Ambasadori Arvizu: 23 Qershori, në pikëpyetje

562
Sigal

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu bashkëbisedon online për dy orë me qytetarët shqiptarë

Ambasada amerikane në Tiranë nisi dje ashtu siç kishte paralajmëruar programin e ri, titulluar “Pyet Ambasadorin”. Në saj të kësaj nisme për dy orë Ambasadori Alexander A. Arvizu iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve në një chat direkt online.

Pyetjet kanë qenë të intereseve të ndryshme, por kryesisht i referoheshin politikës shqiptare. U bënë nga njerëz të thjeshtë, dhe gazetarë. Pas mbi 2 orë pyetje-përgjigje në murin e Facebook të Ambasadës Amerikane, Arvizu duke e mbyllur konferencën online theksoi se shpreson që kjo eksperiencë e bukur të mos përfundojë këtu. “Falenderimet e mia për këtë eksperiencë. E shijova shumë dhe shpresoj që të kem dhënë përgjigje për shumë pyetje tuaja. Do monitoroj më pas të shoh sesi shkoi e gjitha kjo. Kam menduar që ta ripërsëris këtë të sotmen, por gjithmonë nëse ka interes mjaftueshëm nga ana juaj. Më vini në dijeni nëpërmjet kësaj faqeje. AA”, shkruan ambasadori në Facebook.

“VEPRO TANI!”, ARVIZU: “I PREKUR, PO FUNKSIONON”

I pyetur nga gazeta “Telegraf” për pritshmëritë e lëvizjes ACT Noë, Arviu u shpreh i prekur nga suksesi dhe ndryshimi që kanë mundur të sjellin njerëzit. “Mendoj se ACT Noë! po funksionon. Jam shumë i inkurajuar nga reagimet që kemi marrë. Kanë kaluar vetëm 6 muaj. E kam thenë dhe më parë – do të duhet kohë për të ndërtuar një kulturë të angazhimit social, përgjegjësie vetjake, dhe përgjegjshmërie zyrtare. Unë jam prekur shume nga ata njerëz që kanë arritur të sjellin ndryshim”, shprehet Arvizu.

ZGJEDHJET DHE KQZ

Lidhur me polemikat e forta nga opozita rreth vendimeve të Kolegjit Zgjedhor mbi disa vendime të KQZ, dhe nëse pas këtyre polemikave, a mund të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, Arvizu tha se “Jam pak i shqetësuar rreth KQZ. Kanë qenë cështje që më kanë habitur pasi kanë qenë cështje administrative të cilat janë politizuar. Kjo nuk do të ishte ogur i mirë për zgjedhjet e 23 Qershori”. Po kështu në kuadër të zgjedhjeve parlamentare shqiptare, Arvizu tha se porosia e Sekretares Amerikane, Klinton ishte e qartë. “Përsa i përket zgjedhjeve, unë mendoj se Sekretarja Klinton ishte shumë e qartë kur ajo tha “është e rëndësishme për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të drejta, dhe të shihen si të tilla nga e gjithë bota. Së pari dhe më e rëndësishmja është që shqiptarët duhet të besojnë tek rezultatet”.

KAM QENË SHUMË KRITIK NDAJ QEVERISË

Ambasadori amerikan duke i kthyer përgjigjie interesit të një komentuesi thekson se megjithëse është kritikuar se ka qenë shumë kritik me qeverinë, ai ndodhet në Shqipëri për forcimin e demokracisë dhe transparencës. “Jam kritikuar që kam qenë shumë kritik ndaj qeverisë. Jemi këtu për forcimin e demokracinë e transparencën”, -thekson Arvizu.

MISTER PSE KLASA POLITIKE NUK NGRIHET MBI INTERESAT PARTIAKE

Mister e cilësoi Arvizu faktin se përse klasa politike nuk ngrihet mbi interesat vetjake me qëllim që të punojë për mirëqënien e shqiptarëve. Përgjigja vjen pas një pyetjeje kuyr dikush e pyet se “Ne fjalimin e fundit Obama tha se fuqia e SHBA-ve, qëndron se qytetarët jo vetëm pranojnë mendimin ndryshe, por dhe bashketojnë me të. Sa e shihni këtë koncept në shoqërine dhe vecanërisht në politikën shqiptare?” Dhe përgjigja e Arvizu ishte “Më duket vetja si nje disk i prishur, por ende me duket një mister se përse klasa politike duket pa vullnet për tu ngritur mbi interesat partiake dhe për të punuar për mirëqënien e shqiptarëve dhe jo vetëm për bazën e tyre politike. Shikoni për shembull ditën e Vitit të Ri në SHBA. Kongresi votoi mbi një kompromis shumë të vështirë mbi projekligjin për taksat që i la të gjithë të pakenaqur, por për të cilin për shumë njerëz kjo ishte e domosdoshme”.

