Ekskluzive nga Eduard Halimi/ Zgjedhjet e KLGJ e KLP: Sfida për t’i mbajtur larg politikës. Zgjedhja e anëtarëve, efekti i zgjedhjes, SPAK, drejtësia sot dhe pritshmëritë, nesër. Ja kush do jenë më të prekur nga kjo “Drejtësi”

795
Sigal

Eduard Halimi

Ekspert i së Drejtës Ndërkombëtare Private dhe Bankave në Ballkan

Zgjedhjet e KLGJ e KLP: Sfida për t’i mbajtur larg politikës

Nëse heshtim sot… kujt do t’ia hedhim fajin nesër?

Zgjedhja e anëtarëve nga drejtësia

Zgjedhja e anëtarëve te KLGJ e KLP nga vetë drejtësia dhe nga radhët e vetë asaj, është lajmi i muajit për reformën në drejtësi. Në këtë përzgjedhje të vetë atyre, duke qenë se e ndjek këtë proces të paktën prej 20 vjetësh në Shqipëri, pati dy komponentë pozitive.

E para, lufta politike mes palëve, skandalet e përmuajshme të qeverisë, dhe denoncimi me forcë i tyre nga opozita, patën një anë të mirë në këndvështrimin tim: nuk patën vëmendje tek zgjedhja e anëtarëve nga gjyqësori. Të opozitës jo e jo, por edhe të qeverisë, e cila është kompleksuar totalisht nga frika e skandaleve dhe e precedentëve rreth e qark.

I dyti, si komponent, që ndikoi në zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ e KLP nga radhët e drejtësisë ishte dhe presioni i Vettingut, që bëri të kandidonin ata që të paktën në mëngjes para se të dilnin në punë, i thoshin vetes në pasqyrë: Unë jam i ndershëm, unë e meritoj të promovohen.

KLGJ arriti që t’i bëjë ballë edhe ndonjë presioni sporadik, ndërsa për KLP, më duhet të jem skeptik.

Të dyja këto komponent më bindin të jem i sigurt kur them se zgjedhjet në KLGJ nga anëtarët e gjyqësorit është lajm i mirë dhe për të qenë bindës, i referohem të paktën 2 -3 rasteve:

Bruna Kadi, Marcela Shehu, nuk janë as të PD e as Ps e LSI, janë magjistratë të shkëlqyera ekselente në magjistraturë dhe me zero rekorde negative në punë. Dhe në këto 20 vjet nuk kam dëgjuar ankesa, apo qoftë edhe pëshpëritje për korrupsion, as për to dhe as Tanin, Ilirin, apo Mediun. Ndaj e them se ky është lajm i mirë.

Për KLP, mund të them se njoh 2 prej tyre që kanë qenë pjesë e regjimit komunist, dhe 2 të tjerë që janë prokurorë të papërfshirë në afera, të ndershëm dhe me integritet si Besniku apo Genti.


Efekti i zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ e KLP nga politika

Pavarësisht lajmit të mirë të ardhur nga zgjedhja e anëtarëve nga drejtësia ta bëjmë të qartë se ligji parashikon se KLGJ e KLP do drejtohen nga një anëtar i zgjedhur nga politika. Në krye të këtyre institucioneve nuk do jenë asnjëri prej këtyre që u zgjodhën, por do të jetë njeri nga ata që zgjodhi politika.

 Kush janë ata?

Polarizimi i fortë dhe mungesa e besimit mes palëve në procesin e reformës e dëmtoi zgjedhjet cilësore në KLP e KLGJ. Goglat ishin zgjidhje mungese besimi, zgjidhje të cilat u vendosën si të vetmin gur besimi mes opozitës dhe qeverisë, kur e çojnë opozitën në cep të ringut dhe të thonë ne nuk pyesim as për dialog, dhe as arsyetim.

