Misioni i huaj i monitorimit: “Vettingu” është jetik për hapjen e negociatave me BE

455
Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) të “vettingut” për gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë deklaroi sot nga Tirana se procesi i nisur është jetik për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Në një konferencë për mediat, drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Calavera që kryeson ONM-në tha gjithashtur se kjo strukturë ka vetëm rol këshillues e monitorues dhe aspak vendimmarrës. Ndër të tjera Calavera tha se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do kryejë detyrat e tij në mënyrë transparente.
“Hapja e negociatave me Bashkimin Europian do të ndodhë pas realizimit të plotë të reformës në drejtësi. Vettingu është jetik për hapjen e negociatave për në BE. Mirënjohje për të gjithë atë që kontribuuan për reformën. Shqiptarët duan gjyqësor të drejtë e të pavarur. ONM do kryejë detyrat e saj në mënyrë transparente. Do shqyrtohen kandidaturat për komisionin e Vettingut. ONM do të krijojë grup monitorimi afatgjatë”, – pohoi shefja e Calavera, e cila mbërriti ditën e djeshme në Tiranë, ndërsa po zhvillon një takim pa praninë e kamerave.
Më herët ajo pati një takim me kryeministrin Edi Rama, me kreun e Kuvendit, Ilir Meta si edhe me ambasadorët e SHBA dhe BE në Tiranë.
Mësohet se 7 gjyqtarë ndërkombëtarë do kenë rolin e rekomandimeve në proces dhe jo te vendimmarrjes, pasi vendimi për reformën i takon parlamentit shqiptar. ONM vjen në Tiranë për të bërë të besueshëm procesin dhe për të krijuar besim tek sistemi i drejtësisë.
Trupa e vëzhguesve të huaj, e përbërë nga amerikanë dhe europianë, do të merret me përgatitjen e procesit të Vettingut, i cili konsiston në skanimin e njerëzve të drejtësisë në tre drejtime kontrollin e figurës, verifikimin e pasurisë dhe të profesionalizmit.
Sigal