Arben Braçe: Media shqiptare, në aleancë të ngushtë dhe bashkëfajtorë në një politikë të gabuar

249
Sigal

Skandali i pagave të medias shqiptare ishte vërtet tronditës. Edhe për njeriun më  indiferent ndaj realitetit, ato ishin tronditëse dhe të paturpshme, deri në marrëzi. Si jurist e dënoj aktin e nxjerrjes së të dhënave personale, por e vërteta peshon shumë. Deri para këtij “Deklarimi të jashtëligjshëm” lajme të tilla tronditëse kishim marrë nga korrupsioni në pushtetin gjyqësor, të cilët vite më parë u deklaruan nga publiku dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, si kampionë të pakundërshtueshëm të korrupsionit në Shqipëri, por edhe në ditët e tyre “më të mira” magjistratët shqiptarë nuk kanë pasur anjëherë as dhjetë përqind të nivelit të këtyre pagave marramendëse.  Llogaritë e majme të magjistratëve të ndëshkuar nga vetingu, vinin nga miniera e korrupsionit, që ishte krijuar ndër vite, duke shitur e blerë drejtësinë, që askush nuk kishte kurajën civile ta luftonte. Politika natyrisht që ishte e informuar me kohë për “marketingun e drejtësisë” shqiptare, por duke qenë se magjistratët kishin ndërtuar tregun e tyre, nuk bëri gjë  tjetër për vite me radhë, veçse e gjallëroi tregun e korrupsionit dhe e përdori atë në  tregun e madh të politikës.  Por në ndryshim nga monarkët e korrupsionit të gjyqësorit, të cilët paraqiteshin “më elegantë” në paga, por me dorë shumë të rëndë në “tregtimin e mallit të drejtësisë” deri tani publiku është informuar krej rastësisht për nivelin e pagave, por nuk di asgjë për “çmimin e lajmit” në tregun e lirë të medias shqiptare?! Nuk di asgjë dhe asnjëherë nuk do ta mësojë, sepse mediat tona kanë vite që nuk e pasqyrojnë realitetin. Për ne, njerëzit realiteti është i paarritshëm. Të arritshme janë vetëm aspektet e perceptuara prej nesh. Dhe këto janë të ndryshme për çdo njeri, në varësi të interesave, edukimit, prirjeve dhe vlerave të tij. Të gjitha këto ndodhin, sepse tek ne, nuk funksionon shteti ligjor. Institucionet që mbrojnë të drejtat e njeriut janë inekzistente dhe janë konvertuar në pagadhënëse nënpunësish partiakë, që angazhohen vetëm në prag votimesh, për të mbledhur vota për ata që i kanë emëruar. Nisur nga ky fakt, mediat kanë arritur të realizojnë përparësi. Ato tashmë prodhojnë realitetin e tyre, i cili nuk i përgjigjet aspak atij të vërtetë. Shumë shpesh këtë e bëjnë me ndërgjegje, për qëllime të pastra politike, sepse për fat të keq, një pjesë e konsiderueshme e mediave tona përcjellin zellshëm jo vetëm politikën që bëjnë të tjerët, por bëjnë edhe vetë politikë. Përfaqësuesit e medias, që sot paguhen nga kompanitë private tregtare si “menaxherë të përgjithshëm spitalesh” nga kompani të ndryshme, që janë aksionere në afera të ndryshme me piramidën shtetërore, me paga më të larta se ajo e Presidentit të USA, për të bërë punë skllavëruese, duke lehur për interes të politikës së ditës, të parën gjë që bëjnë, është pikërisht abrogimi i misionit të tyre. Aq të shumtë janë të paguarit e medias, që bëjnë politikë në të dy ekstremet e majtë dhe të djathtë, saqë i kanë zënë tërësisht vendin politikës, duke eklipsuar plotësisht terrenin politik dhe mundësinë për të bërë politikë të ndershme. Madje, shumë syresh, nuk e kanë problem të ndryshojnë edhe krahët e politikës në konflikt të plotë, duke u bërë lojtarë të sprovuar që gjuajnë edhe me të majtën edhe me të djathtën, zhdërvjelltësi, që nuk e kanë kurrë politikanët shqiptarë. Po kështu, përpos faktit që media shqiptare prodhon aq shumë politikë, saqë nuk prodhojnë të gjithë partitë politike së bashku, nuk duhet të harrojmë edhe faktin, që ato prodhojnë politikë dhe ngjarje politike edhe aty ku nuk ka fare politikë.

