Agostin Marku: PS-ja nuk ekziston, është uzurpuar nga sekti i “Rilindjes” së Ramës

576

“Çdo vendim i Kryeministrit Rama që të bëjë ndryshime Kushtetuese në Parlament, për Sistemin Zgjedhor, pa opozitën reale, pa konsultime paraprake janë një fatkeqësi e madhe për Shqipërinë dhe të ardhmen Europiane të vendit”

Sigal

Jakup B. GJOÇA

Agostin Marku, ish -deputet socialist, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke bërë krahasimin e PS-së së 1998 dhe 2020, argumenton se PS-ja në 2020, ka pësuar regres të madh politik, ideologjik, saqë sot nuk ekziston më, PS-ja është uzurpuar nga “Rilindja” e Ramës, derisa ndryshimet kushtetuese i voton me një parlament pa opozitë, ndërkohë në 1998, PS-ja, edhe pse i kishte kartonët, ndryshimet kushtetuese i bëri me Referendum. Zoti Marku shprehet se socialistët e vërtetë janë zhgënjyer shumë nga keqqeverisja 7- vjeçare e “Rilindjes”, sepse, sipas zotit Marku, kjo “Rilindje” përfaqëson interesat e oligarkëve, derisa ka dhënë mbi 2.500 koncesione e tendera, ndërkohë, që shqiptarët varfërohen kaq shumë, sa mbi 500 mijë kanë emigruar në 7 vitet e fundit dhe mbi 650 mijë të tjerë, duan që të shpërngulen përgjithmonë nga Shqipëria.

– Zoti Marku, ju si socialist, si e gjykoni vendimin e kryeministrit Rama që të bëjë ndryshime Kushtetuese në Parlament,  të tilla që kanë të bëjnë me Sistemin Zgjedhor, pa opozitën reale, pa konsultime paraprake?

– Kryeministri Rama gjithë ditën flet për dialog, bashkëpunim, zhvillim, etj etj, por në të gjitha rastet këto i kërkon të realizohen vetëm siç thotë dhe kërkon Ai, ndryshe fajin e ka opozita dhe partnerët që nuk dëgjuan dhe vepruan sipas dëshirës tij. Për kryeministrin Rama, Kushtetuta, Partia, njerëzit, votuesit, partneret nuk janë asgjë tjetër, veçse mjet për të arritur qëllimin. Kësaj filozofie mund t’i vendosësh çdo emër, por vetëm me filozofinë socialiste, me të Majtën dhe PS-në,  nuk ka lidhje. Kështu që çdo vendim i Kryeministrit Rama që të bëjë ndryshime Kushtetuese në Parlament, të tilla që kanë të bëjnë me Sistemin Zgjedhor, pa opozitën reale, pa konsultime paraprake janë normalë për optiken e tij, por një fatkeqësi e madhe për sistemin politik në Shqipëri dhe të ardhmen Europiane të vendit.

–  Cili është qëllimi politik i këtyre ndryshimeve Kushtetuese?

– Me ndryshimet Kushtetuese nuk ka asnjë qëllim që t’i shërbejë integrimit, zhvillimit apo rritjes së cilësisë së përfaqësimit apo përmirësimit dhe konsolidimit të demokracisë e sidomos standardeve  zgjedhorë. Qëllimi i vetëm i këtyre ndryshimeve është që Ai, (Kryeministri) të arrijë të sigurojë edhe një mandat qeverisës, me çdo lloj mjeti e kushti. Është e vetmja formë që të justifkohet dhe të bëjë të pamundurën të mbrojë oligarkët dhe veten me mënyrën se si ka shpërdoruar taksat e këtij populli në dy mandate qeverisëse.

“Me lista të hapura, pa lista të hapura, me kinezerira që të hapen 75% për të bërë të mundur që të mos i cwnohen besnikët  dhe puthadorët e kryeministrit Rama,  për Kuvendin e ardhshëm, “Rilindja” ka ardhur në fundin e saj, megjithëse me vonesë”

–  Në 1998 PS-ja, edhe pse kishte shumicën absolute në Parlament, iu drejtua Referendumit për ndryshime Kushtetuese. A ka progres në qëndrimin e PS-sw, tani në 2020, nga 1998?

