Av. Ledio Braho: Kryeministri Rama nuk e do Gjykatën Kushtetuese të funksionojë

513

“Në momentin, kur çdo hallkë e përfshirë në plotësimin e vakancave të Gjykatës Kushtetuese është e kontrolluar politikisht, atëherë është e pamundur që të pritet një Gjykatë Kushtetuese në përputhje me frymën e Kushtetutës”

Av. Ledio Braho, Konstitucionalist

Sigal

Jakup B. GJOÇA

Av. Ledio Braho, Konstitucionalist në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se nuk mund të kemi një pritshmëri për Gjykatë Kushtetuese në frymën e Kushtetutës, derisa çdo hallkë që përfshihet në plotësimin e vakancave të saj, është e kontrolluar politikisht. Kryeministri Rama është i interesuar që të mos funksionojë kjo Gjykatë, prandaj përdori Dvoranin në KED, në kundërshtim me çdo ligj të Kushtetutës, pasi janë shumë ligje, që ky parlament ka miratuar, të cilat janë ndesh me Kushtetutën, duke filluar, që nga ksuhtetueshmëria e këtij parlamenti, 30 qershori o 2019, etj. Av Braho, pohon se shumë juristë të aftë nuk kanë besim tek kjo reformë në drejtësi, prandaj, nuk duan të bëhen pjesë edhe e Gjykatës Kushtetuese. Av. Braho, thekson se Gjykata Kushtetuese nuk do të funksionojë për sa kohë maxhoranca nuk e ka vullnetin politik.

– Zoti Braho, përse ende nuk plotësohet Gjykata Kushtetuese?

– Pas katër vitesh nga miratimi me unanimitet i Reformës në Drejtësi, vetëm një përgjigje ka për këtë pyetje – mungon vullneti politik i maxhorancës aktuale që kontrollon plotësisht pushtetin gjyqësor, legjislativ dhe atë ekzekutiv.

– Kush ka interes nga mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese?

– Është e paprecedentë që një vend demokratik të kalojë një mandat të tërë qeverisës pa balancën e një Gjykatë Kushtetuese, për më tepër kur nuk ka opozitë në parlament. Formula kushtetuese dhe ligjore për plotësimin e vakancave të kësaj gjykate është e tillë që të garantojë pavarësinë dhe paanshmërinë e saj, por në momentin, kur çdo hallkë e përfshirë në plotësimin e vakancave të kësaj gjykate është e kontrolluar politikisht, atëherë është e pamundur që të pritet një Gjykatë Kushtetuese në përputhje me frymën e Kushtetutës.

– Si e shpjegoni ju, që në KED dështuan kandidaturat e atyre që dëshironin të bëheshin anëtarë të Gjykatës Kushtetuese?

Është e disata herë që pjesa dërrmuese e kandidatëve nuk kualifikohen për të qenë pjesë e listave që i dërgohen Presidentit të Republikës dhe Parlamentit në mënyrë që këta të fundit të arrijnë të zgjedhin gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese. Madje, edhe në përzgjedhjet e fundit që u bënë listat ishin të tilla që realisht nuk kishte një përzgjedhje, pasi ishin pothuajse po të njëjtët emra në të tre listat. Për mendimin tim, arsyeja kryesore që juristët që aspirojnë të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese  dhe që vijnë nga radhët e jomagjistratëve  nuk preferojnë të kandidojnë për vakancat e shpallura, ka të bëjë me humbjen e besimit te Reforma në Drejtësi si dhe te organet e përfshira në këtë procedurë, kryesisht te KED dhe Kuvendi. Kjo humbje besimi nuk është e pabazuar, pasi sot që flasim kanë kaluar katër vite nga miratimi i Reformës në Drejtësi dhe askush nuk mund ta besojë që ka qenë një rast suksesi, apo që është arritur objektivi i trumbetuar natën e 22 korrikut 2016. Po ashtu opinionet e Komisionit të Venecias kanë qenë të qarta në lidhje me shkeljet kushtetuese të kryera nga ish kryetari i KED në lidhje me procedurat për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo dhe me shkeljet e Parlamentit po me të njëjtat procedura. Fakt tjetër që është shumë i rëndësishëm në lidhje me mosinteresimin që shfaqin juristët e spikatur për këto vakanca është edhe klima tepër e polarizuar e politikës dhe kryesisht e marrëdhënieve mes organeve të përfshira në procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Më specifikisht, nuk besoj se ka juristë që të plotësojnë kriteret objektive dhe  subjektive për të qenë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese që njëkohësisht të shprehin dhe vullnetin për vakancat e shpallura nga një Parlament që aktualisht nuk përfaqëson sovranin në kuptimin kushtetues të tij. Arsye tjetër që mbetet thelbësore është se tashmë është e qartë edhe nga interpretimi i opinioneve të Komisionit të Venecias që ka një veprimtari të koordinuar të maxhorancës në pushtet për ta kapur politikisht këdo që aspirion për të qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese pikërisht për të garantuar që të gjithë iniciativat ligjvënëse të saj të mbeten në fuqi pavarësisht faktit që janë haptazi jo në përputhje me Kushtetutën e vendit. Ndërkohë, kur flasim për kandidatët, që vijnë nga radhët e magjistratëve, duhet të kemi parasysh që përveç kritereve të tjera, ata duhet të kenë kaluar dhe vettingun me vendim të formës së prerë në mënyrë që të kualifikohen nga KED si kandidatë për Gjykatë Kushtetuese dhe le të themi që është një numër shumë i vogël magjistratësh që e plotësojnë këtë kriter.