Brenda një kohe të shkurtër ato mund të ngrenë në qiell një politikan dhe po kështu mund të bëjnë zero edhe reputacionin e një politikani tjetër pa asnjë fakt të mirëfilltë, sepse në këtë zanat media jonë ka prijës kopeje dhe zogori të tëra që e ndjekin pas. Që një pjesë e mirë e mediave tona ushtrojnë pushtet, kjo kuptohet vetiu dhe jo më kot përfaqësuesit paguhen me paga të tilla marramendëse. Aftësia e tyre për të ndikuar tek të tjerët, që ata të sillen në mënyrë të caktuar, ka joshur tashmë edhe shumë personazhe groteske të botës së trafikut për të krijuar perandori të tëra mediatike në mënyrë që pushtetin e prodhuar nga biznes-media ta përdorin për imunitet ndaj drejtësisë dhe njëkohësisht për të gllabëruar fonde publike. Në ditët e sotme ky është kthyer tashmë në një model të shëmtuar mediatik dhe nuk dimë se kur do të ndalet. Por mos harrojmë se mediat janë organe kontrolli dhe ato jo vetëm që duhet të denoncojnë të metat, por edhe të bëjnë gjithçka për t’i detyruar njerëzit, veçanërisht ata që merren me politikë, të veprojnë ndryshe. Pyetja është se si e përdorin ato pushtetin e tyre, sepse në kushtet e ligjit të sotëm mbi shtypin e lirë, ky pushtet është shumë më pak i kontrollueshëm se sa ai i politikanëve. Aktualisht, pavarësisht nga korrupsioni galopant që ekziston tek ne, një ministër  shqiptar i nënshtrohet një numri të madh kontrollesh në ushtrimin e veprimtarisë së tij. Ka një sërë instrumentash për të zhvilluar këtë, që nga kontrolli i lartë i shtetit, posaçërisht prej raporteve të këtij kontrolli, po kështu nga komisioni parlamentar, nga kryeministri, nga opozita dhe së fundi edhe nga vetë mediat. Pra, manipulimet e një ministri, i nënshtrohen shumë më lehtë kritikës publike, se sa ato të një stacioni televiziv, të një gazete apo portali, që sot ka monopolin e të vërtetës. Të gjitha këto skandale, që mësuam me listën e pagave, duhet të ishin zbuluar shumë vite më parë nga vetë media, por ajo tashmë e ka kompromentuar misionin e saj. Roli i medias ka vite që është zhvendosur nën këmbët e politikës shqiptare, sepse ajo është bërë aleate dhe bashkëfajtore në një politikë të gabuar.

Një pjesë e konsiderueshme e mediave, në mënyrë të hapur i imponojnë politikës kriteret e tyre, duke vendosur sipas nevojave të veta, se çfarë ia vlen të raportohet dhe çfarë jo. Gjithashtu, përdorin marifete dhe mënyra sjelljeje, që e vështirësojnë politikën e pastër dhe ka shumë raste që e përjashtojnë atë, duke përdorur personat e etur për profilizim, vanitozët që kanë pushtuar sot ekranet televizive shqiptare dhe damkosin si të mërzitshëm ata që janë punëtorë dhe luftojnë për të vërtetën. Sot edhe një politikë brenda një partie nuk zgjidhet përmes argumentave dhe as përmes mazhorancave, por me mjeshtërinë e njërës ose tjetrës palë për të vendosur bashkëpunim me mediat duke keqpërdorur pushtetin e tyre. Deri tani publiku është njohur vetëm me pagat e përfaqësuesve të medias, por sikur të hyjmë më thellë do të mësojmë se ka padronë mediash, që ndërtojnë pallate, që zotërojnë kompani tregtare dhe PPP, të cilat do t’i kenë zili edhe vetë politikanët dhe magjistratët kampionë të korrupsionit. Kjo vjen për vetë faktin se nuk ka kush të kontrollojë kontrolluesit. Ligji ekzistues për mediat dhe shtypin e lirë nuk arrin të normojë dhe të kontrollojë hapësirën mediatike, që tashmë është zhytur në korrupsion.  Gazetarët e ndershëm, kameramanët dhe reporterët e përkushtuar, që rropaten nga mëngjesi në mbrëmje për një kothere, ndodhen tërësisht të zbuluar dhe të pambrojtur për lajmin dhe burimin e lajmit të vërtetë, që mund të sjellin me shumë mund, sepse një pjesë e padronëve janë ortakë të politikës së gabuar. Ligji ekzistues nuk parashikon pothuaj asgjë për mbrojtjen e gazetarëve investigues, reporterëve, kameramanëve dhe për me tepër askush nuk është kujdesur për të ndërtuar një status të gjithë atyre gazetarëve, që përballen me sfidën e zbulimit të skandaleve të korrupsionit dhe të krimit, që po bren shoqërinë shqiptare çdo ditë. Askush nuk është kujdesur për motivimin e tyre, diskriminimin në nivelin e pagave dhe për sigurinë e jetës së tyre, ndërkohë që janë ata të parët, që përballen me krimin dhe korrupsionin çdo ditë. Vite më parë, me shumë mund u arrit të deportohej në pushtetin gjyqësor, i cili dukej si i padeportueshëm, duke spekulluar me pavarësinë e tij. Më në fund, u arrit të realizohej një reformë në drejtësi, pavarësisht nga mangësitë e mëdha të saj, dhe vetingu po ndëshkon çdo ditë magjistratët që kanë dalë nga udha e tyre dhe në Kuvend është në diskutim edhe një ligj i ri për vetingun e politikanëve. Për të rikthyer median në misionin e saj, si i vetmi pushtet ku nuk vepron ligji, i takon publikut dhe të zgjedhurve të vendosin, faktorit ndërkombëtar të asistojë, se deri kur do të lejojnë një pushtet mediatik të lëshuar nga frerët, që duhet të luftojë për të vërtetën, që të jetë tërësisht i lirë, por edhe me një status mbrojtës për gazetarët investigues dhe të terrenit, kameramanët dhe reporterët, por pa komromentuar në asnjë rast misionin e vet.