Arrestimet në Kukës, protesta zbret në Tiranë

568
Jakup B. GJOÇA

Arrestimet bëhen në mesnatë në Kukës, protesta zbret në Tiranë
Këshilli Bashkiak i Kukësit: Nuk ka negociata pa lirimin e të arrestuarve, Jo tarifë për Rrugën e Kombit
Të shtunën qindra qytetarë protestuan në Rrugën e Kombit, në vendin ku janë vendosur objektet për pagimin e tarifës. Policia e Shtetit, për të marrë masa sigurie, dërgoi nga Tirana Forcat Speciale të Policisë. Protesta e qindra qytetarëve të Kukësit, të cilëve u janë bashkuar dhe të tjerë nga Kosova, kundër vendosjes së taksës për kalimin në Rrugën e Kombit. Autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, është kthyer në një përleshje të dhunshme me policinë, ndërsa u është vënë flaka sporteleve të sapo ngritura për pagesën e taksës. Manifestimi nisi i qetë ndërsa një kordon i forcave të policisë ishte vendosur përballë protestuesve për të penguar avancimin e tyre drejt sporteleve. Situata është acaruar ndërsa drejt kabinave të ngritura për pagesën e taksës nisën të fluturonin gurë e sende të forta, të cilat prekën edhe forcat e Rendit. Këto të fundit u përgjigjën me shkopinj gome, për të sprapsur protestuesit të cilët mundën të përparonin, duke i vënë më pas flakën sporteleve. Nga përplasjet e dhunshme ka pasur të plagosur si nga radhët e protestuesve ashtu dhe të policisë, ku janë lënduar 12 efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe Drejtori i Policisë së Kukësit Perlat Vatoci, i cili ka përfunduar në spital për mjekime. Edhe pse ndodhi përleshje midis policisë së Shtetit dhe protestuesve, nuk pati asnjë të arrestuar në vendin e ngjarjes. 

Kryeministri Rama: Vandalët do marrin dënimin e merituar nga ligji
Pas dhunës që ndodhi në mesditën e së shtunës në Rrugën e Kombit i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Politikës. i pari, reagoi Kryeministri Rama me një postim në rrjet sociali, ku i cilësoi “Vandalë” ata protestues që dhunuar objektet dhe paralajmëroi arrestime. “Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se ia dalin dot mbi ligjin”! Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa, deklaroi se midis protestuesve kishte edhe persona me elementë kriminale, “Grupe individësh të papërgjegjshëm në përbërje të të cilëve në numër jo të vogël gjendeshin elementë me të shkuar të rëndë kriminale, si dhe persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shfrytëzuan pabesisht të drejtën legjitime dhe paqësore të tubimit.” Kryetari i Opozitës Lulzim Basha dënoi dhunën e policisë së Shtetit ndaj protestuesve, dhe kërkoi që Forcat Speciale të Policisë të largohen menjëherë nga Kukësi. “Dënojmë dhunën barbare ndaj protestuesve. Të vihen para drejtësisë përgjegjësit. Ta vazhdojmë protestën e tyre me çdo mjet demokratik. Dërgimi i forcave speciale është provokim frikacak. T’i largojë menjëherë ata që kanë rrethuar Kukësin. Policia duhet të luftojë kriminelet dhe jo popullin. Policet të refuzojnë urdhrat për të terrorizuar popullin”, tha Basha.
Policia e Shtetit arreston gjatë natës së Pashkës
Prokuroria e Kukësit pas protestës së dhunshme në Rrugën e Kombit lëshoi 36 fletë arrestimi. Në mesnatën e Pashkës, Forcat Speciale të Policisë së Shtetit, të ardhura nga Tirana kryen arrestime të protestuesve, me metodat që të kujtojnë Sigurimin e Shtetit. Gjatë këtij operacioni policor, u arrestuan 23 protestues. Në mëngjesin e djeshëm, banorët protestuan përpara Drejtorisë së Policisë të Kukësit. Me thirrje të fuqishme dhe fishkëllima të forta ata thanë: “Lironi djemtë tanë! Rama ik!” Qytetarëve kuksianë i janë bashkuar edhe deputetët e opozitës. Pasi janë takuar me banorët dhe anëtarë të këshillit bashkiak të Kukësit, deputetët e opozitës i janë drejtuar komisariatit të policisë, ku kanë kërkuar lirimin e të arrestuarve. “Të arrestuarit i kanë dërguar në Tiranë dhe nuk janë këtu në Kukës. Nëse do vazhdojnë me forma të tilla represive, situata mund të eskalojë. Shpresoj që ky zë të jetë dëgjuar. Në varësi të situatës do mbajmë qëndrimet tona”, u shpreh deputeti demokrat Edmond Spaho, në përfundim të takimit të deputetëve të opozitës me drejtues të Policisë në Komisariatin e Kukësit. Nënkryetari i LSI-së Luan Rama ka sulmuar kryeministrin Edi Rama lidhur me cilësimin e protestuesve dje në Kukës si vandalë. Luan Rama tha se, malësorët nuk janë vandalë, ndërsa sipas tij kryeministri po vijon me fyerjet për këto zona. Po ashtu ai theksoi se Rama shkeli sot dhe një kod të lashtë sa vetë jeta, sepse në ditë të tilla as hasmi nuk preket, që, sipas tij, janë Pashkët. Deputeti i LSI, Endrit Braimllari nga jashtë ambienteve të Komisariatit të Kukësit, ku takoi drejtuesit e policisë, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ky i fundit po instalon sistemin diktatorial në Shqipëri.“Edi Rama po instalon sistemi diktatorial ne Shqipëri. Arrestimet e bëra janë dëshmia e frikës dhe e shtypjes se protestat. Kemi kërkuar te lirohen te ndaluarit, kemi kërkuar listën e te ndaluarave, pasi është e paqarte. I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit te distancohet nga politika diktatoriale e Edi Ramës. Edi Rama nuk mund të ndajë dot shqiptaret”, tha Braimllari.
Protesta erdhi në Tiranë: “Eja mblidhuni këtu-këtu, bashkë me ne”
Protesta e nisur në orët e para të së dielës përballë Komisariatit të Policisë së Kukësit është zhvendosur në orët e mbrëmjes së djeshme në Tiranë. Qindra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile janë mbledhur para drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e personave të arrestuar në Kukës për përleshjet e shkaktuara të shtunën gjatë protestës në Rrugën e Kombit. Me qytetarët e ardhur nga Kukësi u bashkuan në protestë edhe shumë qytetarë tiranas, aktivistë të shoqërisë Civile. Ndërkohë, protestës së qytetarëve kuksianë para komisariatit të qytetit të Kukësit u është bashkuar edhe biznesi vendas. Të gjithë protestuesit thërrisnin “Eja mblidhuni këtu-këtu, bashkë me ne!”. Përmes një deklarate për shtyp, shoqata “Biznesi për Biznesin” kërkon lirimin e personave të ndaluar nga policia dhe shpreh shqetësimin, se protesta kundër pagesës në Rrugën e Kombit po përdoret për të frikësuar dhe persekutuar qytetarët e Kukësit. Shoqata bën thirrje që të shmanget dhuna dhe ripërsërit qëndrimin e saj kundër tarifës së vendosur për të kaluar në Rrugën e Kombit. “Kemi argumentuar që kjo taksë është e padrejtë, të paguhet. Rruga është ndërtuar me fonde publike dhe jo private”, thonë përfaqësuesit e shoqatës.
Këshilli Bashkiak i Kukësit njëzëri: Mos terrorizoni Kukësin
Këshilli Bashkiak i Kukësit, ditën e djeshme, pas arrestimeve të mesnatës të 23 qytetarëve nga Forcat Speciale të Policisë së Shtetit, dolën me një deklaratë të përbashkët, të të gjithë anëtarëve bashkiakë dhe iu përgjigj duke thënë “Jo negociatave, pa liruar të gjithë të ndaluarit nga policia”, ftesës që kryeministri Rama bëri po dje, se sot do të shkojë në Kukës për negociata. Në deklaratën publike, Këshilli Bashkiak i Kukësit distancohet nga çdo akt dhune dhe njëzëri kërkon: 

-Lirimin e të gjithë të ndaluarve nga forcat e rendit. 
-Ndalimin e arrestimeve të mëtejshme. 
-Largimin e forcave Speciale nga Kukësi, të cilat ushtrojnë terror. 
-Deklarojmë që tarifa për Rrugën e Kombit është e pa negociushme për Kukësin. 
-Çdo tentativë për negociata, pa lirimin e të arrestuarve, nuk merret në konsideratë.
Sigal