Balla: Dha leje korruptive për pallat, Basha të japë dorëheqjen për skandalin

538
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, akuzoi kreu i PD-së Lulzim Basha se ka dhënë leje korruptive për ndërtimin e një pallati 16-katësh në Tiranë, gjatë kohës që ishte në krye të Bashkisë së Tiranës. Sipas Ballës, këtë leje ndërtimi Basha e ka dhënë vetëm 6 ditë para se t’i përfundonte mandati si kryetar Bashkie i Tiranës.
Deputeti socialist tha se ky pallat po ndërtohet në truallin e një përfaqësie diplomatike, dhe është jashtë çdo standardi ndërtimi.
Deklarata e plotë e deputetit Balla
Lulzim Basha, duhet të japë sot përgjigje për skandalin e tij të radhës.
Kryetari i Partisë Demokratike duhet t’i shpjegojë qytetarëve të Tiranës se pse me firmën e tij, vetëm gjashtë ditë përpara se të dorëzonte detyrën e kryetarit të Bashkisë miratoi vazhdimin e një ndërtimi abuziv.
16 kate me firmën e Bashës ndërtohen në truallin e një përfaqësie diplomatike në mes të Tiranës, ngjitur me një ndërtesë tjetër, duke mos respektuar rregullat bazë të urbanistikës, duke rrezikuar ndërtesat përreth, duke mos patur as kate nëntokësore, as parkingje e asnjë kriter teknik.
I gjithë ky përbindësh 16 katësh, në zemrën e Tiranës, për të cilën Lulzim Basha përgjërohet me fjalë por ia bën gjëmën me firmën e tij, për të cilën qytetarët e kishin votuar të mos ia shihnin më në vendimet për kryeqytetin.
A është ky klientelizëm, abuzim me pushtetin apo shpërdorim detyre?
E pra, kjo ka ndodhur, njeriu i cili mungonte prej dy vitesh në Këshill Bashkiak dhe punonte si kryetar në distancë nga Hollanda, kthehet në zyrë 6 ditë përpara dorëzimit të mandatit për të kryer shërbimin e fundit ndaj klientëve të tij.
Ishte Basha, që kur qytetarët e Tiranës të cilët nuk e votuan kurrë, e shkarkuan përfundimisht nga detyra e kryebashkiakut, e rinovoi përsëri edhe për dy vjet lejen abuzive që ishte në skadencë.
Rinovimi i lejes në çastet e fundit të pushtetit është tradhëtia e radhës e Lulzim Bashës ndaj Tiranës.
Ashtu si pas zgjedhjeve të vitit 2013, Lulzim Basha tregoi edhe një herë më shumë se pas humbjes në zgjedhje e vetmja gjë që i interesonte ishte të abuzonte sa më shumë në kohën e shkurtër që i mbetej në pushtet.
“Sot unë, pas meje qameti!”, ky është mentaliteti i pamoralshëm i Lulzim Bashës.
Ky sot është njeriu që pretendon se mund t’i ofrojë një të ardhme më të mirë shqiptarëve. Por, shqiptarët e dinë mirë se Lulzim Basha është njeriu që ku shkon lë tokë të shkretë. Ai shkatërroi Bashkinë e Tiranës, duke e lënë atë të mbytur në borxhe.
Lulzim Basha është njeriu që si ministër vrau katër qytetarë në bulevard vetëm se po protestonin, si ministër vodhi 230 milionë euro në Rrugën e Kombit, e po si ministër fali mbi 300 kilometra katrorë det të Shqipërisë.
Organet hetimore duhet të nisin urgjent hetimin kryesisht në bazë të këtij denoncimi.
Dhe ky njeri që fshihet përmes raporteve duke u shtirur si i sëmurë është koha t’i shkojë drejtësisë, të përgjigjet për të gjitha gjëmat që i ka bërë Tiranës.
Të përgjigjet për të gjitha tradhëtitë që i ka bërë qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
Sigal