Kryetari i Partisë Uniteti Kombëtar
Juristi dhe politologu i mirënjohur Av. Idajet Beqiri, në intervistën për “Telegraf” hedh dritë , nga na juridike përse duhet shtyrë afati i hyrjes në fuqi i ligjit “Për Nëpunësin Civil”. Së pari, argumenton zoti Beqiri, qeveria e Berishës nuk nxori asnjë akt nënligjor, që ta bënte të zbatueshëm ligjin. Zoti Beqiri zbardh edhe nenet, ku ligji është i pazbatueshëm, por edhe diçka tjetër. Qeveria e re ka ndryshuar kompozimin e saj dhe kompetencat për Administratën Publike tashmë e ka një ministri tjetër dhe jo ajo e Brendshme. Nëse Akti Normativ merr në Kuvend 84 vota, edhe pa konsensusin e opozitës, sipas zotit Beqiri, Akti Normativ bëhet i detyrueshëm.
– Zoti Beqiri, a është kompetencë kushtetuese e qeverisë, që të (para)gjykojë ligjet që ka miratuar me konsensus të gjerë Kuvendi?
– Qeveria e ka këtë kompetencë në bazë të nenit 101 të Kushtetutës. Nxjerrja prej Qeverisë e një akti të tillë normativ në bazë të Kushtetutës do dy kritere, nevojën dhe urgjencën. Të dy këto kritere në rastin konkret ekzistojnë. Ligji “Për nëpunësin Civil”
– PS-ja mban kësisoj qëndrim me 2 standarde, për të njëjtën çështje politike? Dha votën, sa për formë, në konsensus dhe e rrëzon, sa merr pushtetin
– Nuk më rezulton kështu tërësisht kështu. Nuk e mohoj faktin e pakujdesisë, apo mungesës së profesionalizmit të ligjëvënësve, kur e miratuan këtë ligj, për të bërë një përcaktim më shkencor dhe me “këmbë në tokë” juridik, për përcaktimin e kohës se kur duhet të hynte në fuqi ky ligj. Por asgjë nuk po rrëzon maxhoranca aktuale nga ky ligj. Ka disa probleme, tejet të rëndësishme, lidhur me Ligjin 152/2013 “Për nëpunësin civil”. Pa vlerësimin e tyre me objektivitet prej të gjitha forcave politike parlamentare, nuk mund të ecet më tej. Politizimet janë shterpe, janë “sebepe” për të bërë “zhurmuesin”, por që në fakt duke qenë jo profesionale, e ulin shumë nivelin konstruktiv të opozitës. Janë zhurmë të kota, pa sens dhe pa as më të voglën dobi.
– Ky Akt Normativ, në Kuvend, mund të miratohet me konsensus të gjerë politik, apo thjesht me 84 vota, të cilat mund të jenë vetëm të maxhorancës?
– Mirë është që amendimet dhe aktet nënligjore që ka nevojë t’i bëhen ligjit “Për nëpunësin civil”, të kalonin me konsensus. Nëse ky konsensus nuk arrihet, mjaftojnë votat për një votim të cilësuar dhe qëllimi i mirë ligjor dhe efekti pozitiv i kushtit që ka vënë BE, të arrihet.
– Përse qeveria përdor të drejtën e Aktit Normativ dhe jo një projektligj, kur bëhet fjalë për ligj që janë miratuar me konsensus të gjerë nga Kuvendi?
– Akti normativ që përdori Qeveria vepron me fuqinë e ligjit për një periudhë kohe maksimalit deri në 45 ditë. Kjo përkohshmëri lidhet me kushtin e domosdoshëm të shqyrtimit të këtij akti nga Kuvendi, i cili, nëse e miraton, e kthen atë në ligj. Nëse akti nuk miratohet nga Kuvendi apo nuk merret në shqyrtim prej tij, me kalimin e periudhës 45- ditore, ai jo vetëm që nuk prodhon më efekte për të ardhmen, por njëkohësisht humbet fuqinë që nga fillimi. Për këtë arsye Këshilli i Ministrave menjëherë sapo e miratoi këtë akt normativ e dërgoi për miratim në Kuvend me qëllim fillimin e procedurave parlamentare përkatëse.
– Nëse opozita nuk jep konsensus, ka vlerë kushtetuese akti normativ?
– Konsensusi është një akt moral në politikë. Mirë është që të gjitha ligjet që i duhen zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare të miratohen me konsensus në Kuvend. Nëse ky ligj i merr të 84 votat e domosdoshme, kthehet në ligj dhe bëhet detyrimisht i zbatueshëm për të gjithë.
– Cili do të jetë fati i aktit normativ në Gjykatën Kushtetuese, para nga prizmi juridik, jo çfarë prisni ju se si do vendosë (subjektivisht) Gjykata Kushtetuese?
– Gjykata Kushtetuese do e konsiderojë domosdo në pajtim me Kushtetutën këtë akt normativ të Këshillit të Ministrave, sepse kjo gjykatë është e interesuar që të implementohet ligji “Për nëpunësin civil” dhe jo të mbetet ai thjeshtë dhe vetëm një fiksion i pazbatueshëm juridik.
– Ky konfliktualitet politik për shtyrjen e ligjit “Për nëpunësin civil”, që ishte një nga 3 ligjet e kushteve të statusit, a dëmton dhe a do ndikojë në vendimmarrjen e BE-së për dhënien e statusit?
– Mendësitë e maxhorancës aktuale për mendimet që do t’i bëjë Ligjit “Për nëpunësin civil” si dhe nxjerrjes së 28 akteve nënligjore në bazë dhe për zbatimin e tij, do i shtojnë pluset Shqipërisë lidhur me vendimmarrjen e BE për statusin e kandidatit të vendit tonë.
Arsyetimi juridik i shtyrjes së ligjit “Për nëpunësin civil”
– Nëse qeveria kishte të tilla këndvështrime kritike për ligjin, edhe kur forcat e saj përbërëse, e miratuan në Kuvend, përse e dha votën në konsensus?
– Më e rëndësishmja është fakti se në nenin 6 të Ligjit “Për nëpunësin civil” Këshilli i Ministrave kishte detyrimin ligjor që të miratonte aktet nënligjore në bazë dhe për zbatimin e tij. Qeveria “Berisha” e kishte për detyrë që pasi u miratua në Kuvendin e Shqipërisë ky ligj, t’ia paraqiste Kuvendit këto akte nënligjore të domosdoshme për ta bërë atë të implementueshëm. Ai nuk ka paraqitur asnjë prej tyre. Nuk janë pak, por plotë 28 akte nënligjore që duhet të miratojë Këshilli i Ministrave me qëllim që Ligji “Për nëpunësin Civil” të funksionojë dhe të bëhet i zbatueshëm. Në nenin “7” të këtij Ligji theksohet se, Departamenti i Administratës Publike është pjesë e aparatit të Ministrisë së Brendshme. Në fakt në qeverinë aktuale kemi një ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike. Pra Administrata Publike varet nga ky ministër dhe jo nga Ministri i Brendshëm. Ligji “Për nëpunësin Civil” është i pazbatueshëm në nenin 17 të tij lidhur me përmbajtjen, administrimin dhe procedurën e dosjeve dhe të regjistrit të punonjësve, sepse pa nxjerrë Këshilli i Ministrave aktin nënligjor, ky nen mbetet thjesht dhe vetëm një fiksion. I pa zbatueshëm është neni 18, neni 22, neni 24, neni 25, neni 26. E kështu me radhë mbeten të pa zbatueshme nenet 28-33, neni 34, neni 39, neni 40, neni 48,etj..


















