Ambasador i padëshirueshëm, Shqipëria dëbon 2 diplomatë iranianë. Sekretari i Shtetit Pompeo dhe Këshilltari Bolton: Jemi me shqiptarët

683
Sigal

Mike Pompeo: Komplotuan sulme terroriste në Shqipëri

Pas Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare John Bolton, ka reaguar dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo në lidhje me vendimin e qeverisë shqiptare për të dëbuar ambasadorin iranian nga Shqipëria dhe një diplomat tjetër. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka përgëzuar këtë vendim dhe thotë kse agjentët komplotuan sulme terroriste. “Unë përgëzoj kryeministrin Edi Rama për dëbimin e dy agjentëve iranianë që komplotuan sulmet terroriste në Shqipëri. Kombet evropiane kanë penguar tre komplote iraniane vetëm këtë vit. Bota duhet të qëndrojë së bashku për të sanksionuar regjimin e Iranit, derisa të ndryshojë sjelljen destruktive”, shkruan Sekretari i Shtetit Mike Pompeo në Twitter.

John Bolton: Jemi me Ramën dhe popullin shqiptar

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës John Bolton ka reaguar pas vendimit të Shqipërisë për të dëbuar dy diplomatët iranianë nga vendi. Bolton shkruan në ‘Twitter’ se kryeministri Edi Rama ka dëbuar ambasadorin iranian duke sinjalizuar liderët iranianë se nuk do të tolerohet mbështetja për terrorizmin. Këshilltari i Trump shpreh fuqishëm mbështetjen dhe e quan të rrezikshme sjelljen e Iranit në Evropë e botë. “Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo dëboi ambasadorin iranian, duke sinjalizuar liderët iranianë, se mbështetja e tyre për terrorizmin nuk do të tolerohet. Ne jemi me kryeministrin Rama dhe popullin shqiptar, teksa ngrihen kundër sjelljes së rrezikshme të Iranit në Evropë dhe botë”, shkruan Bolton.

Shqipëria shpall të padëshirueshëm ambasadorin e Iranit

Ministria e Jashtme njoftoi se shpallë persona të pa dëshiruar dy diplomatë të Ambasadës së Iranit në Tiranë, pasi dyshohet se janë përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend. Shqipëria ka marrë vendim për shpalljen si persona të padëshiruar të dy diplomatëve të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend.Gholamhosein Mohammadnia, është një nga dy diplomatët e dëbuar nga vendi ynë nga Ministria e Jashtme shqiptare.