Në atë moment, në mungesë të plotë të racionalizmit, zgjidhja ngelej dobësimi i kundërshtarit, që ai, kryeministri, të mos e kapë institucionin. Padyshim, që goglat nuk janë zgjidhje e mirë për të mirën e drejtësisë dhe qytetarëve dhe e them pa mëdyshje edhe dje edhe sot. Propozimi për goglat ishte gatit-gati një batutë gjatë një debati me partnerët, si mënyrë për ta shtyrë kundërshtarin që nuk pranonte arsye, por që më pas mori trajtën e plotë në 2016. Por në të vërtetë, a nuk është kjo është detyra e çdo opozite në çdo vend demokratik të botës mbarë: mos e lejë qeverinë ta kapë pushtetin. Dhe, kur qeveria bëhet arrogante, atëherë reagimi i opozitës është 2 herë legjitim. Por si profesionist, më vjen keq që për arroganca e qeverisë dhe mungesa e dialogut dhe arsyes nga të gjithë të tjerët solli si zgjidhje goglat. Dhe ja ku jemi sot. Ç’mund të themi për ata që do qeverisin KLGJ e KLP?

Janë profesionistë, me tituj, me integritet, të vetinguar?

Jo. Rrallë mund të qëmtosh aty dhe përballë të vettinguarve, ata janë inferiorë. Nëse do kalonin dhe ata 3 kriteret e vettingut, ndoshta do krijonin besim. Nëse nuk e bëjnë, atëherë dikush duhet ta bëjë. Të paktën opozita e ka për detyrë se paguhet për të bërë opozitën. A janë të PS, PD apo LSI?

Meqenëse i njoh pothuajse të gjithë për shkak të eksperiencës së gjatë në drejtësi, më lejoni të jem i sigurt, kur them se i PD nuk është asnjeri. Për PS mund të them se kanë disa eksponentë. Por sërish për të mos qenë kritizer, le të themi se disa janë me integritet dhe të pa përfolur. Dhe për të qenë bindës, do më duhet të përmend disa emra, Albani, Erioni, apo Naureta.

Por për KLP mund të them me bindje se atje anëtarët janë thellësisht me bindje të qarta politike. Dhe kjo ka shumë kuptim, për aq kohë sa frika e vetme që ka pushteti është prokuroria, për të dalë në çështjen e mprehtë të reformës: SPAK!

Spak

Vëmendja e të gjithëve edhe për shkak të propagandës më shumë është përqendruar tek SPAK. Jo edhe aq pa të drejtë. Nëse qytetarët duan të krijojnë besim se do e kenë tek një drejtësi e re do e kenë tek koka e drejtësisë, KLGJ e KLP të cilët do zgjedhin SPAK që do hetojnë zyrtarët e përfshirë në korrupsion, veç të tjerave.

Por KLGJ e KLP do drejtohen nga njerëzit e zgjedhur nga politika. Njëri nga 5 të zgjedhurit e politikës do drejtojë KLGJ dhe njëri nga 5 të tjerët e zgjedhur po nga politika do drejtojë KLP. Kë do zgjedhin ata drejtues? Nëse do zgjedhin njerëz të ekspozuar fort politikisht, shpresa se SPAK do ketë sukses, do jetë zero. Qeveria do bëjë ç’është e mundur që tani të ndërhyjë. Të zgjedhë në krye të tyre njerëzit e besuar, me shpresën që pastaj të ndikojnë në zgjedhjet e SPAK dhe që shpresojnë të mbyllin njërin sy ose të dy bashkë për skandalet.

Për KLP historia u mbyll, nuk pati hezitime dhe parashikimi doli pikë për pikë. A duhet që opozita të fliste edhe më parë? Të sensibilizonte aktorët dhe publikun mbi kërcënimin? A duhet të kompleksohet nga fakti se, përfshirja në një debat të tillë mund t’i kthehet në bumerang për shkak se debati publik e mediatik, e përmbledhur si propagandë nuk është pika e saj e fortë?

