Av. Ledio Braho: Mazhoranca pardje votoi në Parlament: 30 qershori i 2019, ka rënë!

402

“Kjo është një sjellje tipike diktatoriale, ku kryeministri Rama nuk ndalet më as nga Komisioni i Venecias, as nga Kushtetuta, as nga Bundestagu dhe as nga partnerët strategjikë si SHBA apo BE”

Sigal

Jakup B. GJOÇA

Av. Ledio Braho, konstitucionalist në intervisën për gazetën “Telegraf” shprehet se, Raporti Përfundimtar i Komisionit Hetimor “Për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka pasur një qëllim të vetëm – intimidimin e Presidentit të Republikës në ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese. Av. Braho shton se mazhoranca pardje në parlament, duke votuar kundër shkarkimit të Presidentit të Republikës, votoi që edhe 30 qershori i 2019-s, ka rënë, por, duke njohur sjelljen politike të kësaj mazhorance, nuk duhet të kemi pritshmëri për të ripërsëritur zgjedhjet vendore, përveçse rendi kushtetues do të rivendoset me zgjedhjet parlamentare. Av. Braho, duke analizuar pse kryeministri Rama kërkon të ndalojë koalicionet parazgjedhore me ndryshime kushtetuese të ngjashme, pohon se kjo është një sjellje tipike diktatoriale  e kryeministrit Rama, që nuk e ndalin as “Venecia”, as Kushtetuta, as BE dhe SHBA.

– Zoti Braho, çfarë domethënie politike dhe juridike ka votimi i djeshëm i Parlamentit për mosshkarkimin e Presidentit të Republikës?

-Raporti Përfundimtar i Komisionit Hetimor  “Për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij, lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, si dhe për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës së ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”,  tregoi se një nisëm e tillë, ka pasur një qëllim të vetëm – intimidimin e Presidentit të Republikës në ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese, të paktën në aspektin politik të nismës. Ndërkohë,  juridikisht  ka qenë një bllof kushtetues për konsum publik, pasi për aq kohë sa nisi dhe u bitis pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale, në çdo rast nuk do arrihej që të shkarkohej Presidenti i Republikës.

– A ka rënë tashmë politikisht  30 Qershori i 2019?

– 30 Qershori 2019 ka rënë politikisht për shumë arsye, për shkak të pjesëmarrjes së ulët në “votime”, për shkak të kandidaturave të vetme, që cenojnë çdo parim mbi lirinë e votës, për shkak se edhe pse me kandidatura të vetme, të paktën deri tani kanë rezultuar pesë kryetarë që kanë pasur probleme me drejtësinë në të shkuarën, apo dhe së fundmi me Komisionin Hetimor që doli lakuriq, kur në përfundim të hetimit në lidhje me veprimtarinë e Presidentit të Republikës për këtë çështje doli në përfundimin se “… vlerëson se për të arritur qëllimin e mësipërm dhe për të garantuar përgjegjshmërinë në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore është i nevojshëm një ligj organik për institucionin e Presidentit të Republikës”. Një përfundim i tillë i një komisioni hetimor që iniciohet për të shkarkuar Presidentin e Republikës për shkelje të rënda kushtetuese dhe përfundon me propozimin për iniciativë ligjore për një ligj organik për Institucionin e Presidentit të Republikës, për të garantuar veprimtarinë e tij në kornizat kushtetuese, është rasti tipik i “katandisjes së kaposhit në një thelë”.

“30 Qershori 2019 ka rënë politikisht për shumë arsye, për shkak të pjesëmarrjes së ulët në “votime”, për shkak të kandidaturave të vetme, që cwnojnë çdo parim mbi lirinë e votës, për shkak se edhe pse me kandidatura të vetme, të paktën deri tani kanë rezultuar pesë kryetarë që kanë pasur probleme me drejtësinë në të shkuarën, apo dhe së fundmi me Komisionin Hetimor që doli lakuriq”

– A është detyrim politik, moral, që edhe mazhoranca tashmë të pranojë ripërsëritjen e zgjedhjeve vendore, për të patur një përfaqësim pluralist politik edhe në pushtetin vendor?

