Vangjush Saro: MASH kundër librit “Shqipëria në dy kohë” (!)

7
Sigal

PSE MASH NUK E PËRFILLI LIBRIN “SHQIPËRIA NË DY KOHË?!

 “Shqipëria në dy kohë”, MASH bën shpagim (?!)

“Shqipëria në dy kohë”, një ese për jetën, artin dhe “humorin” e shqiptarëve ndër dekada – libër që lexuesit, mediat dhe kritika e kanë vlerësuar – nuk u gjend në listën e MASH. Po e them që në krye të herës, nuk është një problem vetjak. Dhe si autor i tij, nuk u dëshpërova për librin e për veten, por për ato që janë shkruar aty kundër prapambetjes, kundër fiksimeve e dasive, dukuri që, me këtë rast, i pashë sërish të shpalosen në mënyrën më cinike. E thënë me fjalë të tjera, druaj se kemi të bëjmë me pavëmendje (në mos padrejtësi) ndaj një libri nga të paktët në këtë zhanër, ndaj një teksti të inspiruar nga fakte dhe përjetime reale, ndaj një interpretimi profesional (për të cilin mbase nuk duhej të prisja shumë nga “komisionerë”, që mund ta kenë kaluar jetën nëpër juri e panele, por vetë asgjë nuk kanë qullosur). Kam pasur shumë raste kur mund të “adhnohesha” me komisionet e MASH; bie fjala, kur nuk shihen si kandidat për ndonjë çmim fabulat që janë vlerësuar tashmë nga një sërë kritikë letrarë, përkthyes e kolegë të tjerë dhe po botohen edhe në gjuhë të huaja (!) Por nuk e kam parë me vend të ankohem, nuk i jepem asnjëherë zhurmës. Në këtë rast, me “Shqipëria në dy kohë” (e në çdo kohë) shoh në radhë të parë një dashakeqësi ndaj trajtimit të një problemi madhor, ndërkohë që jepet vistoja për soj-soj pokeri e mediokritete. Për ta ulur në tokë problemin, le të njohim lexuesit me atë çfarë thotë “Shqipëria në dy kohë”; kështu mund të kuptohet më mirë pse autori i librit dhe i këtyre radhëve po e lë mënjanë modestinë. Siç dihet, tek ne ka njëlloj kaosi dhe debate pa fund sa i përket disa temave tejet të rëndësishme: E shkuara, e sotmja, lufta, filmat, kultura, dasitë kombëtare, etj. dhe, në këto tema, gjithnjë anohet dukshëm ose andej ose këtej, bëhet mjegull, ka luftë për protagonizëm, por jo për Shqipërinë dhe fatet e saj, jo për çfarë u intereson shqiptarëve, veças brezave të sotëm. Ky libër, siç shprehet një nga ata që kanë shkruar për të, rreh ta shpërndajë disi këtë mjegull. Në këtë libër, nuk ka as mburrje, as shpifje, as brohori, as denigrim. Libri godet ekstremizmin, shtyn tej pasaportizimin e hipokrizive gjithfarë, stigmatizon rrahjen e gjoksit për disidencë, më në fund përpiqet të pajtojë mërritë ndaj njëri-tjetrit e ndaj kohëve që s’u kanë faj ekstremistëve të mjerë. Libri sjell pozitivitet dhe vlerëson ato që janë për t’u vlerësuar, në çdo kohë.

 