Unë gjykoj se kjo çështje nuk duhet të jetë pikë kompleksimi. Qëllimi i opozitës, si i çdo opozitë duhet të jetë: Të mos e lerë kundërshtarin të fuqizohet se me atë e ka betejën. Opozita nuk kap dot asgjë sot e as nesër, kushdo që të zgjidhet aty, nuk është i opozitës. Ndaj kompleksimi këtu merr fund. Por opozita duhet të luftojë që mos e kapë kundërshtari politik. Se po e kapi ai, atëherë ai bëhet i fortë, i pamundshëm.

Le të bërtasë sa të dojë, të denoncojë skandale, kundërshtari do e përqeshë, duke mbyllur dosjet e duke i tundur vendimet e pushimit apo pafajësisë, sepse ai, kundërshtari e ka kapur. Ndaj opozita e ka për detyrë të reagojë, nëse KLP e KLGj do zgjedhë eksponentë politikë, të bëjë ajo një skaner e te qartësojë publikun se zgjedhja e njërit, apo tjetrit do e bëjë KLGJ sot e SPAK nesër në shërbim të kryeministrit.

Dhe këtë duhet ta bëjë pa kompleksim, sepse e ka për detyrë, paguhet për këtë. Nëse nuk e bën ajo, askush nuk ka për ta bërë? Në fund të ditës është detyrë e saj. Sot e PD në opozitë dhe nesër e PS në opozitë.

Drejtësia sot dhe pritshmëritë nesër

Por KLGJ e KLP do jenë qeveria e gjyqësorit prej janarit, ata do duhet të emërojnë e shkarkojnë gjyqtarët e prokurorët dhe fatmirësisht aty nuk do jenë me anëtarët ex-oficio, ministri, presidenti dhe kryetari i Gjykatës së Lartë.

Se kur do ta bëjnë do na duhet të presim dhe do presim gjatë.

Përtej planeve afatgjata, sot drejtësia është pikën e saj të zezë. Gjyqtarë e prokurorë po punojnë ai për ditën e fundit. Nuk ka ligj, rregull, është përgjithësisht xhungël. Për të qenë i besueshëm për këtë që them, mjafton të shihni disa gjykata në pjesën e Shqipërisë së mesme, apo gjykata Apeli për të cilat po dalin barsoleta. Për të qenë më bindes mund të përdor edhe emra, por meqenëse janë para vettingut, etika profesionale nuk më lejon të interferoj sot.

Gjykata e Lartë ka ngelur me tre gjyqtarë dhe nuk gjykon çështje prej shtatorit. Në arkivin e saj janë në pritje të paktën 40.000 çështje dhe nëse do ishin 19 gjyqtarë, do duheshin të paktën 5 vjet për të dalë çështja.

Kur pritet që të formohet Gjykata e Lartë, pas skanimit nga KED e pastaj Vettingu, gjasat janë se do na kapë vera. Në atë kohë do jenë gati 60.000 çështje dhe qytetarët do duhet të presin të paktën 7-8 vjet për një çështje.

Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit dhe gjasat që të krijohet shpejt pothuajse janë zero.

Kurrë më parë në këto 28 vjet drejtësia nuk ka qenë kaq keq. Jashtë kontrollit, e papërgjegjshme, me zero llogaridhënie, totalisht e bllokuar.

Por politika është në rregull sot me këtë gjendje. Problemi? Qytetarët, bizneset, bankat. Për investimet e huaja, harroje. Po punojmë fort në Ballkan me investimet e huaja si network edhe me bankat gjithashtu. Ndërsa zyra në Shqipëri merren vetëm me mbledhje borxhesh dhe gjyqe me shtetin, apo individët. Për të sjellë investitorë në këtë gjendje, as që bëhet fjalë.

Sfidat e KLGJ e KLP janë të mëdha, do dështojnë, apo do kenë sukses, nuk duhet lënë në mëshirën e fatit, por duhet ushtruar presion pozitiv, që të mos dështojnë, tani për të zgjedhur eksponentë politikë në drejtim, nesër tek SPAK, pasnesër për Gjykatën e Lartë e kështu me rradhë.

Nëse heshtim sot… kujt do ia hedhim fajin nesër?