Balluku rrëfen rrugëtimin në parti: Sa herë kam qarë për PS-në dhe Ramën

73
Sigal

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku po edhe kandidate për deputete, ka rrëfyer për përfshirjen e saj në PS, për të cilën ka nisur që në vitin 2006. Po ashtu ajo ka ndarë edhe një situatë kur Fatmir Xhafaj mbajti fjalim mbas mitingut për të thënë që 200 anëtarë të PS dhe deputetët e mbështetjes kishin vendosur të nisnin grevën e urisë.

”Unë në PS kam shkuar në 2006 dhe kam mësuar çdo gjë nga Fatmir Xhafaj. Ka qenë shkolla më e vyer që kam bërë. Në vitin 2011 me udhëzim që kishim nga Fatmiri dhe Gramozi kemi ruajtur çdo procesverbal pas mësimit që morëm nga 2009. Ne nuk kemi sjellë ndonjëherë njerëz me autobusë nga rrethet. Se kishim mundësinë sepse nuk na mbështeste asnjë biznesmen.

Më kujtohet një moment në mbylljen e fushatës të 2009. Kryetari në atë kohë vazhdonte turin dhe ne na u dha detyra të qëndronim në Bulevard dhe kërkuam ndihmën e Fatmirit pasi Policia nuk na lejonte të vendosnim foninë në të gjithë bulevardin. Jemi përleshur 48 orë. Ne e ngritëm edhe skenën siç ngritëm edhe qytetin që i tregoi të gjithëve se çfarë force ishte PS-ja. Gjatë grevës së urisë, luaja rolin e shtrigës si gjithmonë.

Mbaj mend që vinin nga çdo qytet për t’ju mbështetur. Kam qarë. Unë qaj shpesh. Kujtoj që unë kam qarë kur Fatmiri mbajti fjalën mbas mitingut për të thënë që 200 anëtarë të PS dhe deputetët e mbështetjes kishin vendosur të nisnin grevën e urisë, por kam qarë edhe kur kemi dalë nga greva e urisë pas vizitës së Edi Ramës në Bruksel. Kam qarë shumë në historinë time politike në PS. Por kam plot gjëra të mira për të kujtuar”.