Ëndërrimtari Amerikan –Joe Biden, vjen në Tiranë

307
Sigal

Presidenca e SHBA-ve nuk është thjesht një detyrë administrative, por vendi i lidershipit moral. Si e shpëtoi Joe Biden Amerikën në kohën e krizës fincjare kur nga Kongresi lajmëroi investimin 775 miliard USD. Cili është objektivi i administratës Biden në 100 ditët e para, pandemia, largimi i Trump dhe pse suksesi i Biden kishte ardhur vetëm nga afrimi drejtpërdrejt me njerzit. Historikun e jetës, shkollimin dhe tragjedinë familjare e sjell për lexuesit shqiptar Shtëpia Botuese “Morava”

 

Vjen në Tiranë Joe Biden – ëndërrimtari amerikan

 Titulli: Joe Biden – ëndërrimtari amerikan

Autor: Evan Osnos

Përktheu: Taulant Hatia

 Dymbëdhjetë vjet pas krizës financiare, virusi e kishte shpartalluar përsëri mitin e Amerikës së sigurt në vetvete. Disa nga paketat më të mëdha financiare të shpëtimit që miratoi Kongresi për biznesin e vogël, në fakt shkuan për sektorin financiar. Miliona dollarë emergjence cash shkuan për “zyrat e familjeve”, kompani personale investimesh që administronin pasuritë për miliarderët e fondeve të investimeve dhe individëve të tjerë të pasur.

Bajdeni doli në foltore për të lajmëruar një investim 775 miliardë dollarësh për të rimëkëmbur ekonominë, duke dhënë fonde për arsimin parashkollor, kujdesin në shtëpi për të moshuarit dhe pushime të paguara, masa që, në disa vende të tjera të zhvilluara, janë rutinë. Plani shënjestronte qartë nevojat e amerikanëve që përpiqeshin të balanconin punën me kujdesin për fëmijët dhe, shpesh, për prindërit e moshuar.

Ndërsa zgjedhjet afroheshin, Bajdeni përballej me një vështirësi: suksesi i tij politik nuk kishte ardhur kurrë nga fjalimet frymëzuese apo nga përdorimi i zgjuar i mediave sociale; i kishte ardhur nga afrimi i drejtpërdrejtë me njerëzit – por pandemia kishte bërë që ky afrim me njerëzit të bëhej pothuajse i pamundur. Çështja ishte nëse mund të krijonte lidhje me aq shumë votues sa për të mundur Trampin, kur shumë demokratë do të kishin parapëlqyer një tjetër të nominuar demokrat.

“Presidenca nuk është thjesht një detyrë administrative… Është, pikë së pari, vendi i lidershipit moral”. Jeta e Xho Bajdenit kishte plot gabime, keqardhje dhe humbje të rënda personale. Dhe, po ta fitonte presidencën, ndoshta nuk do të përdorte shumë nga ajo retorika e zjarrtë që duhet për të prekur shpirtin e kombit. Mirëpo, për një njeri që ndiente dhimbje, ai mund të ofronte një farë ngushëllimi, një gjuhë shërimi.

Një njëqind ditët e para të administratës Bajden, ndërkohë që ai do të përpiqet të përcaktojë agjendën, nuk do t’i duhet vetëm të luftojë me kundërshtarët e së djathtës por, ka të ngjarë, të ndeshë rezistencë edhe nga brenda partisë së tij. Në gusht, Lëvizja Lindja e Diellit, grupi që lufton kundër ndryshimeve klimatike, u drejtoi një postim në Twitter “demokratëve të establishmentit”, ku premtonte të ishte një burim i pashtershëm kritike edhe pas largimit të Trampit: “Bajdeni është vetëm mjeti për të shqelmuar Trampin jashtë Shtëpisë së Bardhë. Bëhuni gati për katër vjet skëterre nga brezi i të rinjve të zemëruar”.

*          *          *

Bajdeni ishte një student mesatar, por popullor, i Akademisë Arçmer, një shkollë private në Delëuer; për të mbuluar pagesën, punonte me mirëmbajtjen e fushave sportive.

Ai ka luajtur njëfarë roli të vogël në protestat kundër ndasive racore, përfshi një grumbullim përpara një restoranti në Uilmington, ku nuk pranuan t’i shërbenin një shoku me ngjyrë të klasës, më 1961

Në vitin e parë të shkollës, vizitoi Bahamasin gjatë pushimeve të pranverës, ku u njoh me Neilia Hanterin, studente e anglishtes dhe vajza e një çifti që zotëronte një restorant në shtetin e Nju Jorkut. Në prozën solemne të kujtimeve të tij, shkruan: “Rashë kokë e këmbë në dashuri me të”. Ai dhe Neilia u martuan më 1966. Atëherë kishte filluar studimet për drejtësi në Universitetin e Sirakuzës, ku ishte, sipas vetë përshkrimit të tij, “një përzierje e rrezikshme arroganti dhe shkatarraqi”.

U diplomua duke u renditur i shtatëdhjetë e gjashti në një klasë me tetëdhjetë e pesë studentë dhe u zhvendos në rrethinat e Uilmingtonit, ku u bë avokat publik.

Pasditen e 18 dhjetorit të vitit 1972, jeta e Bajdenit mori një goditje të rëndë.

– Ka ndodhur një aksident, – i tha e motra në telefon.

Bajdeni ndjeu diçka në zërin e saj; e ndjeu në gjoks.- Ajo ka vdekur, kështu? –e pyeti.

Neilia ishte në timonin e makinës së tyre të bardhë Shevrolet, duke çuar fëmijët të zgjidhnin pemën e Krishtlindjes, kur një kamion i madh, i ngarkuar me koçanë misri, i goditi nga anash, duke shpërndarë ngado nëpër rrugë fletushkat e fushatës. Neilia dhe Naomi, vajza, mbetën të vdekura. Hanteri, dy vjeç, pësoi dëmtime në kokë; Boja, tre vjeç, qëndroi disa javë në spital, me kocka të thyera.

Bajdeni, që deri atëherë, kishte bërë një jetë që i dukej me fat çuditërisht të mirë, mendoi të vriste veten.