve duhet të dëgjojë sot fillimisht prokurorinë dhe deputetin e akuzuar dhe pas kësaj, ka deri në katër javë kohë për të dorëzuar një raport në seancë plenare, ku e pranon ose rrëzon kërkesën e prokurorisë. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet ka gjithashtu të drejtë të mos shprehet për kërkesën e prokurorisë, ku mosshprehja ka peshën ligjore të refuzimit pas tre muajsh. Pavarësisht se Këshilli i Mandateve ka këtë mundësi, mazhoranca socialiste ka dhënë shenja se do ta lejojë arrestimin e Tahirit. Para se Tahiri të arrestohet dhe prokuroria të lejohet të kontrollojë banesën e tij, nevojitet që Kuvendi i Shqipërisë të mblidhet në seancë plenare dhe të votojë heqjen e imunitetit. Sot, më 20 tetor, nuk ka seancë plenare të planifikuar dhe nuk dihet nëse socialistët do të lejojnë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme apo çështja do të shtyhet për seancën e ardhshme, e cila pritet të zhvillohet javën e ardhshme.
Sigal