“Aty ku ka para është edhe Ahmetaj”

505
Sigal

“Aty ku ka para është edhe Ahmetaj”. Kjo vlen për ministrin e qeverisë “Rama 2”. Përmes një vendimi që mban datën 18 mars, kryeministri Rama dhe kete here  i ka dhënë një tjetër përgjegjësi ministrit Ahmetaj, që e “gradoi” në kabinet për të menaxhuar fondet për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit.

Sipas vendimit të Ramës, Arben Ahmetaj, përveç rindërtimit pas tërmetit, tashmë do të ketë përgjegjësi edhe hartimin e planit për përballimin e situatës të shkaktuar nga koronavirusi.

Disa nga detyrat e Ahmetajt janë koordinimi, drejtimi dhe ndjekja e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve  të tjera, publike e  shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19.

Por një prej detyrave të ministrit, sipas vendimit është evidentimi i burimeve të brendshme, financiare dhe njerëzore, që disponojnë institucionet publike e shtetërore dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të akteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;

evidentimin e burimeve financiare të jashtme dhe përcaktimin e mënyrës së përthithjes së tyre, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni  COVID19 dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të akteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;

koordinimin dhe drejtimin e strukturave e të njësive, shtetërore dhe publike, të ngarkuara drejtpërdrejt për kryerjen e detyrave, për zbatimin e planit të përballimit të situatës ekonomike, të shkaktuar nga infeksioni COVID19 dhe prezantimin e gjendjes dhe të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID 19.

Detyra të tjera për Ahmetajn janë: përgatitja dhe propozimi i projekteve, të përgjithshme e të veçanta, si pjesë të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID 19;

detajimi i nevojave për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID 19; koordinimin dhe drejtimin e punës  si  dhe rekomandimin e institucioneve për përgatitjen dhe paraqitjen për miratim në Këshillin e Ministrave të projektakteve, ligjore e nënligjore, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID 19;

Nxitjen, bashkërendimin dhe dhënien e mendimit për projektaktet që propozohen nga ministritë, të cilat trajtojnë, ndër të tjera, edhe çështje me interes ose brenda fushës së përgjegjësisë së tij; thirrjen për raportim të strukturave të cilat kanë lidhje me situatën ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID 19;

Krijimin dhe drejtimin e grupeve të punës dhe organizimin e veprimtarive  për hartimin  e planit  të  përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID 19; bashkërendimin me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme dhe përcjelljen e porosive në funksion të realizimit të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID 19;

Informimin, vazhdimisht dhe në kohë, të Kryeministrit, kur është rasti, edhe Këshillin e Ministrave, për hartimin e planit të përballimit  të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID 19.