“Arsyeja kryesore që juristët nuk preferojnë të kandidojnë për vakancat e shpallura, që  të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, ka të bëjë me humbjen e besimit te Reforma në Drejtësi si dhe te organet e përfshira në këtë procedurë, kryesisht të  KED-së dhe Kuvendi”

– Shumë kandidatë u tërhoqën. Të besojmë se u tërhoqën vullnetarisht, apo ka prapaskena politike?

Në lidhje me tërheqjen e kandidatëve besoj se dy janë arsyet kryesore, e para ka të bëjë me faktin se procedura e kualifikimit përfshin një vlerësim të thelluar të pasurisë dhe figurës së kandidatëve, çka shpeshherë është e pamundur për t’u kaluar me sukses, edhe për shkak të faktit të informalitetit në ekonominë shqiptare të periudhës së tranzicionit, çka e bën pothuajse të pamundur për ta kaluar me sukses këtë procedurë, sidomos për ata kandidatë që vijnë nga sektori privat, por vendimtare mbetet situata politike në vend dhe mosmarrëveshjet që priten të gjykohen nga Gjykata Kushtetuese. Siç e kam theksuar dhe më sipër, situata politike tepër e polarizuar, sistemi drejtësisë i kapur nga mazhoranca aktuale dhe vetting-u i tejzgjatur, e bëjnë joatraktive Gjykatën Kushtetuese për të gjithë ata kandidatë që nuk janë të kapur nga politika.

– Përse nuk ka kandidatura për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese? Gjyqtarë e juristë nuk duan, apo nuk kemi ngaqë nuk plotësojnë kriteret ligjore për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese?

– Nuk e shoh shumë si çështje kriteresh, pasi Shqipëria ka juristë të spikatur që i plotësojë kriteret, sidomos nga radhët e avokatëve dhe pedagogëve të drejtësisë, por faktor vendimtar mbetet mosbesimi te procedura e përzgjedhjes e cila nga eksperienca e mëparshme ka treguar se kandidatët mund të linçohen publikisht vetëm prej keqpërdorimit nga mazhoranca aktuale. Nuk besoj se një kandidat me integritet që e meriton të jetë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, të mund të marrë iniciativën për të garuar për një gjyqtar të kësaj gjykate.

“Kur flasim për kandidatët, që vijnë nga radhët e magjistratëve, ata duhet të kenë kaluar dhe vetting-un me vendim të formës së prerë, në mënyrë që të kualifikohen nga KED-ja,  si kandidatë për Gjykatë Kushtetuese dhe është një numër shumë i vogël magjistratësh që e plotësojnë këtë kriter”

–  A mund të pranojmë se mosplotësimi i Gjykatës Kushtetuese ka prapaskena politike, që të zvarritet në kohë mosfunksionimi i saj, për të mbajtur pezull gjykime të çështjeve të rëndësishme politike, sikurse është edhe ligjshmëria e zgjedhjeve të 30 qershorit?

– Zvarritja e deritanishme është fakt tashmë, pasi opinioni i Komisionit të Venecias ishte shumë i qartë në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, po ashtu dhe fakti që ish kreu i KED Dvorani,  nuk pranoi të tërhiqej nga këmbëngulja e paligjshme në lidhje me mandatin si Gjyqtar i Gjykatës së Lartë deri në vendimmarrjen e KLGj-së. Vetëm ky fakt e pezulloi me katër muaj plotësimin e vakancave në Gjykatë Kushtetuese. Arsyet për këtë vullnet të munguar patjetër që kanë të bëjnë me votimet e 30 qershorit, por dhe me çështje te tjera si ajo e Teatrit Kombëtar, por dhe me kushtetutshmërinë e parlamentit aktual, fakt ky që nëse konstatohet si jo në përputhje me parimet kushtetuese, mund të sjellë edhe pavlefshmërinë e procedurës për iniciativën aktuale për ndryshimin e Kushtetutës. Të gjitha këto janë çështje themelore për demokracinë në vend, por që në rast të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese do të cenonin vetëm mazhorancën në pushtet. Kaq mjafton për të kuptuar se kush ka interes për pengimin e shndërrimit të funksionale të Gjykatës Kushtetuese.

“Opinionet e Komisionit të Venecias kanë qenë të qarta në lidhje me shkeljet kushtetuese të kryera nga ish kryetari i KED-së  në lidhje me procedurat për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese,  apo dhe me shkeljet e Parlamentit po me të njëjtat procedura”

– Kur mendoni se do të plotësohet numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të paktën aq sa kjo Gjykatë të marrë vendime?

– Plotësimi i kuorumit të nevojshëm prej gjashtë gjyqtarësh që kjo gjykatë të mblidhet në seancë plenare nuk është më një çështje parashikimi ligjor, por më shumë është çështje vullneti politik për të mos u shndërruar në pengesë me qëllim kapjen e saj. Për aq kohë sa (dis)balancat e pushteteve do të jenë krejtësisht të uzurpuara nga një forcë e vetme politike siç është aktualisht, plotësimi i këtyre vakancave do të jetë një hap para dhe dy hapa pas. Nuk mund të jepet një afat në lidhje me plotësimin e vakancave, por gjithsesi unë mbetem i mendimit që një Gjykatë Kushtetuese e kapur politikisht, është më e dëmshme se një Gjykatë Kushtetuese inekzistente.

– Faleminderit!