Bregu, vlerësime Berishës: Basha të largohet

470
Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, kritikoi vendimin e Bashës për të mos dhënë plotësisht dorëheqjen nga drejtimi i partisë. “Kërkoj heqjen dorë nga një qasje qorre dhe shurdhe e drejtimit dhe funksionimit të PD-së. Nga një mënyrë që e ka në përmbajtjen e saj vetë shkatërrimin e ngadaltë, por të pandalshëm të çfarëdo organizate, pavarësisht emrit që ka”, u shpreh Bregu. Ajo shtoi se kur kërkon dorëheqjen e Lulzim Bashës, nuk ka asnjë dëshirë të merret me personazhin në vetvete. “Nëse jam kuptuar kështu, po e nënvizoj që s’është kështu. Aq më shumë tani që s’po u besoj më dot as syve, kur shoh e lexoj kush po merret me të!”, shprehet Bregu. Sipas saj, Sali Berisha nuk përsëritet, nuk imitohet, nuk zëvendësohet. ”Nuk kam folur për një idhull, por për një lidership karizmatik, i cili s’lejon të duken boshllëqet, gropat, defektet e organizatës dhe i mbyll ato. Të pretendosh ta drejtosh PD-në si Sali Berisha, pa qenë ti vetë Sali Berisha, do të thotë të gënjesh vetën e të marshosh verbërisht drejt greminës”, tha Bregu. Deputetja vlerësoi se të shpallësh një garë në mbi 40 gradë, “tamam kur dynjaja s’e ka mendjen fare tek ky hall dhe ta bësh këtë, pa bërë një mbledhje të të paktën atyre që u fshinë e atyre që u graduan në një mesnatë, pa përcaktuar në një udhëzim se cilat jane garancite për kandidatët që do hyjnë në garë, pa caktuar standardet për zgjedhje të lira e të ndershme brenda partisë tënde, është jo demokratike!” “Është njëlloj sikur Lulzim Basha të hynte në zgjedhje parlamentare pa Kod Zgjedhor! Më e pakta!”, u shpreh Bregu.
Sigal