Artistët ankohen te Presidenti për godinën, Meta kërkon transparencë

347
Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti dje, me kërkesë të tyre, një përfaqësi artistësh, të kryesuar nga aktori i mirënjohur Robert Ndrenika. Ata e njohën Presidentin Meta me shqetësimin e tyre dhe të komunitetit të artistëve lidhur me problemin e godinës së Teatrit Kombëtar, që është kthyer së fundmi në një debat publik. Presidenti Meta, pasi i dëgjoi me vëmendje shqetësimet e tyre, theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm e të transparencës për këtë çështje të rëndësishme, në dobi të ruajtjes e promovimit të vlerave e trashëgimisë historike, kulturore e kombëtare. Prej disa javësh, artistët kundërshtojnë projektin e qeverisë për prishjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një kompleksi shumëkatësh në qendër të Tiranës. Mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me projektin e Teatrit të ri, ndërsa një studio ndërkombëtare prezantoi atë që u cilësua edhe nga kryeministri Rama si godina e ardhshme. Më pas, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deklaroi se kjo ishte vetëm një ide dhe nuk ka asnjë projekt të përfunduar për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Gjithashtu, aktorët refuzojnë edhe spostimin e tyre në një skenë të përkohshme në periferi të Tiranës.