“Anti KÇK”, Gestapo në duart e Ramës

330
Sigal

Analizë nga Prof.Dr.Ana Leka/ Rilindja në 7 vite prodhoi varfëri, eksod, PPP, krim, hashash dhe së fundmi diktaturë. Urgjenca e vërtetë për KÇK-në janë zgjedhjet e ardhme. Rama po përgatit makinerinë e tij shtetrore duke shantazhuar kundërshtarët, friksuar shqiptarët dhe të shpëtoi vetveten dhe ministrat e korruptuar

Fytyra  e vërtetë të Rilindjes: Në 7 vite prodhoi varfëri, eksod, korrupsion, krim i organizuar, kanabizim, arrogancë, diktaturë

“Anti KÇK”, Gestapo në duart e Ramës

Prof. Dr. Ana Leka

Si mundet një diktator të qëndrojë në pushtet? Përgjigja është e thjeshtë dhe qartë: Vetëm përmes forcës. Nëse shohim karrierën e diktatorëve të historisë rezulton se që të gjithë ata kanë përdorur justifikimin “rrethana ekstreme kërkojnë masa ekstreme.” Ky ishte edhe justifikimi i Ramës për ngritjen e njësisë speciale “Anti KÇK”, e cila ka për qëllim: Presion ndaj kundërshtarëve politik, ngjizje frike ndaj cilitdo që është kundër tij, dhe përdorimi i forcës për të ruajtur pushtetin. Pra një “Gestapo”, e cila, e ngritur në të njëjtën kohë me mesazhin e qartë të Ramës, përmes filmit “I love Tropoja” për të thënë se “s’ka bir nëne e bir k…” të më dalë përpara.” Për kë ishte ky mesazh?  Për të gjithë kundërshtarët politikë, duke u thënë se do ua pres kokat të gjithëve, si edhe për t’i frikësuar shqiptarët, që të mos guxojnë e ta kundërshtojnë atë. As më shumë dhe as më pak kjo është një diktaturë. Diktaturë me zë, me figurë dhe me vepra. Gjatë të gjithë qeverisjes së tij, Rama nuk ka marrë asnjë nismë dhe nuk ka bërë asnjë ligj në favor të njerëzve, në konsolidimin e lirive themeltare dhe demokracisë në vend, në zvogëlimin e kompetencave të ekzekutivit, përkundrazi, çdo ligj dhe çdo nismë janë ndërmarrë për të fuqizuar pushtetin e tij dhe për të marrë më shumë kompetenca kushtetuese dhe ligjore. Këtë bëjnë diktatorët. Avancojnë ditë pas dite, duke u fuqizuar dhe duke marrë gjithnjë e më shumë pushtet. U marrin kompetencat Parlamentit, Presidentit, Medias, Gjykatave, Prokurorisë, dhe mbi të gjitha qytetarëve. Dhe në këmbim nuk japin asgjë. Nuk tolerojnë asgjë. Nuk e ndrydhin, apo kufizojnë pushtetin e tyre në forcim të demokracisë por e zgjerojnë autoritetin e tyre në anti-kushtetutshmëri dhe diktaturë. Njësia speciale “AntiKÇK” është ngritur me një akt normativ nga Këshilli i Ministrave, i cili drejtohet dhe urdhërohet nga Rama. Komiteti drejtues i njësisë “AntiKÇK” përbëhet nga kamikazë të Ramës, nga ministrat e tij dhe njerëzit e vendosur nga ai. Pra, a do guxojë kjo njësi të merret me pasurinë e Ramës? Me pasurinë e ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive, oligarkëve të tij?  Sigurisht që jo! Atëherë, me kë do merret? Kë do sulmojë? Përgjigja është e thjeshtë: kundërshtarët e tij politik, pronarët e mediave kundër tij, analistët që e kritikojnë, intelektualët që ngrenë zërin kundër tij, e cilido që guxon të flasë kundër Rilindjes. Për më tepër, ajo zhvlerëson SPAK-un, duke e trajtuar si postë policie të rëndomtë, ku  përmes saj Rama dhe rilindasit e tij i japin vetes mundësinë t’u venë gjoba bizneseve, duke përfituar kështu edhe personalisht, por edhe duke goditur biznesin e ndershëm me qëllim që të fuqizohen oligarkët e qeverisë. Ndaj, çdo njësi policore dhe ligjzbatuese nëse nuk prek edhe vetë autoritetin që e ka krijuar atëherë bëhet mjet force për atë autoritet. Në këtë rast kemi një “Gestapo” në duart e Ramës. Sipas Nenit 101 të Kushtetutës, “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Akti normativ me fuqinë e ligjit është akti i nxjerrë nga Këshilli i Ministrave për shkak të gjendjes para një situate “nevoje dhe urgjence” dhe si ushtrim i një kompetence të jashtëzakonshme legjislative nga ky organ”.

Por, cila është nevoja dhe urgjenca pas shtatë vitesh qeverisje?

Shqiptarëve u thuhet se nevoja dhe urgjenca është krimi i organizuar, të fortët që dalin me makina të shtrenjta nëpër rrugë, gjyqtarët e korruptuar, etj. Por jo. Nevoja dhe urgjenca e vërtetë janë zgjedhjet e ardhshme. Rama po përgatit makinerinë e tij shtetërore për të kontrolluar zgjedhjet e ardhshme, duke u bërë shantash kundërshtarëve dhe duke injektuar frikë tek shqiptarët. Nevojë dhe urgjencë Shqipëria ka prej shtatë vitesh, që me fillimin e qeverisjes Rama. Kishim nevojë dhe urgjencë për kanabizimin e vendit, për ministrat e përfshirë në trafikun e drogës, me kryetarët e bashkive të lidhur me grupet kriminale, me aferat korruptive qindra miliona eurosh, me dosjet e nxehta 184 dhe 339, me drejtorë policie në arrati, me kriminelë të liruar nga burgjet, me zyrtarë të lartë të përfshirë në shit-blerje votash, e shumë e shumë histori të tjera nga më të errëtat dhe më kriminalet të 30 viteve të fundit. Ndaj, edhe Rama vendosi tani. Vetëm me një akt normativ. Duke patur në dorën e tij 122 deputetët kukulla për ta votuar pa asnjë problem. Dhe duke shfrytëzuar mungesën e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila jo vetëm ka “fjalën e fundit” për aktin konkret, për të cilin është vënë në lëvizje, por edhe për interpretimin përfundimtar, të detyrueshëm të kushteve që Kushtetuta parashikon për nxjerrjen e akteve normative me fuqinë e ligjit. Kjo është edhe arsyeja përse Rama e la Gjykatën Kushtetuese  jashtë funksioni për të bërë gjithçka që deshi e që do. Për të përdorur mjetet më autoritare dhe diktatoriale për të ruajtur pushtetin dhe për të sunduar me dhunë. Tashmë shqiptarët e kanë mësuar mirë natyrën dhe fytyrën e vërtetë të Rilindjes. Varfëri, eksod, korrupsion, krim i organizuar, kanabizim, arrogancë, diktaturë. Vetëm këto ka prodhuar Rilindja gjatë këtyre shtatë viteve. Por kurrë më. Ky është urimi i çdo shqiptari. Kurrë më, pasi Shqipëria po jep frymën e saj të fundit.