Amnesty International: Italia duhet ta refuzojë marrëveshjen e paligjshme të migracionit me Shqipërinë

26
Sigal

Ligjvënësit italianë duhet ta refuzojnë një marrëveshje për mbajtjen të ndaluar të njerëzve të shpëtuar në det nga anijet italiane në Shqipëri, është shprehur së fundmi, organizata Amnesty International, ndërkohë që Parlamenti italian e fillon sot debatin e tij për ratifikimin e marrëveshjes.

Skema për ndërtimin e qendrave të ndalimit të emigrantëve në Shqipëri është pjesë e një tendence më të gjerë ndërkombëtare për të zhvendosur kontrollin kufitar dhe për përpunimin e kërkesave për azil në vendet e treta: një lëvizje që kërcënon të drejtat e njeriut të emigrantëve dhe refugjatëve dhe mund të çojë në vuajtje më të mëdha, gjykon AI.

“Duke e nxjerrë përpunimin e dokumenteve të azilit dhe ndalimin jashtë kufijve kombëtarë, kjo marrëveshje përfaqëson një tjetër përpjekje të turpshme nga Italia për të anashkaluar ligjin ndërkombëtar dhe të BE-së, me pasoja të mundshme të rënda për njerëzit që kërkojnë azil,” tha Matteo de Bellis, Hulumtues për Migracionin dhe Azilin në Amnesty International.

“Ky propozim jofunksional, i dëmshëm dhe i paligjshëm do të bënte që njerëzit në ankth  t’i nënshtroheshin transferimeve të gjata dhe të panevojshme nga deti dhe do të përfundonin në një ndalim automatik dhe potencialisht të zgjatur, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.”

“Në vend që të ratifikojnë këtë marrëveshje të dëmshme, deputetët italianë duhet të mbështesin masat për të siguruar pritjen e duhur në Itali, mundësinë për një një procedurë efektive azili dhe rrugë të sigurta e të rregullta për azilin.”

Matteo de Bellis, Amnesty International

Në një analizë të re, të gjerë, Amnesty International parashtroi shqetësimet e saj në lidhje me ndikimet e mundshme negative të të drejtave të njeriut të marrëveshjes Itali-Shqipëri.

Me qindra milje ndërmjet Mesdheut qendror, ku ndodhin shumica e kalimeve dhe mbytjeve të anijeve dhe Shqipërisë, marrëveshja shkel qartë detyrimin e Italisë për të zbarkuar njerëzit e shpëtuar në det sa më shpejt që të jetë e mundur pas shpëtimit të tyre. Kjo mund të dobësojë gjithashtu sistemin më të gjerë të kërkimit dhe shpëtimit, i cili ka të ngjarë të rrezikojë sigurinë e njerëzve që kanë nevojë për shpëtim në det.

Protokolli parashikon që Italia të ruajë juridiksionin në qendrat në Shqipëri, ndryshe nga përpjekjet e jashtme të vendeve të tjera europiane, si projektligji Mbretëri e Bashkuar-Ruanda. Ndërsa zbatimi i juridiksionit italian duket se premton afrim në garancitë procedurale dhe të drejtat e azilit në përputhje me ligjin italian dhe të BE-së, në realitet afrimi në garanci të tilla mund të pengohet rëndë.

Të gjithë personat e sjellë në qendrat në Shqipëri, përfshirë edhe azilkërkuesit, do të ndaloheshin automatikisht. Ndalimi automatik është në thelb arbitrar dhe për këtë arsye i paligjshëm.

E kombinuar me ndryshimet e fundit në ligjin italian, marrëveshja mund të çojë në ndalimin e personave në mënyrë të vazhdueshme për më shumë se 18 muaj. Për më tepër, mundësia për ndihmë juridike dhe përfaqësim ligjor për të kundërshtuar në Itali, ligjshmërinë e ndalimit të dikujt nga Shqipëria do të ishte në mënyrë të pashmangshme shumë e vështirë, duke shtuar rrezikun e ndalimit arbitrar.

Marrëveshja rrezikon gjithashtu të dëmtojë sistemin për identifikimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, të grave shtatzëna, të të mbijetuarve të trafikimit dhe torturës dhe grupeve të tjera të individëve që kanë nevojë për kujdes të veçantë. Marrëveshja nuk e bën të qartë se si do të kryhen vlerësimet për të përcaktuar cenueshmërinë e një individi ose se si do të mbrohen të miturit dhe grupet e tjera të cenueshme, të cilët nuk mund të ndalohen.

“Fëmijët, gratë shtatzëna dhe të mbijetuarit e trafikimit dhe torturës duhet të durojnë transferime të gjata dhe të panevojshme nga deti dhe, për shkak të mangësive në procedurat e shqyrtimit, ata mund të ekspozohen ndaj dëmeve të mëtejshme. Personat e zbarkuar në Shqipëri do të ndalohen në mënyrë arbitrare dhe do të përballen gjithashtu me sfida serioze në aksesin e azilit dhe mjeteve efektive juridike për shkeljet e të drejtave të njeriut”, tha Matteo de Bellis.

“Në vend që të ratifikojnë këtë marrëveshje të dëmshme, deputetët italianë duhet të mbështesin marrjen e masave për të siguruar pritje të përshtatshme në Itali, akses në një procedurë efektive azili dhe rrugë të sigurta dhe të rregullta aksesi, veçanërisht për njerëzit që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare”.

Më 6 nëntor 2023, qeveria italiane nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për ndërtimin e dy qendrave në territorin shqiptar për mbajtjen e personave të shpëtuar ose të kapur në det nga anijet shtetërore italiane. Marrëveshja synon trajtimin ekstra-territorial të kërkesave për azil dhe ndalimin ekstra-territorial të personave që do të riatdhesohen me forcë, me synimin e deklaruar: pengimin e kalimeve detare.

Në Shqipëri, ratifikimi i protokollit është pezulluar përkohësisht ndërkohë që Gjykata Kushtetuese po shqyrton ligjshmërinë e procedurës së ndjekur për përfundimin e tij.

Image