– Nuk është vetëm çështje detyrimi moral dhe politik, por është çështje detyrimi për zgjedhje të lira dhe të ndershme në kuptimin kushtetues të zgjedhjeve. Duke parë qasjen e kësaj mazhorance në lidhje me pluralizmin, nuk duhet të kemi pritshmëri të tilla, për aq kohë sa u bë pothuajse një mandat i tërë qeverisës, që ajo noton vetëm në ujëra monopartiake në çdo pushtet. Është e njëjta mazhorancë që njeh si opozitë, një opozitë që shërben si zgjatim i saj në pushtetin legjislativ, apo që ka vite që pengon funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka ndërhyrë në çdo procedurë për të kapur tërësisht sistemin e drejtësisë. Në këto kushte, çdo pritshmëri për reflektim në lidhje me pushtetin vendor, është e pabazuar në sjelljen autokratike të kësaj mazhorance. Vetëm zgjedhjet e përgjithshme të lira dhe të ndershme do të mund ta kthenin shtetin shqiptar në hullitë e kushtetuetshmwrisë dhe demokracisë, çka do të hapte rrugën edhe për zgjedhje të reja vendore me institucione të pakapura.

Kryeministri Rama nga foltorja e Parlamentit dje deklaroi, se po përgatitet një ligj organik (ndryshim kushtetutes) që Presidentit të Republikës t’i hiqet e drejta kushtetuese të bëjë betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Venecia” e ka shprehur opinionin se kjo kompetencë kushtetuese i përket Presidentit të Republikës. A nuk rrëzon “Venecian” kryeministri Rama?

– Komisioni Venecias, në opinionin e tij, bazohet në parashikimin kushtetues aktual, por ajo çka po tenton Rama të bëjë është që me shumicën absolute që kontrollon në legjislativ, të shmangw çdo pengesë kushtetuese, duke ndryshuar Kushtetutën, kudo ku has pengesa. Kjo është një sjellje tipike diktatoriale, ku kryeministri Rama nuk ndalet më as nga Komisioni i Venecias, as nga Kushtetuta, as nga Bundestagu dhe as nga partnerët strategjikë si SHBA apo BE. Asnjë politikan tjetër në vend, nuk ka pasur qasje të tilla kaq “sovraniste” sa Rama në këtë fundmandat të tij, por duhet të kemi parasysh që një qasje e tillë, nuk është e dëmshme vetëm për të dhe fatin e tij në politikë apo histori, por është e dëmshme për integrimin e vendit, pasi çdo vendimmarrje për ndryshime kushtetuese të njëanshme, do të sillte si pasojë cenimin e mëtejshëm të demokracisë në vend.

–  A mundet një Parlament, që nuk ka përfaqësim të gjerë të popullit, që nuk ka as numrin e deputetëve, sipas Kushtetutës, të bëjë ndryshime të tilla Kushtetuese, sa që Kushtetuta e Republikës  të ndalojë me ligj koalicionet parazgjedhore? A është cwnim i demokracisë një ligj i tillë kushtetues?

– Së pari, koalicionet parazgjedhore janë marrëveshje paraprake që lidhen mes partive politike për të garuar brenda një koalicioni për zgjedhje të përgjithshme, apo vendore, duke u nisur nga pikat e përbashkëta në programet e tyre politike, apo dhe për korrigjimin e pasojave që vijnë nga formulat zgjedhore, që sidomos kur janë rajonale, si në rastin e Shqipërisë sjellin një cwnim të vullnetit të zgjedhësit.

-Së dyti, nëse i referohemi propozueswve fillestarë të kësaj nisme, ishin pikërisht deputetët e opozitës parlamentare, që, duke cwnuar kontratën me votuesit e partive politike respektive, në sajë të të cilave janë pjesë e pushtetit legjislativ, hodhën idenë e ndalimit të koalicioneve parazgjedhore. Një propozim i tillë, përveçse bie ndesh me traditën zgjedhore në vend që gjithmonë i ka lejuar koalicionet parazgjedhore, do të përfshijë në pazare postzgjedhore këdo parti politike që do të ketë qoftë edhe një mandat deputeti. Ekspertët konstitucionalistë që kanë propozuar ndalimin e koalicioneve parazgjedhore mbështeten në argumentin se “koalicionet parazgjedhore reduktojnë konkurrueshmërinë, ndërkohë që mospasja e koalicioneve parazgjedhore e rrit atë”, por ndërkohë, nuk bëjnë asnjë analizë në lidhje me faktin nëse koalicionet postzgjedhore e deformojnë vullnetin e zgjedhësit në rastin e koalicioneve “për hir të pushtetit”,  pavarësisht programeve të ndryshme politike të partive, që do të bashkohen në koalicion, apo nëse një sistem i tillë cwnon stabilitetin politik në vend. Një nisëm e tillë kushtetuese në një realitet politik si ky aktuali, do të ishte dhe më i dëmshëm se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

“Raporti Përfundimtar i Komisionit Hetimor,  “Për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”,  ka pasur një qëllim të vetëm – intimidimin e Presidentit të Republikës në ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese, të paktën në aspektin politik të nismës”