Amnistia – LSI amendament për personat publikë, të cilët janë nën hetim, PS e pranon

235

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka propozuar një paragraf të ri në ligjin e amnistisë për personat publikë të cilët janë nën hetim, dhe sipas të cilit do vazhdojnë të gjykohen dhe nuk përfitojnë nga amnistia. Nëpërmjet këtij propozimi LSI ka detyruar Partinë Socialiste të votojë amendamentin në Komisionin e Ligjeve. Nëpërmjet këtij amendamenti Elvis Roshi dhe Armando Prenga nuk do të mund të përfitojnë nga amnistia.

Në projektligjin e Amnistisë, në nenin 6, propozoj mendimin, që pas pikës 2 të nenit 6 të shtohet një pikë tjetër “3” me këtë përmbajtje

“3. Nuk përfitojnë nga ky nen të gjithë personat të cilët mbajnë apo kanë mbajtur një funksion publik dhe që janë subjekt i ligjit nr. 138/ 2015 “për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar. Personat funksionarë publikë, të cilët ndiqen penalisht për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2016 do të vazhdojnë t’i nënshtrohen ndjekjes penale, duke u hetuar dhe gjykuar, pavarësisht parashikimeve të këtij neni”, thuhet në nenin e propozuar nga LSI­ dhe të pranuar nga PS.