“Babai i rivalit, shef regjimi në IEVP”, Shkëlqim Hoxha i Rrogozhinës: Nuk njoh rezultatin, kutia e burgut e manipuluar

210
Sigal

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Rrogozhinës Shkëlqim Hoxha, i cili humbi pas përmbysjes së rezultatit në kutinë e fundit ku votuan të burgosurit e IEVP Rrogozhinë, ka deklaruar se nuk do ta njohë rezultatin dhe do kërkojë hetim për kutinë e fundit dhe votat e pavlefshme. Në një lidhje telefonike me media ai deklaroi se votat në një kuti ku kanë votuar të burgosurit janë të manipuluara.“Është një sensibilizim për situatën dhe atë çfarë ka ndodhur gjatë procesit të numërimit. Pasi përfunduan të gjitha kutitë në të gjithë bashkinë Rrogozhinë dhe kur unë kryesoja me 57 vota para, doli asi nën mëngë që ishte kutia e burgut që përmbysi gjithçka dhe e nxori rivalin me 23 vota para. Por kjo kuti është një kuti komplet anonime, me zero transparencë, ku nuk dihet se çfarë ka ndodhur, nuk dihet se kush ka votuar, kujt i lejohej, kujt nuk i lejohej. Kush ishte komisioner. Ka zero transparencë, sepse ne nuk kemi pas asnjë akses, asnjë lloj mundësie për të qenë”,- tha ai. Hoxha pohoi se ka komunikuar edhe me drejtorin e burgut, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ai i mëshon faktit se ishte fitues dhe se këtë çështje do e ndjekë në rrugë ligjore. Në vazhdën e akuzave, ai u shpreh se ka konflikt interesi, pasi babai i kandidatit është shef regjimi në policinë e burgut dhe po ashtu kunati i tij punon infermier në burg. Transparencë dhe hetim për kutinë e burgut. Do kërkoj rivlerësimin e votave të pavlefshme sepse janë 278 vota të pavlefshme dhe ato janë manipuluar. Është shprehur vullneti, por i kanë bërë shenja për t’i shpallur të pavlefshme. Nuk e njoh rezultatin. Do njoh atë rezultat që do të dalë pas këtyre verifikimeve”, tha Hoxha. Partia Socialiste mori Rrogozhinën me 23 vota plus. Kandidati i PS-së Edison Memolla fitoi ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.