– PS-ja në vitin 1998 arriti të ndërtojë një Kushtetutë që plotësonte të gjithë elementet shtet formuese dhe hierarkinë e institucioneve kushtetuese. Në Kushtetutën e vitit 1998, që është Kushtetuta e parë dhe e vetme e miratuar në rrugë demokratike në historinë e shtetit shqiptar, ishte përcaktuar qartë vendi dhe mënyra e funksionimit të çdo Institucioni demokratik në Shqipëri. Çfarë është me e rëndësishmja, ishte saktësuar aq në formë demokratike sistemi i zgjedhjeve dhe fuqia që kishin zgjedhësit për të zgjedhë drejtpërdrejtë dhe në rrugë demokratike përfaqësuesit e tyre legjislativw dhe ekzekutivw.  (Kuvend, këshilla vendorë dhe kryetarë bashkie). Kjo mënyrë zgjedhje, impononte edhe një funksionim normal e demokratik të sistemit partiak në Shqipëri. PS-ja, në atë kohë, pra në vitin 1998, kishte shumicën absolute në Parlament, ku mund të miratonte Kushtetutën sipas interesit  të partisë në pushtet, por tregoi vlera dhe dha mesazhin e qartë se Shqipërisë i duhet një Kushtetutë demokratike për të pasur një shtet demokratik. Në vitin 1998 u mor gjithë asistenca e nevojshme e institucioneve demokratike Euro-atlantike,  si dhe pas një fushatë të gjatw sqaruese e sensibilizuese, Kuvendi Shqipërisë iu drejtua popullit për ta miratuar me  Referendum Kushtetutën, gjë e cila u miratua. Pikërisht atëhere, kur kjo Kushtetutë filloi të japë efektet për funksionimin e plotë, filloi edhe shkërmoqja e saj dhe sot me keqardhje e them se ajo ka vetëm kapakët në modelin e miratimit të asaj kohe, sepse realisht është një përzierje rrymash e kompetenca të institucioneve, që i shërbejnë vetëm një individi për të realizuar gjithçka çfarë ëndërron dhe kërkon,  por vetëm sistemit demokratik nuk i shërben.  Mënyra sesi PS-ja e sotme kërkon të ndryshojë Kushtetutën, me një parlament pa opozitë, pa referendum, është një regres shumë i madh, sepse synojnë që të deformojnë sistemin demokratik të Shqipërisë.

– Ju, si e shpjegoni regresin politik të PS-së?

– PS-ja nuk ka bërë regres, thjesht ajo nuk ekziston, është uzurpuar nga sekti i “Rilindjes” së Ramës, prandaj kemi boshllëk të madh të politikws dhe sot edhe përfaqësimi politik në instuticionet përfaqësuese,  le shumë për të dëshiruar. Socialistët janë të papërfaqësuar në qeverisje, pavarësisht se janë votuesit e “Rilindjes”. Regresin politik të PS-së e shikojmë edhe në mosintegrimin e Shqipërisë, e cila që nga 2013-ta, është Edi Rama që bën gjithçka për të bllokuar integrimin e Shqipërisë. Shikoni, që çdo vit, që nga 2018-ta, kur ishin vetëm 4 kushte, në pranverën e 2020-s, Komisioni Europian dhe Bundestagu gjerman, i kushtëzuan Shqipërisë së qeverisur nga Rama, 15 kushte. Në Shqipëri po instalohet sistemi monist i Njëshit, shikoni, si funksionon parlamenti, voton ligje antikushtetuese, në funksion të pushtetit të kryeministrit Rama, ndërkohë, që Gjykata Kushtetuese ka 3 vjet që nuk funksionon dhe askush nuk gjykon dot ligjet antikushtetuese dhe antikombëtare që voton ky parlament i sotëm monist.

– Sa socialiste është PS-ja sot?

– “Rilindjen” e sotme, vetëm socialiste nuk mund ta quajmë dhe as nuk është.  Ata që janë në piramidën e “Rilindjes”, në parti dhe në qeverisje, nuk kanë kontribuar asnjë ditë në PS, nuk përfaqësojnë socialistët. Përkundrazi. mbi 2.500 koncesione dhe tenderime që ka dhënë në këto 7 vjet qeverisje “Rilindja” e Ramës, dëshmon që kryeministri Rama, është kryeministri i oligarkëve, ndërsa njerëzit e varfër i burgos, qoftë edhe për një faturë drite të papaguar.

“Asnjë pushtues në historinë e Shqipërisë, nuk ka shpërngulur kaq qindra -mijëra shqiptarë, në 7 vjet, sa qeverisja e “Rilindjes” së Ramës. Mbi 500 mijë shqiptarë kanë emigruar që nga 2015-ta, mbi 650 mijë shqiptarë të tjerë duan të shpërngulen nga Shqipëria. Dhe shumica e emigrantëve shqiptarë, janë socialistët e zhgënjyer nga “Rilindja” e Ramës”

– Nëse në zgjedhjet parlamentare tw rradhës, do të bëhen votime me Lista të Hapura, a mendoni se elektorati  socialist  do votojë kandidatët për deputetë që do përzgjedhw kryetari i PS-së, por të cilët nuk kanë lidhje me socialistët dhe të Majtën?

 Me lista të hapura, pa lista të hapura, me kinezerira që të hapen 75% për të bërë të mundur që të mos i cwnohen besnikët  dhe puthadorët e kryeministrit Rama, për Kuvendin e ardhshëm, “Rilindja” ka ardhur në fundin e saj, megjithëse me vonesë. Elektorati i Majtë dhe socialistwt e vërtetë,  vetëm këtë sekt që është “Rilindja”,  nuk mund, dhe nuk do ta votojnë.  Nga “Rilindja”, kanë përfituar vetëm oligarkët dhe klientët ekonomikë të kryeministrit Rama, ndërsa populli, socialistët, varfërohen përditë, sa të detyruar, shpërngulen nga Shqipëria, për t’u katandisur azilkërkues nëpër rrugët e Europës. Asnjë pushtues në historinë e Shqipërisë, nuk ka shpërngulur kaq qindra- mijëra shqiptarë, në 7 vjet, sa qeverisja e “Rilindjes” së Ramës. Mbi 500 mijë shqiptarë kanë emigruar që nga 2015-ta, mbi 650 mijë shqiptarë të tjerë duan të shpërngulen nga Shqipëria. Dhe shumica e emigrantëve shqiptarë, janë socialistët e zhgënjyer nga “Rilindja” e Ramës.