Avokati i Popullit padi kundër Ardian Dvoranit

418
Sigal

Për ngërçin që ka kapur Gjykatën Kushtetuese, Avokati i Popullit ka paditur Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në lidhje me procedurat e ndjekura për listat e vakancave për në Gjykatën Kushtetuese. Padia është regjistruar në Gjykatën Administrative të Apelit, që më 31 dhjetor të 2019. Institucioni i Avokatit të Popullit e kishte paralajmëruar që me datë 19 dhjetor një padi të tillë, ku me anë të një reagimi publikoi një raport të gjatë rreth KED.

Institucioni i Avokatit të Popullit që është edhe një nga organet kryesore që mbikëqyr veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, thekson se padia është bërë “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë” si dhe “Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”. Gjykata Administrative e Apelit njofton se e ka regjistruar çështjen dhe shorti për shqyrtimin e saj ka përzgjedhur gjyqtaren Enkelejda Softa (Metaliaj).

Avokati i Popullit hedh akuza ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani duke thënë se është vërejtur mungesë transparence në ngritjen e KED. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese ka sjellur një përplasje mes Presidentit Ilir Meta dhe mazhorancës, por edhe mes Presidentit dhe kreut të KED, Ardian Dvorani.