Amerika po gabon, zgjedhjet nuk bëhen kur do kryeministri

581
Sigal

VOA/ Flet Prof. Sami Repishti: Kjo krizë ka karakter artificial. Zgjedhjet e vjedhura, korrupsioni, mungesa e Kushtetueses, keqardhja për qëndrimin e SHBA dhe, pse dekreti i Presidentit të Republikës për shtyerjen e datës është kërkesë logjike. Mos harrojmë se PS është trashëgimtare e PPSH dhe kërkon pushtetin e humbur në 1990-n

Dekreti i Presidenti i Republikës, është kërkesë logjike dhe nuk do t’i kushtonte asgjë Partisë Socialiste sikur ta ndryshonte këtë datë

Dr. Sami Repishti: SHBA po gabon me Ramën, zgjedhjet nuk bëhen kur do kryeministri

Sami Repishti, një ndër veprimtarët e njohur të komunitetit shqiptaro amerikan dhe ish-i dënuar politik, i tha Zërit të Amerikës se kriza e tanishme politike në Shqipëri ka natyrë artificiale. Ai tha në një intervistë se dhunës i duhet thënë jo, sepse ajo nuk ka vend në një shoqëri të qytetëruar. Zoti Repishti shprehu gjithashtu pikëpamjen se data e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit mund të ishte shtyrë.

Zëri i Amerikës: Dr. Repishti, si erdhi Shqipëria në këtë udhëkryq?

Dr. Sami Repishti: Kjo krizë ka karakter artificial. Për mendimin tim është rezultat i konfrontimeve të vazhdueshme ndërpartiake në betejën e tyre për pushtet. Në filozofinë politike shqiptare, pushtet do të thotë pushtet absolut, nuk ka gjë tjetër. Atëherë cila është dilema? PS-ja është trashëgimtare e PPSH-së dhe kërkon pushtetin që e humbi në vitin 1990. PD-ja, që është viktimë e PPSH-së, kërkon pushtetin që i takon si kundërshtarë të komunizmit. Ky problem do të ishte zgjidhur me kohë, me zgjedhje të lira, por kjo nuk ngjau. Zgjedhjet u akuzuan si të vjedhura, vendi u zhyt në arbitraritet, në korrupsion, parlamenti u kthye në agjenci të ekzekutivit, gjykatat u korruptuan. Sot kemi Gjykatën Kushtetuese vetëm me një anëtar, kur duhet të ishin 11.

Shumë njerëz janë të hutuar, nuk e dinë se si do të jetë e ardhmja, të tjerë e shohin zgjidhjen te dhuna. Çfarë mesazhi keni ju për këta njerëz?

Me thënë të drejtën edhe unë jam i hutuar. Nuk e kuptoj pse po krijohen këto situata. Por e para gjë që kam për të thënë është: Jo dhunë. Unë kam shumë frikë nga dhuna. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri të qytetëruar. Pikë!

Zoti Repishti, ç’mendoni për qëndrimet dhe komentet e ndërkombëtarëve lidhur me këtë krizë?

Janë shumë me rëndësi. Dhe kjo është një e metë e madhe që po përsëritet në Shqipëri. Është krijuar mentaliteti në kohën e komunizmit, se ne nuk kemi nevojë për botën e jashtme, se ne i bëjmë të gjitha. S’është e vërtetë! Përsa i përket ndërhyrjes së tashme të qeverisë amerikane, unë me keqardhje them, por nuk e aprovoj. Nuk besoj se është çështja aq e thjeshtë sa të merret një vendim që të mbahen votimet më 30 qershor, sepse kështu ka thënë Kryeministri. Kërkesa për ndryshimin e datës së votimeve që ka bërë Presidenti i Republikës, për mendimin tim, është logjike dhe nuk do t’i kushtonte asgjë Partisë Socialiste sikur ta ndryshonte këtë datë.