Trafikimi i kladestinëve nga Shqipëria/ Refugjatët sirianë paguajnë 1500 euro për kalimin nga toka dhe 4 mijë euro për udhëtimin me gomone drejt Italis

219
Sigal

Trafikimi i refugjatëve sirianë nga territori i Shqipërisë drejt vendeve të Europës, zakonisht ka një tarifë rreth 1-1500 euro. Kësaj tarife, paskëtaj, i shtohet edhe tarifa e trafikimit të tyre drejt Italisë me gomone, e cila i kapërcen shumat prej 4-5000 euro. Zakonisht trafikantët bashkërendojnë veprimet edhe me drejtues, ose segmente të caktuara të Policisë, sepse pa bashkëpunimin me ata, trafikantët në Shqipëri, as mëllenja nuk mund të trafikojnë. Nëse, ndodh që kapen “trafikantë” duke transportuar refugjatë sirianë, kjo ndodh, ngaqë trafikantët janë amatorë, e jo “profesionistë.

“Taksitë” e detit edhe për refugjatët sirianë

Deri tani “taksitë” e detit trafikonin hashashin drejt Italisë dhe Greqisë. Kohët e fundit, kanë marrë edhe “koncesionin” e trafikimit të refugjatëve sirianë drejt Italisë. Gomonja me 57 persona e cila i kap në det të hapur në zonën e Vlorës më 9 janar 2021, ka rrezikuar serozisht mbytjen, nëse anija e rojes bregdetare që i shkoi në ndihmë nuk do të mbërrinte në kohë. Mjeti lundrues është gjetur duke pluskuar në det rreth orës 22:00 të darkës kur ishte fundosur pjesërisht në pjesën e pasme të saj dhe dallgët kalonin mbi njerëzit dhe fëmijët e mitur që ndodheshin në bord. Nga të dhënat e hetimit mbetet mister se si mundën të ikin dy trafikantët shqiptarë që drejtonin gomonen, të cilët hipën në anije gjatë operacionit të shpëtimit, por më pas u zhdukën. Kapiteni i anijes që i shkoi në ndihmë gomones dhe stafi i tij kanë deklaruar se në bord ishin prezent dhe dy shtetas shqiptarë, të cilët nuk janë parë më në anije, sapo mjeti lundrues i është afruar portit detar. Për identifikimin e tyre, policia dhe prokuroria e Vlorës janë duke kryer hetime mbi faktin se si mundën të largohen nga anija dhe më pas nga zona e kalatës së portit detar Vlorë, dy trafikantët. Hetuesit kanë mësuar se çdo klandestin ka paguar, 4 deri në 5 mijë euro tek trafikantët që u premtuan transportimin drejt Italisë. Komunikimi me organizatorët e grupit bëhej me numra të koduar në rrjetin ëhatsapp. 55 emigrantët e kapur në bordin e gomones, kanë dëshmuar se kishin hyrë në Shqipëri në dhjetor 2020 dhe janë strehuar në disa hotele në periferi të Tiranës, derisa u nisën për në Vlorë për të lundruar drejt Italisë. Në bregdet klandestinët janë pritur nga dy trafikantët që kanë nisur gomonen, por kanë arritur të lundrojnë vetëm 15-20 minuta pasi kanë pasur vështirësi nga dallgët. Refugjatët kanë kërkuar kthimin pas, por gomonia nuk mund të lundronte, pasi ishte mbushur me ujë. Në këto kushte dy trafikantët shqiptarë i kanë kërkuar klandestinëve që të kërkonin ndihmë në polici, duke telefonuar numrat e emergjencës. Pas kësaj telefonate gomonia ka qëndruar për rreth 2 orë në det të trazuar deri në mbërritjen e anijes së shpëtimit, e cila i ka marrë në bordin e saj, ndërsa gomonia është fundosur plotësisht.