Balluku: Synojmë që brenda 2024 të përfundojë tuneli i Murrizit

182
Sigal

Në tunelin e Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit, po punohet për betonimin e 400 metrave të fundit. Puna vazhdon në të dyja drejtimet me synim hapjen për automjetet në fund të vitit, ndërkohë që gjeologjia dhe burimet e shumta ujore në zonë kanë ndikuar në ritmin e punimeve.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, si dhe përfaqësues të firmës që po realizon punimet, ishin sot në kantier ku ndoqën nga afër ecurinë e kësaj vepre.

87% është ecuria e punimeve deri më tani, ndërsa përfaqësuesit e kompanisë prezantuan me detaje volumin e punës së realizuar deri më tani.

Gjithashtu pjesë e kësaj vepre janë edhe 11 tunele lidhëse, të cilat lidhin tunelin kryesor me atë të emergjencës.

Zëvendëskryeministrja Balluku gjatë inspektimit theksoi rëndësinë që ka kjo vepër, e cila do të shkurtojë ndjeshëm distancën mes qarkut të Dibrës dhe kryeqytetit, duke nxitur njëkohësisht edhe zhvillimin ekonomik të zonës, ku vitet e fundit është rritur numri i njësive akomoduese si dhe numri i turistëve.

“I kemi vënë vetes disa afate që unë shpresoj shumë që t’i mbajmë, pasi ky është një akses i jashtzakonshëm për në verilindjen e vendit dhe më pas për në veri. Dibra e ka shumë të rëndësishme këtë rrugë, por jo vetëm Dibra, pasi sot e gjithë krahina e Matit gjithashtu është duke u zhvilluar nga ana e agroturizmit dhe nga ana e njësive të tjera industriale. Duhet thënë që është një akses për në dy pika kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe sigurisht është një nga rrugët më të rëndësishme që lidh kryeqytetin. Kështu që unë shpresoj shumë që ky tunel, si përfundim dhe kurorëzim i kësaj vepre, i të gjithë Rrugës së Arbrit, të mbyllet brenda vitit 2024 dhe me gjasa duket sikur gjërat po ecin”, -bëri të ditur Balluku.

Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3,78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës.