Arben Braçe: Partia shtet në luftë për asgjesimin e pluralizmit

468
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Të gjithë ata që nuk kuptojnë esencën e veprimit të Presidentit Meta në vizitën e tij pranë zyrave të FRD nuk e meritojnë pluralizmin, një pjesë janë mbetje të Partisë së Punës që kanë vjelë tërë jetën në brez të tretë tashmë ishpartinë totalitare, ndërsa një pjesë tjetër i përkasin një “brezi të ri politik” që ka dalë nga shtresa e oligarkëve, që janë në ortakëri me partinë shtet dhe ajo që i dëmton interesat materiale dhe pushtetore, është pikërisht zhvillimi i pluralizmit politik dhe i pluralizmit të mendimeve. Që të dy këto shtresa janë shumë të rrezikshme dhe nuk është se nuk e kuptojnë veprimin e Presidentit apo e dënojnë në parim atë. Dredhitë e investuara mediatike dhe lufta për ta denigruar veprimin parimor në mbështetje të pluralizmit nuk janë gjë tjetër veçse mbrojtje të interesave të mëdha që vijnë prej mungesës së tij.

Në bashkëpunim me njera-tjetrën, këto shtresa bataku, punojnë ngultazi për t’i marrë frymën pluralizmit, dhe për ta shtrënguar jetën politike në duar të ngushta që kontrollohen nga të njëjtët njerëz që ndajnë interesa të mëdha materiale dhe pushtetore dhe nuk pranojnë të qaset kush në këtë lloj tepsie të zezë korrupsioni, nga ku vijnë miliardat e pasurisë publike, të grabitura pa hyrë gjëmb në këmbë. Ata që dëmtohen në palcë nga asgjesimi i pluralizmit, padyshim që janë shumica publike, që rripen së gjalli me taksa të larta korrupsioni, dhe me investime publike që nuk bëhen kurrë, ose bëhen me kosto marrmendëse dhe me cilësi skandaloze, prej nga do të ishte më mirë që të mos bëheshin fare. Natyrisht që kjo shtresë nga dhuna që ushtrohet prej pushtetit të vjedhur dhe pak nga indiferenca që i është induktuar prej saj, tashmë gjëndet e përjashtuar nga vendimarrja politike dhe zvarritet drejt mjerimit, duke u varfëruar përditë dhe më shumë, pa marrë në konsideratë, që shkak për këtë është asgjesimi i pluralizmit politik. Shumica publike, për shkak të indiferencës së saj, dhe pushtetit të grabitur, përditë dhe më shumë, po kthehet si një lypsare, që i shtrin dorën pushtetit një herë në katër vjet në këmbim të votës së blerë më çmime thërrimesh. Ajo, shpesh revoltohet, karshi përfaqësuesve të pushtetit, të cilët përgjatë ushtrimit të mandatit janë të okupuar rëndë me punët e ndyra të korrupsionit dhe të bërjes së parave dhe nuk gjejnë sekondën për t’iu përgjigjur nevojave qytetare, por nga ana tjetër, harrojnë se janë vetë përgjegjës, që me indifencën e tyre, kanë lejuar që në karigen e pushtetit janë ulur, ata që kanë qënë përherë, dhe gjithë ata, që kanë blerë pushtetin e dalë në ankandin e madh të korrupsiont. Në qoftë se do ta shohim në këndvështrimin pragmatist, të gjithë pushtetarët që kanë hyrë në politikë në këtë lloj forme, kanë konflikt interesi me shumicën qytetare. Përfaqësuesit e “Rilindjes” shëmbulli klasik i trupëzimit pranë kësaj force të interesave të ishbllokmenëve dhe të oligarkëve, trafikanëtve dhe të korruptuarëve, punojnë ngultazi për interesat e tyre dhe nuk kanë çfarë t’i ofrojnë shumicës publike. Zgjatja e dorës së lypsarit, në dyertë e blera të pushtetit, është vërtet një mjerim i madh, nga i cili shumica qytetare shqiptare akoma nuk është ndërgjegjësuar.

E atrofizuar nga prej largimit nga politikbërja, shumica qytetare, shpesh bie në gjëndje naiviteti dhe dëshpërimi, duke u zvarritur dyrve të pushtetit, për të lypur nevoja që nuk plotësohen kurrë, ose premtohen për mandate të pafundme të treta dhe ndoshta dhe të katërta prej pushtetarësh që punojnë për interesat e shefave dhe interesat e tyre njëkohësisht. Për hir të së vërtetës, edhe kur ata i plotësojnë ndonjë nevojë të vogël emergjente të publikut të dëshpëruar, është për  quajtur një “bujari e madhe” që mbështetet  tërësisht në traditën e vjetër shqiptare, se përsa i përket interesit politik, ai bie në kundërshtim të plotë me interesin qytetar. Në epokën e asgjesimit të pluralizmit politik shqiptar, në të cilën jetojmë, shumica qytetare, nuk ka asnjë përfaqësues të interesave të saj në politikbërjen shqiptare. Grabitja e pushtetit dhe ortakëria me oligarkinë financiare e kanë përjashtuar përfundimisht interesin e shumicës qytetare. Studjuesi i mirënjohur Italian, Giovanni Sartori, cili ka ligjëruar për një kohë të gjatë, në Universitetin Columbia të New York, si një nga hulumtuesit më të njohur në botë mbi partitë politike, e ka përkufizuar një parti si:“një grupim politik i identifikuar me një emërtim zyrtar që konkuron në zgjedhje dhe që përmes tyre ka aftësi dhe kapacitet të vendosë kandidatë për poste publike” Cili nga përfaqësuesit e “Rilindjes” që del sot për të asgjësuar pluralizmin konkuron në zgjedhje dhe përfaqëson interesa publike? Partia e “Rilindjes” sot, pavarësisht se flet në emër të popullit, mund të quhet mirëfilli, një parti e interesit të veçantë, që përfaqëson interesat e një grupi shumë të veçantë të ishbllokmenëve dhe të oligarkëve dhe tashmë haptazi nuk pretendon të jetë përfaqësuese e pjesëve të tjera të popullsisë. Të gjithë ata, që sot janë indiferentë ndaj mbrotjes së pluralizmit politik, harrojnë se ai është një nga tiparet më të rëndësishme të modernes, dhe për dallim nga totalitarizmi, ai njeh larminë e interesave të qytetarëve dhe e konsideron të domosdoshme që të gjithë anëtarët e shoqërisë të marrin parasysh nevojat e të tjerëve, duke zhvilluar negociata ndërmjet tyre. Vetëm duke u mbështetur mbi pluralizmin demokracia mirëpret praninë e një numri të madh të partive politike që do të mbrojnë interesat e grupeve të ndryshme të popullatës. Prandaj argumenti banal i paraqitur prej Kryetarit të Bashkisë Veliaj si pronare e pronës publike të zyranve të FRD-së, duhet të mbajë në konsideratë së pari, garancinë kushtetuese, se të gjitha partitë duhet të futen në një garë, në kushte të barabarta dhe në zgjedhje tërësisht të lira dhe demokratike. Cila mund të jetë ajo forcë politike sot, qoftë edhe në vendet më humbura të Afrikës, që do të përjashtohej nga gara vetëm një muaj para zgjedhjeve…?! Sipas kësaj llogjike të gjitha partitë e quajtura të “vogla” të cilat sot janë të tilla prej sulmit dhe denigrimit prej interesave të partive të mëdha, bëra të tilla me grabitje pushteti dhe me vjedhje të fondeve publike i bie që të hyjnë në fushatë me tryeza dhe kompjutera mbi shpinë, ndërkohë që partia në pushtet ka gjithë kushtet e nevojshme në shumë raste edhe shumë më tepër se sa duhet.  Për të gjitha ata që nuk e dinë, dokumentacioni për të nxjerrë nga zyrat tashmë ka shkuar në të gjithë partitë e “vogla” për të mos lënë që asnjë ide inspiruese, që të bëhet e madhe dhe që të këtë të ardhme në këtë mjerim politik që jetojmë, por askush nuk e bën me dijë. Mbrojtja infantile e Kryetarit të Bashkisë, fshehur mbas prekjes të interesit të shumicës, sipas së cilës, publiku nuk ka interes të paguajë për 182 parti politike nuk është aspak e vërtetë. Në të vërtetë interesat e publikut të cilit i është rrëmbyer pushteti, do të mbrohej shumë më mirë me 1820 parti se sa me asgjesimin e plotë të pluralizmit të cilin “Rilindasit”po projektojnë. Në kushtet e sotme partitë e “vogla”që janë regjistruar në  zgjedhjet e 25 Prillit numërohen me gishtat e dorës dhe është hera e fundit që do t’i shohim në të ardhmen e politikës shqiptare.

Sulmi i organizuar nga Kryeministri Rama për pastrimin e terenit politik me shfarosjen e partive të “vogla” fillimisht me anë të një ligji denigrues karshi tyre dhe tashmë me nxjerrjen edhe nga zyrat, është një sulm direkt ndaj demokracisë dhe hapje rrugës së rivendosjes së autokracisë  oligarke pushtetore pasojat e së cilës do t’i kemi mbi shpinë për një kohë të gjatë, ndaj veprimi i duhur, jo vetëm ndaj atij të Presidentit Meta, por i gjithësecilit që mbron interesat vetjake do të ishte një mbështetje e fuqishme publike, pranë çdo partie të “vogël” pranë çdo përdhosje të pluralizmit politik, pa të cilin do të transformohemi në skllevër që prodhojmë mbivlerë për pushtetarët dhe oligarkët e pangopur.