Ambasadorja e SHBA Yuri Kim/ Takim në KQZ: Merrni të gjitha masat për të parandaluar blerjen dhe manipulimin e votave në 25 prill

189
Sigal

Ambasada e SHBA në Tiranë reagon pas takimit të ambasadores Yuri Kim me kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi. Ambasadorja Kim i ka kërkuar kreut të KQZ të marrin të gjitha masat për të parandaluar blerjen e votave dhe manipulimin e votave. Mesazhi i ambasadës amerikane: Teksa edhe 100 ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare shqiptare më 25 Prill, Ambasadorja Kim u takua me Kryetarin e KQZ-së Celibashi dhe Zëvendës Kryetaren Pelinku për të shprehur mbështetjen për rolin e tyre kritik në sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ajo nënvizoi nevojën për të zbatuar në kohë dhe mënyrën efikase identifikimit biometrik dhe masa të tjerë të nevojshme. Duke kujtuar letrën e saj të 31 gushtit drejtuar Kryetarëve të Partive, ajo kujtoi KQZ-në për përgjegjësinë e saj për t’u siguruar që kandidatët të jenë në përputhje me ligjin shqiptar. Ajo nënvizoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përmbushjen e kërkesave të popullit shqiptar për politikë më të pastër, duke filluar nga politikanë më të pastër. Në këtë drejtim, ajo përmendi se Sekretari Amerikan i Shtetit ka përcaktuar publikisht individë të caktuar për korrupsion madhor. Këto përcaktime mbeten në fuqi. Ata ranë dakord që KQZ-ja duhet të marrë të gjitha masat e mundshme, jo vetëm për të mundësuar ndjekjen penale të shkeljeve, por së pari për t’i parandaluar shkeljet, përfshirë duke zbatuar masa për të parandaluar blerjen e votave dhe manipulimin e votave.