‘21 JANARI’: KALUAN 2 VJET, SHQIPTARËT PRESIN DREJTËSI

Ambasadori Arviu duke kujtuar ditën e emerimit të kreu të ri të organit të akuzës Adriatik Llalla, të cilën e uroi që të bëj “përpjekje maksimale për të përmbyllur me sukses gjyqin e atyre që ishin përgjegjës për dhunën e dënueshme të 21 janarit 2011”, tha se shqiptarët kanë 2 vjet që presin drejtësi. “Kanë kaluar tashmë 2 vjet dhe shqiptarët meritojnë të kenë përgjigje, meritojnë veprim dhe meritojnë të ketë drejtësi”, u shpreh Arvizu.

SULMET POLITIKE NDAJ FAMILJARËVE

I pyetur se si veprohet në SHBA me rastin kur aktorët politik përdorin sulmet ndaj familjarëve për qëllime politike, Arvizu sqaron se “ Shqiperia ka nje nevoje kritike per statistika dhe informacion objektiv, te sakte dhe jo te njeanshem, pasi ato lidhen me informacion zyrtar. Burime te ardhurash, deklarata asetesh, etj.” thekson Arvizu.

AKUZAT NDAJ AMBASADORËVE

Ambasadori amerikan duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me akuzat që politika në dhe analistë shqiptarë bëjnë ndaj disa ambasadorëve të atashuar në vendin tonë, Arvizu vlerëson se cdokush është i lirë që të ketë opinionin e tij. “Unë jam këtu për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara. Çdokush ka të drejtën të ketë një opinion apo mendim se sa i efektshëm është një ambasador në punën e tij” thekson Arvizu.

TAP

Sa i përket pyetjes së News24 se cili është qëndrimi i SHBA mbi projektet gazsjellësave të TAP dhe Nabucco, Arvizu tha se: “Me Tap besoj se i referoheni raportit të Komitetit për Marrdhënie të Jashtme në Senat. Në qeverinë amerikane, dega legjislative ka përgjegjësi për të informuar administratën e marrdhënieve me jashtë. Qeveria amerikane mbështet diversitetin e burimeve për energjinë në Europë. Politika e administratës per neutralitet midis TAP dhe Nabucco Ëest nuk ka ndryshuar”.

ÇËSHTJA ‘FIERI’

Kreu i prezencës së SHBA-së duke iu përgjigjur interesit të njërës prej ndjekësve të tij në rrjetin social, e cila e pyet për Qarkun e Fierit, cështjen e cila kohët e fundit u kthye në mollë sherri mes palëve, ai bën përgjegjës klasën politike për rrëmujën e krijuar duke theksuar se situata është e papranueshme. “ Fieri është një problem i vërtete. Një gjë është e qartë – politika është e përgjegjshme për krijimin e kësaj rrëmuje. Në të njëjtën kohe, qytetarët e Fierit janë pa një Këshill Qarku funksional. Kjo është e papranueshme”,- shkruan Arvizu.

‘NACIONALIZMI’

Duke komentuar frymën nacionaliste, e cila me afrimin e zgjedhjeve parlamentare është bërë edhe më e ndezur, mesazhi i ambasadorit amerikan është që Shqipëria të vijojë të luajë rolin pozitiv në rajon. “Unë do ti referohesha fjalimit që mbajta në 15 Dhjetor. Më lejo të nënvizoj se është shumë i vlerësuar kontributi pozitiv i Shqipërisë për stabilitetin në rajon dhe është në interesin e Shqipërisë që kjo gjë të vazhdojë”,- thekson Arvizu.

BAJRABA

I pyetur në Facebook rreth qëndrimit personal në lidhje me arrestimin e një eksponenti të Partisë Socialiste, z.Bajraba në SHBA, Arvizu tha thjesht se është informuar nëpërmjet medias. “Unë e kam marrë informacionin duke lexuar gazetën “Palo Alto Times”. Nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar midis zyrtarëve ligjorë të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Amerikane mbi këtë çështje”.

ARVIZU: KONFERENCA ONLINE, NUK KOPJOVA RAMËN DHE BERISHËN

I pyetur nga një i interesuar në Facebook se a ka arsye që ambasadori i SHBA bën një konferencë online, 3 ditë pasi një të tillë bëri Rama dhe pas aktivizimit të kryeministrit Berisha në Facebook, Arvizu u përgjigj: Kam respekt për z Berisha dhe z Rama. Mendoja që ta zhvilloja një konferencë online që në Korrik të vitit 2012, dmth më papara se Rama e Berisha, por nuk e realizova dot se kam qenë i zënë”.

HARTA SHQIPTARE? ARVIZU: NJOH ATË NATIONAL GEOGRAPHIC

Një i ri e ka pyetur ambasadorin amerikan nëse ka ndonjë mënyrë që Shqipëria të rimarrë trojet e zaptuara nga fqinjët gjatë luftërave të mëparshme. Ai madje i poston dhe një hartë me Shqipërinë e Madhe dhe sesi iu coptuan trojet këtij shteti. Ambasadori i përgjigjet: Mendoj se ti duhet të përdorësh një hartë të Shqipërisë aktuale nga National Geographic. Ajo është ajo që ne njohim si Shqipëri”.