Banorët tek ‘Unaza e Re’: Na more votat në zgjedhje, por tani na braktise. Replikat për heqjen e Shqiponjës

527
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Banorët akuzojnë deputeten Gjylameti: Na more votat në zgjedhje, por tani na braktise!

Heqja e shqiponjës në hyrje të Tiranës acaroi politikën, Kryeministri Rama replikë me Bashën dhe reagimi i Berishës

Banorët tek Unaza e re vazhdojnë për çdo ditë protestat e tyre kundër planeve të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, për t’u prishur shtëpitë dhe bizneset, me qëllim zgjerimin e rrugës të Unazës së Re.

Vjelja e votave nga deputetët dhe, paskëtaj, braktisja e elektoratit

Deputetja Blerina Gjylameti, në fushatën elektorale të 2017-s për zgjedhjet parlamentare u premtoi banorëve të Tiranës, por edhe banorëve tek “Unaza e Re”, se qeveria e Rilindjes do të legalizojë falas shtëpitë, shtesat, dyqanet, parkingjet që kanë bërë. Qytetarët, me shpresën e premtimeve të kandidates për deputete, i dhanë votën PS-së. Kandidatja për deputete në 2017 Gjylameti e dinte shumë mirë, që toka tek ‘Unaza e Re’ kishte projekte të tjera nga qeveria, por banorëve nuk u tha të vërtetën. U premtoi, por shpresoi që zotimet e saj do të “harroheshin”, sa t’u merrte votat banorëve tek Unaza e Re.

Banorët protestues tek Unaza e Re: Ku je, deputete Gjylameti?!

Banorët që po protestojnë tek ‘Unaza e Re’ dje kanë bërë thirrje me megafon duke kërkuar se ku janë ata pushtetarë që duhej të ishin sot pranë tyre, duke filluar nga deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti, e cila u premtoi në fushatën elektorale të 2017-s legalizimin e shtëpive dhe bizneseve. “Ku je deputete Gjylameti?! Ku je?! Ne e duam rrugën, nuk jemi kundër rrugës, por na dëmshpërblemi 100%. Thjesht mungon vullneti, se kjo mund të bëhet. Ku je, o Avokate e Popullit?! Ku je, o Shoqëri Civile?! Ku jeni?!

Hiqet në mesnatë shqiponja në hyrje të Tiranës

Monumenti i shqiponjës, që u vendos me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë në vitin 2012, preket nga projekti për ndërtimin e “Unazës së re”. Sipas projektit, aty tashmë parashikohet të ndërtohet një mbikalim, prandaj ai u hoq të premten në mesnatë, pa u lajmëruar më parë nga qeveria. Heqja e monumentit të shqiponjës, në mesnatë, shkaktoi reagime të forta politike, ku kryeministri Rama shkëmbeu edhe replika të forta me kryetarin e PD-së Basha dhe Berisha.

Kryeministri Rama: Vulgariteti hipur në piedestal

Kurrë vulgariteti s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, se sa në rastin e kësaj “shqiponje” në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi nga një tregim i Edgar Allan Poe-s! Më në fund.

Kryetari i PD-së, Basha: Ke zgjedhur simbol hashashin

Kur zgjedh për simbol hashashin, Shqiponja Kombëtare të duket vulgaritet. Për Ramën çfarë nuk sjell para në xhepat e tij dhe oligarkëve është pa vlerë, ndaj shkatërron Shqiponjën e 100-Vjetorit të Pavarësisë, për miliona euro që i jep një kompanie fantazmë dhe nën sekuestro.

Rama: Shqiponja petashuqe e lekut nuk mund të bëhet dot monument tredimensional

Artist! Shqiponja petashuqe e lekut nuk mund të bëhet dot monument tredimensional, sepse kthehet në horror, mu ashtu siç ishte në hyrje të Tiranës me vite me radhë! Po ti s’ke faj, përpara petashuqes bëhesh petë, lekë, lekë, lekë. Nejse, lëre shqiponjën, iku! Shiko veten Artist.

Berisha: Është akt antikombëtar

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas heqjes së “Shqiponjës” nga hyrja e Tiranës: “Zografi bis dhe Lal Plehu i tij, në një akt antikombëtar heqin simbolin e kombit, ‘Shqiponjën’ nga sheshi me emrin e saj në hyrje të Tiranës ku u vendos me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë!”