Mbase ky drejtpeshim nuk u pëlqen a nuk u duhet fare komisioneve të MASH, anipse lexuesit, shqiptarët gjithandej ku ndodhen, për më tepër më të rinjtë, kërkojnë përgjigje për disa pyetje të rëndësishme e fundja, duhet të shfletojnë edhe diçka qetësuese e paqësore. Mbase snobët e grafomanët nuk mund ta gëlltisin dot këtë ballafaqim me të vërtetën për Shqipërinë… Dhe e përsëris, kjo është ajo që më shqetëson, jo libri si i tillë. Le ta shohim edhe me nga afër botimin në fjalë. Çfarë i mungonte librit “Shqipëria në dy kohë” që nuk e gjeti dot në atë listë? Ishte i ndonjë autori të panjohur? Merrte në shqyrtim një temë të parëndësishme? Nuk ishte shtjelluar bindshëm subjekti, nuk kishte stil e nuk ridhnin frazat? Ishte shkruar keq dhe me tendenca? Nuk e kishin përfillur më parë mediat dhe lexuesit e Mendimi Letrar? Për të gjitha këto – jo nga unë, por nga lexuesit dhe ata që kanë shkruar për librin mund të thuhet vetëm një “Jo!” e trishtë. Thjesht, botimit modest i mungonte miku, ndërhyrja; se, më vjen rëndë që e them, ashtu bëhen punët në Shqipëri. (Mbase MASH bën shpagim, ngaqë autori është pranë gazetës “Telegraf”, prej kohësh në opozitë.) Unë, në fakt, nuk kam pasur dhe nuk kam kund raporte me struktura dhe institucione. Dhe prapë shpreh keqardhje mesa duket, po nuk qe aty rrotull, në ndonjë përurim me qofte, në ndonjë shërbim partiak, në ndonjë klan, ata heshtin, të vënë bërrylin. E di që në këto lista e projekte, thënë shqip, gjithnjë ka bërryla, ndërhyrje, luftë për lekë; (dhe e gjithë kjo është kaq e ulët.) Vetë, nuk e kam parë asnjëherë profesionin tim dhe sjelljet e mia si një plan për fitime. Doemos, çdokush i vlerëson të mirat materiale. Sidoqoftë, me sinqeritet, ndoshta ngaqë – në të gjitha kuptimet e fjalës – kam qenë një njeri me fat, nuk i kam në fokus lekët si qëllim në vetvete. Nuk e kam vlerësuar si alarm ngushtësinë ekonomike (edhe kur mund ta kem ndjerë atë). Megjithatë, përpiqem t’i kuptoj mëtonjësit e shumtë, në art e në projekte e në tituj; situata ekonomike a ku di ç’tjetër, mund të të ndryshojë, (gjë që s’e besoj për veten). Por duhet t’i mëshirosh të tjerët kur bëhen rogoz për ca lekë më shumë… (Nuk besoj që në këtë “skeç” të mund të përfshiheshin edhe komisionerë.) Në përgjithësi, të shikosh drejt, është edhe mirë, edhe keq. Por ja, një pjesë nga ne, nuk dimë të lypim, të lutemi, të qajmë, të shkruajmë letra, ta dredhim, të përulemi, të fusim miq, t’ia gjejmë anën, të ndjekim partitë dhe klanet, të poshtërohemi! Fundja, o do të shkruash e do bësh art siç duhet, o do të merresh me ato aktet që përmenda më lart (!) Disa nga ne, s’i bëjnë dot të dyja. Dhe, normalisht, nuk bëhen të dyja. Prandaj titujt, projektet, listat, gjithë sa prodhojnë institucionet me raste, janë episode për t’u harruar, krahas shumë gjërave të tjera që nuk shkojnë siç duhet në atë vend. Tani disa shpjegime të fundit: Assesi nuk dua të them se të gjithë ata që mund të jenë “më me fat” në këtë temë, janë me doemos ashtu, të pavlerë. Lipset ta kuptojmë siç duhet përmbajtjen e këtij shënimi dhe interpretimin e dukurive në fjalë. Por, larg e larg, përjashtimi pa arsye, përgjithësisht sjellje të tilla janë pothuaj njëlloj dhune. Pra, botoji librat atje ku ne përzgjedhim më shumë, atje ku “na e kanë gjetur anën”, atje ku na e dinë “marifetin”. Përndryshe, ngrohu në diell!  Ani. E gjithë kjo nuk është fundi i botës, nuk e cënon as karrierën; e bezdis atë, por nuk e cënon. Që ta mbyll, nuk i them e nuk i shkruaj këto për shpagim (siç mund të jetë sjellja e MASH). Absolutisht jo. Prapë përpiqem ta ngre problemin në parim, duke shpresuar të rishikojmë e mbrothësojmë ç’të mundim sa u takon halleve dhe sjelljeve vetjake, por sidomos atyre institucionale, në Shqipërinë e kësaj kohe…